Izraeli dhe Irani për vite të tëra kanë zhvilluar një betejë klandestine në Lindjen e Mesme, si nga toka ashtu edhe qielli. Tani, anijet e tyre po sulmohen në Detet Mesdhe dhe të Kuq
Dielli po lindte në një mëngjes të kthjellët Mesdheu, kur ekuipazhi i një anijeje mallrash iraniane dëgjoi një shpërthim. Anija Shahr e Kord ishte rreth 50 milje detare larg brigjeve të Izraelit dhe nga kulla u vërejt një re tymi që ngrihej nga qindra kontejnerë të grumbulluar në kuvertë.
Kompania shtetërore iraniane e transportit njoftoi se anija po shkonte drejt Spanjës teksa shpërthimin e cilësoi si “akt terrorist”.
Por sulmi ndaj Shahr e Kord këtë muaj ishte vetëm një nga dëmet e vogla në një konflikt në hije që ekzistonte mes Izraelit dhe Iranit. Një zyrtar izraelit ka thënë për gazetën prestigjioze amerikane “The New York Times” se sulmi ishte hakmarrje për një sulm iranian në një anije mallrash izraelite gjatë muajit shkurt.
Që prej vitit 2019, Izraeli ka sulmuar anijet që transportojnë naftë dhe armë iraniane nëpërmjet Mesdheut lindor dhe Detit të Kuq. Kështu nisi një front i ri detar karshi luftës rajonale që më parë ishte zhvilluar nga toka dhe qielli.
Irani duket se është përgjigjur në heshtje me sulmet e veta klandestine. Sulmi i fundit u zhvillua pasditen e së enjtes, kur anija izraelite “Lori” u godit nga një raketë iraniane në Detin Arabik, ka njoftuar një zyrtar izraelit. Nuk u raportua për viktima ose dëme të konsiderueshme.
Fushata e Izraelit
Fushata izraelite, e konfirmuar nga amerikanët, izraelitët dhe iranianët, është shndërruar në një ndërlidhje mes përpjekjeve të Izraelit për të frenuar ndikimin ushtarak të Iranit në Lindjen e Mesme dhe për të penguar përpjekjet iraniane për të anashkaluar sanksionet amerikane në industrinë e saj të naftës.
“New York Times” ka paralajmëruar se zgjerimi i konfliktit rrezikon përshkallëzimin e asaj që ka qenë relativisht e kufizuar, dhe kjo ndërlikon më tej përpjekjet nga administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, për të bindur Iranin që të rivendosë kufijtë në programin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve.
“Kjo është një luftë plotësisht e ftohtë që rrezikon të nxehet edhe më shumë e vetëm një gabim”, ka thënë për gazetën Ali Vaez, drejtor i programit iranian në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, organizatë kjo kërkimore me seli në Bruksel. “Jemi ende në një spirale shkallëzuese që rrezikon të dalë jashtë kontrollit”.
Që nga 2019-a, komandat izraelite kanë sulmuar të paktën 10 anije që mbanin ngarkesa iraniane, vlerësojnë një zyrtar amerikan dhe një ish-zyrtar i lartë izraelit. Numri i vërtetë i anijeve të sulmuara mund të jetë më i lartë se 20, ka theksuar zyrtari i Ministrisë iraniane të Naftës. Sulmet izraelite u raportuan së pari nga “The Wall Street Journal”.
Shumica e anijeve mbanin karburant nga Irani që do të dërgohej tek aleatja e saj Siria. Dy të tjera ishin të ngarkuara me pajisje ushtarake, kanë vlerësuar zyrtarët amerikanë dhe izraelitë. Zyrtarë të tjerë thanë se anija “Shahr e Kord” kishte të ngarkuara pajisje ushtarake”. Të gjitha po shkonin drejt Sirisë. Qeveria izraelite nuk pranoi të komentonte.
Kundërpërgjigjja iraniane
Shkalla e dëmeve të shkaktuara nga Irani ende është e paqartë. Shumica e sulmeve kryhen në mënyrë të fshehtë dhe pa pretendime publike për përgjegjësi.
Anija izraelite “Helios Ray”, e sulmuar muajin e kaluar ishte një transportues makinash. Në momentin e sulmit po transportonte mijëra automjete gjermane drejt Kinës.
Teksa anija i ra rrotull ngushticës së Hormuzit, kalim i ngushtë në brigjet e Iranit, një anije e shpejtë që po u binte gjurmëve të saj, nisi të përshpejtohej dhe u bë dy me anijen izraelite. Komandot vendosën dy eksplozivë një metër mbi ujë, tha një person që ishte pjesë e hetimeve. Njëzet minuta më vonë eksplozivët krijuan dy vrima në anije.
