Botë

Erdogani akuzon admiralët e arrestuar për “puç politik”

“Detyrë e admiralëve të pensionuar – 104 prej të cilëve janë bashkuar – është që të mos publikojnë deklarata që aludojnë në një puç politik”, ka thënë Erdogani të hënën. “Është e papranueshme në çfarëdo rrethane që 104 admiralët e pensionuar bëjnë një përpjekje të tillë në mes të natës në një vend, historia e të cilit është përplot me puçe dhe memorandume. Nuk mund ta quajmë këtë liri të shprehjes”

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të hënën se deklarata e ish-admiralëve që paralajmëron se planet e tij për ndërtimin e një kanali të ri në Stamboll e vë në rrezik ujdinë detare të Konventës së Montreuxit përbën aludim për “puç politik”, ndonëse ka siguruar se vazhdon që të jetë i përkushtuar për paktin.

Autoritetet turke kanë arrestuar më herët gjatë së hënës dhjetë admiralë të pensionuar dhe kanë urdhëruar katër të tjerë që të paraqiten në polici shkaku i nënshkrimit të deklaratës, e cila e mbështet marrëveshjen detare 85-vjeçare që e qeveris përdorimin e ngushticave të Bosforit dhe Dardaneleve. Arrestimet janë ndërmarrë me justifikimin se nënshkrimi i deklaratës përbën konspiracion kundër rendit kushtetues.

Zyrtarët kanë pretenduar se deklarata e tyre, e nënshkruar nga më shumë se 100 ish-pjesëtarë të rangut të lartë ushtarak, përbën sfidë të drejtpërdrejtë për qeverinë civile dhe rikujton të shkuarën e intervenimeve ushtarake. Të dyshuarit janë arrestuar në shtëpitë e tyre në Ankara, Stamboll dhe Kocaeli, dhe më pas janë marrë në pyetje nga zyra e prokurorit kryesor në kryeqytet.

“Detyrë e admiralëve të pensionuar – 104 prej të cilëve janë bashkuar – është që të mos publikojnë deklarata që aludojnë në një puç politik”, ka thënë Erdogani të hënën. “Është e papranueshme në çfarëdo rrethane që 104 admiralët e pensionuar bëjnë një përpjekje të tillë në mes të natës në një vend, historia e të cilit është përplot me puçe dhe memorandume. Nuk mund ta quajmë këtë liri të shprehjes”.

Ushtria turke ka ndërmarrë tri puçe midis viteve 1960-1980 dhe, me anë të një deklarate të Këshillit të Sigurisë Kombëtare ka ushtruar presion për rrëzimin e qeverisë së parë islamike më 1997. Puçi i fundit ishte tentuar të ndërmerrej në vitin 2016.

Zyrtarët kanë miratuar gjatë muajit të shkuar një projekt për zhvillimin e shtegut të ri 45 kilometërsh për kalimin e anijeve – në atë që do të lidhë Detin e Zi dhe Mesdheun – të krahasueshëm në kanalet e Panamasë dhe Suezit, por iniciativa ka ngritur pikëpyetje të shumta rreth përkushtimit të Turqisë për Konventën e Montreuxit. Marrëveshja e 1936-s ka për synim demilitarizimin e Detit të Zi, duke i përcaktuar rregullat e prera komerciale dhe detare të kalimit nëpërmjet ngushticës së Bosforit dhe asaj të Dardaneve që shpien drejt Mesdheut.

Admiralët e pensionuar kanë shprehur drojën se ndërtimi i kanalit të ri do të rezultonte më braktisjen e traktatit nga ana e Turqisë, në atë që do ta zemëronte Rusinë dhe do ta rrezikonte neutralitetin e një rajoni të brishtë.

“Jemi të mendimit se duhet përmbajtur nga çfarëdo lloj retorike apo veprimi që do të mund ta shndërronte Konventën e Montreuxit... në një çështje kundërthënies”, kanë pretenduar admiralët.

Agjencia shtetërore turke e lajmeve “Anadolu” ka raportuar se mes admiralëve të arrestuar është Cem Gurdeniz, emri që fshihet prapa doktrinës kundërthënëse turke “Atdheu i kaltër”, nën të cilën shprehet pretendimi për pjesët më të mëdha të rajoneve të Mesdheut dhe Egjeut si dhe të depozitave energjetike të tyre. Koncepti është në kundërshti me pretendimet e Greqisë dhe Qipros për rajonet.

Deklarata është nënshkruar midis një debati të thelluar rreth asaj nëse Erdogani, i cili ka tërhequr Turqinë gjatë muajit të shkuar nga konventa ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të grave, do të synonte po ashtu tërheqjen e vendit nga Konventa e 1936-s në Montreux, e cila e rregullon kalimin në ngushtica, si dhe nga traktatet e tjera ndërkombëtare.

Duke folur lidhur me deklaratën, ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ish-shef i stafit ushtarak, ka thënë se ajo nuk i shërben asnjë synimi tjetër përpos “dëmtimit të demokracisë së Turqisë, thyerjes së moralit të personelit të Forcave të Armatosura të Turqisë dhe për t’i kënaqur armiqtë”.