Botë

Tensionet në Ukrainë e vënë Rusinë karshi SHBA-së dhe NATO-s

Duke folur gjatë një takimi me ekipin më të lartë ushtarak, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë se ushtrimet përbëjnë përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj “përpjekjeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj në NATO për t’i shtuar forcat në afërsi të kufijve të Rusisë”

Ministri rus i Mbrojtjes ka thënë të martën se grumbullimi masiv ushtarak i vendit në perëndim është pjesë e manovrave të gatishmërisë, shkaku i atyre që ai i përshkroi si kërcënime prej NATO-s.

Ministri, Sergei Shoigu, ka specifikuar se manovrat në perëndim të Rusisë, që kanë nxitur shqetësime në Ukrainën fqinje dhe kanë gjeneruar paralajmërime nga NATO-ja, do të zgjasin edhe për dy javë të ardhshme.

Duke folur gjatë një takimi me ekipin më të lartë ushtarak, Shoigu ka thënë se ushtrimet përbëjnë përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj “përpjekjeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj në NATO për t’i shtuar forcat në afërsi të kufijve të Rusisë”.

Tensionet e shtuara në lindje të Ukrainës, shkaku i grumbullimeve ushtarake ruse në zonat kufitare, kanë nxitur përplasje të reja midis Rusisë dhe Perëndimit, veçmas SHBA-së dhe NATO-s. Vetëm gjatë tri javëve të fundit, ushtria ruse ka vendosur dy formacione masive trupash në rajonin perëndimor “si pjesë e përgjigjes ndaj aktiviteteve të aleancës ushtarake që e kërcënojnë Rusinë”, ka thënë ministri i Mbrojtjes. “Trupat kanë shfaqur gatishmërinë e tyre të plotë për t’i përmbushur detyrat për garantimin e sigurisë së vendit”, ka shtuar ai.

SHBA-ja dhe aleatët kanë ndezur alarmin rreth përqendrimit të forcave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën dhe shkeljeve të vazhdueshme të armëpushimit në vendin ku Rusia i mbështet separatistët, ndërsa forcat ruse janë përfshirë në konflikt që kur Moska e aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014. Më shumë se 14.000 persona kanë vdekur në luftimet përgjatë lindjes së Ukrainës teksa përpjekjet për negocimin e një ujdie politike kanë dështuar.

Shefi i Aleancës Veriatlantike të NATO-s ka paralajmëruar të martën Rusinë për tërheqjen e forcave afër Ukrainës.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti amerikan, Joe Biden, ka adresuar shqetësimet lidhur me aktivitetin rus dhe “i ka bërë thirrje Rusisë për qetësimin e tensioneve”, gjatë një bisede telefonike të martën me presidentin rus, Vladimir Putin.

Image

Ngjarjet e fundit kanë nxitur Ukrainën që t’i adresojë thirrje Perëndimit për veprim të shpejtë, me qëllim të shmangies së përshkallëzimit të situatës në dhunë. Përfaqësuesit ukrainas kanë adresuar madje thirrje për garantimin e anëtarësimit më të shpejtë të vendit në Aleancën e NATO-s. Kjo thirrje ka nxitur reagimin e menjëhershëm të Kremlinit.

Mirëpo sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar të martën Rusinë se është NATO-ja e jo Moska ajo që vendos lidhur me anëtarësimin apo jo të Ukrainës në organizatën ushtarake.

Ndërkaq, në takime të veçanta me ministrin e Jashtëm ukrainas, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Stoltenberg kanë shprehur mbështetjen e plotë për Ukrainën dhe kanë paralajmëruar shtetin rus kundër avancimit të grumbullimit ushtarak përgjatë kufirit lindor të ish-republikës sovjetike.

Midis tensioneve të fundit, SHBA-ja ka informuar Turqinë se dy luftanije amerikane do të lundrojnë përgjatë Detit të Zi më 14 dhe 15 prill dhe do të qëndrojnë aty deri më 4 dhe 5 maj. Anijet e flotës detare amerikane kanë ndërmarrë vizita të rregullta në Detin e Zi gjatë viteve të fundit, duke e tensionuar Moskën.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ka denoncuar zbarkimin e synuar të fundit, duke e cilësuar si “provokim të hapur” dhe duke shtuar se “anijet amerikane nuk kanë fare të bëjnë me punët e Rusisë”.

“Po e testojnë fuqinë tonë dhe po luajnë me nervat tona”, ka thënë Ryabkov, në komentet e transmetuara nga agjencitë ruse të lajmeve. “Duke e konsideruar veten si Mbretëreshën e Deteve, SHBA-ja duhet të kuptojë se rreziqet e incidenteve të caktuara janë teje të larta. E paralajmërojmë SHBA-në që të qëndrojë sa më larg Krimesë dhe brigjeve të Detit të Zi, për të mirën e saj”.