Disa cisterna u sulmuan në mënyrë të ngjashme në Detin e Kuq vjeshtën dhe dimrin e kaluar, veprime për të cilat disa zyrtarë izraelitë fajësuan rebelët houthi të Jemenit që mbështeten nga Irani.
Irani ka mohuar përfshirjen në të gjitha këto sulme të cilat, ashtu si ato izraelite, duket se nuk synonin të fundosnin anijet, por të dërgonin një mesazh.
“Luftë me dritat fikur”
“Ju na sulmoni këtu, ne do t'ju sulmojmë atje”, tha Gheis Ghoreishi, një analist politik, ish-këshilltar në Ministrinë e Jashtme të Iranit për çështjet e Lindjes së Mesme. “Irani dhe Izraeli luftën e tyre nën hije e kanë sjellë në ujërat e hapur”.
Lufta e gjatë në hije midis Izraelit dhe Iranit është përshpejtuar në vitet e fundit. Irani ka armatosur dhe financuar milicitë në të gjithë rajonin, veçanërisht në Siri, Irak, Jemen, Gaza dhe Liban, ku mbështet Hezbollahun, një milici shiite dhe një lëvizje politike. Armik i moçëm i Izraelit.
Izraeli është përpjekur të kundërshtojë fuqinë e Iranit duke nisur sulme të rregullta ajrore dhe tokësore ndaj dërgesave të arëve dhe ngarkesave të tjera në drejtim të Sirisë dhe Libanit. Këto sulme i kanë bërë rrugët më të rrezikshme dhe kanë zhvendosur në dete transportin e armëve dhe konfliktin.
Izraeli gjithashtu ka kërkuar të minojë programin bërthamor të Iranit përmes atentateve dhe sabotimeve në tokën iraniane. Dy palët akuzohen për sulme kibernetike, përfshirë sulmin e dështuar iranian në një sistem ujor komunal të Izraelit gjatë prillit të shkuar dhe një sulm hakmarrës izraelit në një port të madh iranian.
Forca Kuds e Iranit u fajësua për një bombë që shpërtheu pranë ambasadës së Izraelit në New Delhi të Indisë gjatë muajit janar. 15 militantë të lidhur me Iranin u arrestuan muajin e kaluar në Etiopi për komplot mbi caqet izraelite, amerikane dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe.
“As Izraeli dhe Irani nuk duan të marrin përsipër publikisht përgjegjësinë për sulmet, sepse bërja publike do të ishte një akt lufte me pasoja ushtarake”, tha një analist ushtarak i lidhur me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit për “The New York Times” në një diskutim në Clubhouse te enjten. “Por sulmet kundër anijeve në këtë nivel nuk mund të ndodhin pa një shtet prapa tij”. “Ne jemi në luftë, por me drita të fikura”, shtoi ai.

Ndërhyrja amerikane
Dinamika, sipas gazetës, i ndërlikon përpjekjet tashmë të mbingarkuara nga administrata Biden për të rindërtuar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 që vendosi kufizime në programin e pasurimit bërthamor të Iranit, në këmbim të lehtësimeve të sanksioneve. Presidenti Donald J. Trump u tërhoq nga marrëveshja në 2018, duke rivendosur sanksionet dhe duke vendosur një sërë sanksionesh të reja.
Analistët thonë se Irani dëshiron të vazhdojë të gjilpërojë Izraelin dhe të armatosë dhe mbështesë aleatët e tij në Lindjen e Mesme, të dy për të rrethuar Izraelin me përfaqësues të armatosur mirë dhe për t'i dhënë Iranit një dorë më të fortë në çdo negociatë të ardhshme bërthamore.
“Lidershipi i Izraelit beson se marrëveshja e mëparshme bërthamore ishte e pamjaftueshme dhe do të donte të shkatërronte çdo shans për të ringjallur një pakt të ngjashëm”, ka shkruar “NYT”.
Një zyrtar izraelit ka theksuar se sulmet ishin pjesë e një strategjie më të gjerë për të detyruar Teheranin që të binte dakord për kufizimet e ashpra dhe të gjata ndaj ambicieve të saja bërthamore, si dhe kufizime në programin e saj të raketave balistike dhe mbështetjen për milicitë rajonale.
Kjo fushatë, për të cilën raportoi më parë “The Times”, përfshinte gjithashtu një sulm izraelit në një vend të madh bërthamor iranian në korrik dhe vrasjen e shkencëtarit më të lartë bërthamor të Iranit gjatë nëntorit të kaluar. Izraeli nuk e ka pranuar asnjërin operacion.
