Udhëheqësja e arrestuar e Qeverisë birmaneze, Aung San Suu Kyi ka kërkuar nga një gjykatë të hënën që t’i lejohet të takojë avokatët e saj personalisht.
Këtë kërkesë ajo e bëri gjatë një paraqitjeje virtuale para gjykatës për të dëgjuar akuzat me të cilat ngarkohet nga ushtria e të cilat mund ta mbajnë në burg me vite.
Derisa Suu Kyi po dëgjonte akuzat, mbështetësitë e saj po vazhdonin thirrjet për të vazhduar kundërshtimin e grusht-shtetit të 1 shkurtit.
Suu Kyi, 75-vjeçare ka fituar çmimin Nobel për Paqe në vitin 1991 për përpjekjet e saj për të vendosur demokraci në Birmani.
Ajo është arrestuar më 1 shkurt të këtij viti nga ushtria e cila e morI shtetin në dorë pasi konsideronte se zgjedhjet të cilat Suu Kyi i kishte fituar në nëntor të vitit të kaluar nuk ishin zhvilluar drejt.
Ajo deri më tani është lejuar të komunikonte me avokatët e saj vetëm në mënyrë virtuale dhe atë, në prezencë të forcave të sigurisë.
Protestat e popullatës në Birmani kundër grusht-shtetit dhe arrestimit të Suu Kyi kanë nisur më 1 shkurt që nga ajo ditë e deri më tani më shumë se 700 persona kanë mbetur të vdekur, në mesin e të cilëve edhe shumë fëmijë.