Botë

Trashëgimia më e madhe e “Sputnik V” – trazimet

Në vendet e Evropës Lindore, të cilat kanë siguruar deri më tani vaksinën ruse kundër koronavirusit, destabiliteti ka pasuar

Duke pasur parasysh performancën skajshmërisht të dobët të Bashkimit Evropian në shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19 dhe komunikimet e saj të vazhdueshme që e minuan besimin në dozat e “AstraZenecas”, është fare e lehtë të kuptohet pse qeveritë kombëtare të bllokut i kanë marrë punët në duart e veta.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, e ka çuar vetëvarshmërinë deri në ekstreme. Në janar, bukur kohë para se vaksinat të ishin gati për shpërndarje, ky burrështetas arriti marrëveshje për sigurimin e 2 milionë dozave të vaksinës ruse “Sputnik V” dhe 5 milionë dozave të asaj të Kinës “Sinopharm”, duke i anashkaluar si procedurat e prokurimit të Komisionit Evropian, ashtu edhe ato të miratimit të Agjencisë Evropiane për Barna (EMA). Me 4.2 milionë dozat e administruara, revista politike amerikane “Foreign Policy” ka shkruar se vendi prej 9.7 milionë banorësh ka vaksinuar më shumë qytetarë sesa akëcili vend tjetër anëtar i BE-së.

Veprimin e tij e pasuan edhe qeveritë e tjera: kancelari austriak, Sebastian Kurz, raportohet t’i ketë përmbyllur negociatat për sigurimin e rreth 1 milion dozave të kurës ruse. Dhe në një telefonatë të fundit me presidentin rus, Vladimir Putin, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kanë diskutuar rreth procesit të autorizimit të vaksinës nga rregullatorët evropianë dhe për gjasat e prodhimit të saj në BE.

Në përballje me dergjen, kthimi i syve kah Lindja për përfundimin e pandemisë mund të mos jetë një çmenduri. Në një sondazh të fundit në Sllovaki, “Sputnik V” është renditur e dyta pas “Pfizerit” si vaksina më “e besueshme” kundër COVID-19, pasuar nga “Moderna”, “AstraZeneca” dhe “Johnson & Johnson”.

Pazar vaksinash

Pavarësisht kësaj, “Foreign Policy” ka shkruar se diplomacia ruse e vaksinave përcillet me rreziqe të theksuara për vendet që janë përfshirë me të.

Deri më tani “Sputnik V” është dëshmuar si një mjet larg më i mirë i destabilizimit të qeverive të Evropës Lindore sesa i mbrojtjes së popullatave të tyre nga koronavirusi.

“Pikë së pari, ekziston çështja e efikasitetit dhe sigurisë së vaksinës. Derisa sugjerimi i cituar gjithmbarshëm i një studimi të ‘Lancetit’ që ka sugjeruar për 91.6 për qind efikasitet ndaj rasteve simptomatike të COVID-19 është jashtëzakonisht trimërues, EMA me gjasë ka arsye të forta për të mos nxituar me autorizimin e përdorimit të saj”, ka shkruar revista amerikane, duke shtuar se kësaj agjencie nuk i janë ofruar informata të mjaftueshme mbi vaksinën që nevojiten për rishikimin e efikasitetit të saj.

Megjithëse EMA po e vazhdon punën, ngritja e flamurit të kuq veçse është evidente.

Agjencia sllovake e barnave “ŠÚKL” ka vlerësuar mostrat prej dozave që Qeveria i ka siguruar dhe ka konstatuar se përmbajtja e shisheve ishte ndryshe prej asaj të vaksinës së përdorur në studimin e “Lancetit”. Dozat e prodhuara në fabrika të ndryshme dukeshin jokonsistente; e për më tepër, informatat themelore, përfshirë të dhënat rreth stabilitetit dhe skadimit të vaksinës, mungonin.

Ironikisht, vështirë se mund të krijohet lidhja midis posedimit të një vaksine jashtëzakonisht të sigurt dhe efikase me shkallën skajshmërisht të ulët të vaksinimit në vend. Vetëm 4.7 për qind e rusëve kanë marrë të paktën dozën e parë, krahasuar me 15.5 për qind në vendet e BE-së.

“Këto shifra mund të jenë dëshmi për këndvështrimin skajshmërisht kozmopolit dhe altruist të autoriteteve ruse, që e prioritizojnë ofrimin e dozave vendeve të tjera”, ka shkruar “Foreign Policy”. “Ka edhe më shumë të ngjarë se numrat janë një indikacion i nivelit jashtëzakonisht të lartë të mosbesimit të popullatës ruse në vaksinën (gjë kjo që mund apo nuk mund të justifikohet) apo e shpërfilljes së tërësishme të Qeverisë ruse për qytetarët në ndjekje të një synimi gjeopolitik – apo i që të dyjave”.

Për më tepër, avancimi i Hungarisë në vaksinim, duke u bazuar fillimisht në dozat kineze e ruse, nuk është përkthyer në një performancë më të mirë në ndalimin e përhapjes së virusit, kundruall shteteve fqinje – ka ndodhur fiks e kundërta. Derisa numri i rasteve ditore të infektimit ka rënë së fundmi, shkalla e rasteve të reja për një milion banorë është ende më e larta botërisht teksa vdekjet ditore të ndërlidhura me COVID-19 janë afër pikut të të gjitha kohërave.