Ofensiva izraelite kundër anijeve iraniane ka dy qëllime, thanë analistët dhe zyrtarët. E para është parandalimi i Teheranit nga dërgimi i pajisjeve në Liban për të ndihmuar Hezbollahun të ndërtojë një program raketash precize, të cilin Izraeli e konsideron si një kërcënim strategjik.
E dyta është të thahet një burim i rëndësishëm i të ardhurave nga nafta për Teheranin, duke u mbështetur në presionin që kanë bërë sanksionet amerikane. Pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj industrisë së karburantit të Iranit në fund të vitit 2018, Qeveria iraniane u bë më e varur nga transporti klandestin.
Zyrtarët izraelitë thanë se dy prej anijeve që sulmoi po transportonin pajisje për programin e raketave të Hezbollahut.
Njëra, thanë zyrtarët izraelitë, mbante një mikser planetar industrial, një pajisje e përdorur për të bërë karburant të ngurtë për raketat. Pajisja ishte menduar të zëvendësonte një mikser të vjetër që u shkatërrua në një sulm ajror izraelit në Bejrut në gushtin e vitit 2019.
Sulmet e mëparshme ajrore izraelite në kolonat dhe ngarkesat iraniane në Siri synuan gjithashtu pajisjet për të bërë raketa të drejtuara. Cisternat në shënjestër të Izraelit po mbartnin naftë iraniane në Siri, duke kundërshtuar sanksionet amerikane dhe me shumë mundësi me vlerë qindra miliona dollarë. Zyrtarët izraelitë thanë se Siria e pagoi Iranin ose i ofroi ndihmë logjistike për anëtarët me bazë siriane të Forcave Quds të Iranit, një degë e Gardave Revolucionare dhe për Hezbollahun.
Sulmet izraelite janë “një mënyrë për të parandaluar Iranin nga shitja në Siri dhe marrja e parave dhe bartja e tyre te Hezbollahu”, tha Sima Shine, një ish-shef i hetimeve në Mossad, agjenci izraelite e inteligjencës.
Bombat “sinjalizuese”
“Sulmet zakonisht përmbajnë mina me gurë dhe ndonjëherë silur, tha zyrtari amerikan. Me këto sulme në përgjithësi synohen motorët ose helikat e anijeve, tha një zyrtar izraelit. Dhe ata kanë për qëllim të gjymtojnë, por jo të fundosin anijet”, thanë zyrtarët amerikanë dhe izraelitë, të cituar nga gazeta amerikane.
Sulmet u përshkallëzuan në fund të vitit 2020, kur po afronte fundi i mandatit të Trumpit. Si përgjigje, Gardat Revolucionare të Iranit filluan të shoqëronin në mënyrë diskrete tankerët përmes Detit të Kuq, përpara se anijet nga Rusia, aleaten e Iranit, t'i shoqëronin në një distancë përmes Mesdheut, tha zyrtari amerikan. Sulmi ndaj Shahr e Kord ndodhi kur shoqëruesi rus ishte mjaft larg për t’i kundërpërgjigjur izraelitët, shtoi zyrtari.
Efektiviteti i fushatës izraelite është i paqartë. Disa nga anijet e sulmuara u detyruan të ktheheshin në Iran pa dorëzuar ngarkesat e tyre, tha zyrtari amerikan.
Iranianët e lidhur me Ministrinë Iraniane të Naftës thanë se në të gjitha rastet anijet pësuan dëme të vogla, ekuipazhi nuk u lëndua dhe riparimet u kryen brenda disa ditësh.
Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë thanë se nuk kishte asnjë lidhje midis fushatës izraelite dhe rrjedhjes së naftës në plazhet e Izraelit dhe Libanit.
Brenda Izraelit ekziston shqetësimi midis ekspertëve detarë se kostoja e një lufte në det mund të tejkalojë përfitimet e saj.
Ndërsa Marina e Izraelit mund ta bëjë që të ndihet prania e saj në Mesdhe dhe Detin e Kuq, ajo është më pak efektive në ujërat më afër Iranit. Dhe kjo mund t’i bëjë anijet në pronësi të Izraelit më të prekshme nga sulmet iraniane ndërsa kalojnë brigjet perëndimore të Iranit gjatë rrugës për në portet e Gjirit, tha Shaul Chorev, admiral i pensionuar izraelit që tani kryeson Qendrën e Studimit të Politikave Detare dhe Strategjisë në Universitetin e Haifas.
“Interesat strategjike izraelite në Gjirin Persik dhe rrugët ujore të lidhura, padyshim do të rriten” shkroi ai, “dhe Marina e Izraelit nuk ka aftësitë për të mbrojtur këto interesa”.