Botë

“Lutej për jetën”: Dëshmia e vajzës që xhiroi momentet e fundit të Floydit

Gjatë dëshmimit të saj, Darnella Frazier (18) e përlotur, ka thënë se Chauvini vazhdonte ta shtypte gjurin e tij mbi Floydin dhe se polici tjetër, Tou Thao, po e kontrollonte turmën, madje edhe pasi që një nga kalimtarët kishte thënë të ishte zjarrfikëse dhe e përgjëronte vazhdimisht t’ia kontrollonte pulsin Floydit

Tinejxherja nga Minneapolisi, e cila e xhiroi me celular arrestimin e George Floydit nga Derek Chauvini, në rastin që kishte nxitur protesta mbarëbotërore, ka nisur të qante, teksa iu treguan pamje të këtij xhirimi, në gjykimin e së martës për vrasje të ish-policit. Prokurorët kanë nisur me paraqitjen e rastit të tyre, duke i ftuar për të dëshmuar disa persona që e kishin parë arrestimin e 25 majit të 2020-s: një punonjës në qendrën e thirrjeve të emergjencës në Minneapolis; një rioshe që punonte në pompën e benzinës matanë rrugës; si dhe një sportist të arteve luftarake, kalimtar rasti.

Gjatë dëshmimit, prokurorët kanë shfaqur në gjykatore xhirime të arrestimit, të bëra nga disa kënde, përfshirë xhirimin e tinejxheres që shfaq Chauvinin duke e shtypur gjurin e tij mbi qafën e Floydit, afrikano-amerikanit 46-vjeçar, për rreth nëntë minuta.

Pamja, që sipas prokurorëve dëshmon përdorimin e tepërt të forcës, kishte tmerruar njerëzit në tërë botën dhe kishte qenë sebep për njërën prej lëvizjeve më të mëdha protestuese në SHBA të dekadave të fundit. Shumica i janë referuar vdekjes së Floydit si shembull brutaliteti që përdoret në mënyrë rutinore nga policët amerikanë ndaj njerëzve me ngjyrë.

Gjatë dëshmimit të saj, Darnella Frazier (18) e përlotur, ka thënë se Chauvini vazhdonte ta shtypte gjurin e tij mbi Floydin dhe se polici tjetër, Tou Thao, po e kontrollonte turmën, madje edhe pasi që një nga kalimtarët kishte thënë të ishte zjarrfikëse dhe e përgjëronte vazhdimisht t’ia kontrollonte pulsin Floydit.

“Ne të gjithë u tërhoqëm”, ka deklaruar Frazer në gjykatore. Duke folur për Chauvinin, ajo ka thënë: “Ai na i kishte ngulur sytë, po na shikonte. Kishte një shikim të acartë. Nuk qante kokën. Dukej sikur nuk mërzitej se çfarë thoshim. E ai lutej për jetën”.

Vdekja e Floydit, gjatë majit të vitit të kaluar, bashkë me xhirimin e këtij afro-amerikani që thoshte se nuk po mundet të marrë frymë dhe kalimtarëve që i bërtisnin me zemërim policit të bardhë që ta lëshonte, ka nxitur protesta herë pas here të dhunshme në mbarë botën, duke e aktivizuar njëkohësisht debatin rreth racizmit dhe brutalitetit policor në SHBA.

Frazier dëshmoi se ajo kishte nisur të xhironte pasi që “diçka nuk shkonte si duhej, ai po vuante, kishte dhimbje”.

Ajo ka thënë se e kishte futur në shitore familjaren e saj nëntëvjeçare, në mënyrë që fëmija të mos e shihte se çfarë po ndodhte, pra të mos e shihte “një njeri të tmerruar, që përgjërohej t’ia kursenin jetën”.

Frazier mezi që po ngihej frymë dhe po qante, teksa i shikonte fotografitë e Chauvinit, duke shtrënguar gjurin mbi qafën e Floydit dhe pasi që prokurori i kërkoi t’ia shpjegonte se si tërë kjo ngjarje ia kishte ndryshuar jetën.

“Zgjohem në mes të natës dhe i kërkoj falje George Floydit që nuk bëra më shumë... që nuk ia shpëtova jetën”, ka thënë ajo, duke shtuar megjithatë se “ nuk është esenca tek ajo se çfarë është dashur unë të bëj; por tek ajo se çfarë është dashur ai (Chauvini) të bëjë”.

Procesi gjyqësor për rastin që kishte ndodhur në majin e vitit të kaluar dhe kishte nxitur protesta jo vetëm në SHBA, por edhe në pjesë të tjera të botës në atë që nxiti revoltim kundër brutalitetit dhe racizmit policor, do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.

Polici 45-vjeçar, i cili menjëherë pas rastit është shkarkuar nga detyra, përballet me akuza për vrasje dhe vrasje pa paramendim, dhe mund të dënohet deri në 40 vjet burgim. Kurse tre policët e tjerë të pranishëm në incident do të gjykohen, po ashtu, gjatë këtij viti.