Botë

Turqia burgos përjetë me dhjetëra të akuzuar për puçin e 2016-s

Gjykata në Ankara ka dënuar 36 të akuzuar me burgim të përjetshëm, përfshirë gjashtë syresh, të cilëve u është shqiptuar dënimi i parevokueshëm i burgimit të përjetshëm, që, sipas ligjeve turke, e përjashton mundësinë për ankesë

Një gjykatë turke ka dënuar të mërkurën me dhjetëra persona, përfshirë ish-atashe ushtarakë të regjimentit të gardës presidenciale, me burgime të përjetshme shkaku i përfshirjes në tentimin e dështuar për grusht shtet më 2016 kundër Qeverisë së presidentit, Recep Tayyip Erdogan.

Gjithsej 497 të pandehur ishin gjykuar që nga viti 2017 rreth tentimit për zaptimin e shtabit të përgjithshëm ushtarak në Ankara, okupimin e selisë së transmetuesit shtetëror TRT dhe detyrimin e moderatores televizive për ta lexuar deklaratën në emër të organizatorëve të puçit.

Procesi masiv ishte njëri prej qindra gjykimeve kundër pjesëtarëve të dyshuar të rrjetit të udhëhequr nga imami me qëndrim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për orkestrimin e puçit të përmbysur.

Guleni, dikur aleat i Erdoganit, i ka hedhur poshtë akuzat.

Gjykata në periferi të kryeqytetit Ankara ka dënuar 36 të akuzuar me burgim të përjetshëm, përfshirë gjashtë syresh, të cilëve u është shqiptuar dënimi i parevokueshëm i burgimit të përjetshëm, që sipas ligjeve turke e përjashton mundësinë për ankesë, ka raportuar agjencia turke e lajmeve “Anadolu”. Mes të dënuarve me burgimin e përjetshëm të parevokueshëm janë një ish-lejtënantkolonel, i cili e kishte detyruar moderatoren televizive që ta lexonte deklaratën, një ish-kolonel i akuzuar për urdhërimin e zaptimit të ndërtesës së TRT-së dhe ish-majori që kishte udhëhequr ekipin që kishte tentuar të merrte nën kontroll shtabin e përgjithshëm të ushtrisë, ka njoftuar agjencia.

Gjykata ka dënuar një person me 61 vjet burgim, derisa 106 të pandehur të tjerë janë dënuar me gjashtë deri në 16 vjet heqje lirie. Të pandehurit e tjerë ose janë shfajësuar, ose nuk u janë shqiptuar dënime me burgim.

Në natën e 15 korrikut të 2016-s, fraksione përbrenda ushtrisë turke kanë përdorur tanke, aeroplanë luftarakë dhe helikopterë në përpjekjen për ta rrëzuar nga pushteti Erdoganin. Aeroplanët luftëtarë kishin bombarduar ndërtesën e Parlamentit dhe caqe të tjera në kryeqytet.

Pas një adresimi telefonik të presidentit nëpërmjet “Facetime”, me mijëra qytetarë vërshuan rrugët për ta ndalur puçin.

Gjithsej 251 persona ishin vrarë dhe rreth 2.200 të tjerë ishin lënduar në ngjarjet midis 15 dhe 16 korrikut. Edhe 35 komplotistë të pretenduar të grusht shtetit ishin vrarë gjithashtu.

Qeveria ka kateforizuar rrjetin e Gulenit si grup terrorist, në një tjetër akuzë të cilin imami në ekzil e ka mohuar. Që nga tentim puçi, Qeveria e Erdoganit ka ndërmarrë masa të ashpra të shtypjes, duke shkarkuar nga vendet e punës dhe duke i arrestuar me mijëra persona të dyshuar për lidhje me Gulenin, në një veprim të kritikuar nga Perëndimi.