Botë

Italia lë anash të moshuarit, vaksinon profesionistët e rinj

Të moshuarit në Toskanë të habitur dhe me indinjatë shikonin teksa para tyre vaksinoheshin avokatë, gjyqtarë, profesorë dhe profesionistë të tjerë, shumë më të rinj në moshë. Vaksinimi i tyre bëhej pavarësisht zotimeve të qeverisë për t’u dhënë përparësi qytetarëve të moshuar italianë. Madje, edhe fëmijët e rritur vaksinoheshin para prindërve të moshuar.

Sipas një vlerësimi, dështimi për të vaksinuar personat mbi moshën 80-vjeçare dhe ata me shëndet të dobët, ka kushtuar mijëra frymë në shtetin me popullsinë më të vjetër në Evropës, duke u bërë shteti i dytë evropian që ka numrin më të lartë të vdekjeve nga pandemia e koronavirusit.

Teksa të moshuarit ishin lënë anash, një numër i madh i personaliteteve të njohura në Toskanë, nisi një letër për autoritetet, duke ua tërhequr vërejtjen se po bënin shkelje të rëndë të të drejtave për kujdes shëndetësor, të siguruara me Kushtetutën e Italisë.

“E pyetëm veten se cila ishte arsyeja e kësaj pabarazie?”, thotë nënshkruesi i letrës, Enzo Cheli, gjykatës i pensionuar i Kushtetueses. Fiks pas një muaji mbush 87 vjet. Muaji mars po kalonte dhe ai ende nuk ishte vaksinuar, teksa bëheshin tre muaj që prej nisjes së fushatës së vaksinimit në Itali.

“Letra erdhi nga ideja se po bëheshin shumë gabimi dhe abuzime”, thotë Cheli nga shtëpia e tij në afërsi të qytetit Siena. Ai konfirmoi se kanë nisur hetimet në Toksanë dhe rajone tjera se përse profesionistët kanë përparësi në vaksinim.

Ata mbi moshën 80-vjeçare në Toskanë kanë nivelin më të ulët të vaksinimit në shkallë vendi.

Një tjetër nënshkrues ishte karikaturisti 85-vjeçar Emilio Giannelli. Ende nuk është vaksinuar, por i biri i tij avokat, e ka marrë njërën dozë.

Një karikaturë e Giannellit u publikua në ballinën e gazetës “Corriere della Sera”. Në këtë karikaturë paraqitej një riosh me xhaketë biznesi teksa shkelmonte të moshuarin e mbështetur që priste në radhë për vaksinim.

Grupet e ndikimit

Në një vend ku shumë qytetarë kanë mësuar të mos llogarisin në qeveri shpesh me ndikim të dobët kombëtar, ndikimi më i madh është bërë nga grupe të ndikimit që shpesh cilësohen si “kasta”.

Kryeministri Mario Draghi e ka dënuar një “ndikim të tillë kontraktual”, duke thënë gjatë muajit mars se “linja themelore është nevoja për të vaksinuar njerëzit me shëndete të dobët dhe ata mbi moshën 80-vjeçare”. Qeveria e tij këmbëngul që vaksinimi të vazhdojë sipas moshës, duke përjashtuar punonjësit e shkollave, universiteteve, forcat e sigurisë, personeli i burgut dhe të burgosurit dhe ata në banesat komunale.

Sipas një llogaritje nga institucioni studimor ISPI, vaksinimi i italianëve të rinj kushtoi me 6 mijë e 500 jetë që prej mesit të janarit deri në mars, periudhë në të cilën vdiqën gati 28 mijë njerëz.

Studiuesi i ISPI-së, Matteo Villa thotë se çfarëdo vendimi për të vaksinuar profesionistët jo-shëndetësor, duhet kufizuar vetëm për ata mbi moshën 50-vjeçare.

“Nëse u japim 100 vaksina personave mbi 90 vjeç, shpëtojmë 13 jetë”, thotë Villa teksa përmend nivelet e vdekshmërisë. “Por duhen 100 mijë vaksina për personat nga 20 deri në 29 vjet, me qëllim që të shpëtohet vetëm një jetë”.

Mosha mesatare e vdekjeve nga pandemia në Itali është 81 vjet.

Gjatë gjithë pandemisë, italianët e moshuar kanë përbërë pjesën më të madhe të vdekjeve, dhe jo vetëm në Toskanë. Pak para se Draghi të binte alarmin për grupet e lobimit, gazetarët në rajonin e vogël të Molise po bëheshin gati për t’u vaksinuar. Në Lombardi, veterinerët patën përparësi në vaksinim. Në Campania, rajonin që përfshin Napolin, punëtorët e barnatoreve u vaksinuan para të moshuarve.

Gabimet e shtetit

Udhëheqësit rajonalë fajësojnë vonesat e shpërndarjes së vaksinave. Ata pretendojnë se procesi i vaksinimit i nisur nga qeveria e mëparshme hapi derën për grupet e lobimit.