Në mënyrë të ngjashme, Serbia ka përshpejtuar programin e saj të vaksinimit, duke i përdorur vaksinat e prodhimit kinez dhe rus qysh nga fillimi i vitit. Megjithëkëtë, është detyruar që të vihet në izolim kah mesi i marsit.

“Kura” e tollovisë politike

E dyta në radhë është çështja politike. Vaksina “Sputnik V” vjen e shoqëruar me bagazhin që është dëshmuar si zor i menaxhueshëm nga qeveritë e Evropës Lindore, të vetëdijshme se po bëhen borxhlinj të Rusisë.

E nxitur nga shqetësimet tradicionale gjeopolitike, Polonia ka përjashtuar përdorimin e kurës ruse dhe Qeveria është shfaqur skeptike edhe ndaj “Sinopharmit” të Kinës, shkaku i mungesës së të dhënave të qëndrueshme. Liderët çekë, më saktësisht presidenti pro-rus e pro-kinez, Milos Zeman, ka treguar interesim për të dyja, ani pse koalicioni qeverisës i vendit ka qenë i ndarë rreth çështjes.

“Çuditërisht, ani pse presidenti luan vetëm rol ceremonial në sistemin kushtetues të Çekisë, Zemani ka nisur që ta çojë përpara agjendën forcërisht. Muajin e shkuar ka deklaruar në një intervistë se ata që e kundërshtojnë përdorimin e vaksinës ruse (duke aluduar në ministrin e Shëndetësisë, Jan Blatny, dhe shefen e SÚKL-së së Republikës Çeke, Irena Srorova) janë drejtpërsëdrejti përgjegjës për vdekjen e qytetarëve çekë”, ka shkruar FP.

“Zgjidhja fshihet në shkarkimin e që të dyve”, ka thënë ai.

Kësisoj, disa javë më vonë kryeministri çek, Andrej Babis, e zëvendësoi Blatnyn me mjekun Petr Arenberger, i cili veçse ka nisur t’i kërkojë mënyrat për blerjen e vaksinës ruse dhe ka miratuar përdorimin emergjent të saj në vend. Duke e përshkallëzuar edhe më shumë situatën, Babisi e shkarkoi edhe ministrin e Jashtëm, Tomas Petricek, një kritik zëshëm i Rusisë.

Zhvillimet në Republikën Çeke i pasojnë ato të së njëjtës natyrë në Sllovaki. Në fund të shkurtit, kryeministri i atëhershëm sllovak, Igor Matoviq, kishte blerë 2 milionë doza të “Sputnik V”, duke i vënë liderët e koalicionit të tij qeverisës para një fakti të kryer kur një aeroplan ushtarak mbërriti i ngarkuar me 200.000 dozat e para të vaksinës. Ujdia ishte arritur prapa shpinës së ministrit të Jashtëm, Ivan Korcok, të cilit nuk i kishte mbetur opsion tjetër pos të jepte dorëheqjen.

Në krizën pasuese, Matoviq u pajtua ta braktiste pozitën e tij dhe ta merrte përsipër Ministrinë e Financave. Si rezultat, Qeveria shumë shpejt u rreshtua prapa kryeministrit të ri, Eduard Heger, i cili i mbajti në detyrë shumicën e ministrave të mëhershëm.

Megjithëkëtë, saga e “Sputnik V” ende nuk ka mbaruar. Matoviq ka vazhduar ta sulmojë udhëheqjen e “ŠÚKL-it” të vendit, i cili synonte të bazohej në EMA-n për sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës. Dhe javën e shkuar, mbase në cilësinë e ish-kryeministrit, Matoviqi udhëtoi në Moskë, duke i anashkaluar përsëri Korcokun dhe diplomatët sllovakë në Rusi.

Jo vetëm kaq, më vonë gjatë asaj jave ai e vizitoi edhe Orbanin në Budapest, i pashoqëruar nga ambasadori apo ndonjë diplomat tjetër.

“Në vend të tyre, përkrah tij ishte një anëtar nacionalist hungarez i Parlamentit sllovak nga partia e Matoviqit, Juraj Gyimesi. Në një video në Facebook, Orbani tha se një laborator ‘vepër arti’ në Hungari do t’i vlerësojë vaksinat ruse për Sllovakinë”, ka shkruar revista politike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky akt i jashtëzakonshëm i “diplomacisë” së vaksinave nga një ministër i Financave, përveçse ishte i paligjshëm, është veprim i zjarrvënies politike që i vë në pozitë të palakmueshme si ministrin e Jashtëm, ashtu edhe kryeministrin.

Veprimi nxiti po ashtu adresimin e një letre të hapur të pashembullt nga ambasadorët aktualë të vendit, të cilët shtrirjen e improvizuar të Matoviqit e quajtën si “ofendim për diplomacinë sllovake,... turpërim për Sllovakinë dhe kërcënim për interesat kombëtare”.

“Nëse ‘Sputnik V’ do t’i fragmentojë koalicionet e brishta qeveritare të Sllovakisë dhe Republikës Çeke, njëherë e përgjithmonë, nuk dihet qartë. Megjithëkëtë, ‘New York Times’ e ka përthekuar saktësisht situatën, kur i ka cilësuar zhvillimet e fundit si ‘zmbrapsje’ për diplomacinë ruse të vaksinave”, ka shkruar gazeta politike.

Me dy qeveri të Evropës Lindore në shthurje, një ministër të Jashtëm pro-perëndimor të ikur dhe një tjetër të zënë ngushtë, Kremlini zor se kishte mundur të shpresonte për një rezultat më të mirë.