Rajone si Lazio, që përfshin Romën, i rezistuan presionit të grupeve të lobimit. Deri në fund të marsit, gati 64 për qind e 80-vjeçarëve morën të paktën një dozë të vaksinës në Lazio, krahasuar me 40 për qind në Toskanë.

Duke folur për njerëzit me shëndet të dobët të shoqërisë, guvernatori i Lazios, Nicola Zingaretti, thotë se “është e vërtetë që të gjithë rrezikohen nga Covid-19, por dallimi është se të moshuarit i përkasin grupit që në rast se infektohen, rrezikojnë të vdesin sesa grupmoshat tjera”.

Nga 4.4 milionë banorë të moshën 80-vjeçare në Itali, vetëm 29 për qind e tyre janë vaksinuar, ndërkaq 27 për qind deri në fund të marsit ishin të vaksinuar me një dozë.

Kjo krahasohet me 95% të asaj grupmoshe në Maltë që ka marrë të paktën një dozë dhe 85% në Finlandë, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Itali.

Në Britani, ku fillimi i vaksinave filloi afërsisht një muaj para BE-së, shumica e të moshuarve mbi 50 vjeç kanë marrë të paktën një dozë.

Zyrtarja e GIMBE-së, Renata Gili lidhi pjesën më të madhe të performancës së Italisë me aftësi të ndryshme organizative si dhe “tejkalimin e autonomisë në rajone në zgjedhjen e kategorive me prioritet për vaksinim”.

Disa grupe lobuese nuk po tërhiqen. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, që përfaqëson shumicën e më shumë se 9 mijë e 600 gjyqtarëve të Italisë, kërcënoi se do të ngadalësojë sistemin gjyqësor nëse gjykatësit nuk kanë përparësi në vaksinim. Të enjten, lobi i turizmit kërkoi vaksina për punëtorët e saj, duke i përshkruar ato si thelbësore për rimëkëmbjen e vendit.

Të premten, zyrtari i lartë i Ministrisë së Shëndetësisë, Giovanni Rezza, u përpoq të ndërpresë çdo betejë të grupeve lobuese për t’u dhënë përparësi në vaksinim.

“Kishte një betejë midis kategorive që të jenë prioritet për vaksinim”, tha Rezza kur u pyet nëse punonjësit e dyqaneve të mëdha ushqimore duhet të marrin statusin e veçantë dhe të vaksinohen. “Ne thamë: ‘T’i vaksinojmë mësuesit, forcat e sigurisë, por të mos kemi më kategori’. Ne thjesht duhet të përdorim kriteret e moshës”.

Gjenerali i ushtrisë që u përgjua muajin e kaluar nga kryeministri Draghi për të tronditur fushatën e vaksinimit, pranon problemet e shumta në vaksinim.

“A po shkon gjithçka mirë? Jo”, tha gjenerali Francesco Figliuolo.

Deri më tani nuk dihet se sa njerëz me prioritet morën vaksinat. Zyra e komisionit shëndetësor të Toskanës deklaroi që para se Draghi të tërhiqte grupet speciale të interesit, 10 mijë e 319 avokatë, gjykatës, nëpunës të gjykatave dhe personeli veçse kishin marrë nga një dozë të vaksinës në Toskanë.

Lejimi i avokatëve dhe të tjerëve që të kenë qasje të shpejtë në vaksina është “një problem dhe të gjithë janë të irrituar për këtë”, thotë Nathan Levi, tregtar në Firence që në muajin maj mbush 83 vjet. Ai ende po pret për vaksinim. “Kjo është Italia. Vetëm njerëzit që bëjnë presion, mund të ngrihen në listë”.

Fushatë e dobët

Nga 10.6 milionë doza të administruara deri më tani në Itali, rreth 1.6 milion shkuan te njerëzit e kategorizuar si “të tjerë”, duke bërë që disa politikanë të kërkojnë të dinë se kush janë këta “të tjerët”. Kur u mor në pyetje, zyra e Figliuolo pranoi se nuk ka ide dhe deklaroi se po kërkonte për detaje specifike.

Italianët në të 70-at e tyre, të cilët janë kryesisht jashtë fuqisë punëtore, ende po presin për vaksinim. Deri më 31 mars, vetëm 8% e tyre kanë marrë dozën e parë dhe më pak se 2 për qind edhe dozën e dytë.

Pastaj ka njerëz me shëndet të brishtë, të cilët janë prioritet në listën e qeverisë italiane.

“Situata për 'të brishtët' është një pasiguri e madhe”, thotë Francesca Lorenzi, avokate 48-vjeçare në Milano që vuan nga kanceri i gjirit. Ajo vuri në dukje se nëse pacientët me kancer kanë përfunduar terapinë më shumë se gjashtë muaj më parë, ata nuk konsiderohen më “shëndetligë”.

“Ndërkohë, me vaksinat e Pfizerit u vaksinuan 60-vjeçarët me shëndet të mirë, por ata kishin kontrata universitare. Nuk e kuptoj pse një profesor universiteti ose një avokat duhet të vaksinohen para të tjerëve”, thotë ajo.