Botë

Sfida e raportimit për burgjet sekrete të talebanëve

Udhëtimi nëpër vendet ku ndodheshin burgjet sekrete të militantëve talebanë shpaloset nga gazetari hulumtues Adam Nossiter. “Të pazakonshëm” ka diçka që e hasi gjatë hulumtimeve: një përqafim

Gazetari i “New York Times”, Adam Nossiter, kishte vërejtur diçka të pazakonshme në një raport të organizatës “Human Rights Watch”, derisa po lexonte dokumentimin për gjendjen në Afganistanin e zhytur në kaos prej vitit 2001.

“Talebanët kanë shumë burgje sekrete”, të cilët nuk i pranojnë se ekzistojnë”, shkruante në raportin dokumentues të organizatës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Dhe pikërisht kjo fjali do të bëhej shkas që Nossiter të ndante mendjen që t’i shkonte deri në fund zbardhjes së këtyre burgjeve, ka përshkruar vetë Nossiter në rrëfimin në veten e parë, në rubrikën “Times Insider”.

Ai e shihte këtë mënyrë të funksionimit të militantëve talebanë si formë paralele të drejtimit të vendit, që ka qeveri civile, por që nuk po arrin assesi të shtrijë dorën e shtetit në të gjithë cepat e vendit të trazuar prej ndërhyrjes amerikane rreth njëzet vjet më parë.

Vdekja e ngadalshme

Nossiter thotë se nga Afganistani ishte raportuar gjerësisht për shpërthime bombash e vrasje masive. “Por në këto burgje ishte një element i pavërejtur në fushatën e terrorit të Talebanit: rrjet i pabujshëm që po kryente drejtësinë arbitrarisht dhe po ndëshkonte qytetarët të cilët konsideroheshin armiq të grupit”, rrëfen ai.

Nossiter ishte shef i redaksisë së gazetës njujorkeze në Kabul. Ai kishte nisur punën me synimin për të spikatur torturat fizike të militantëve kundër qytetarëve të pafajshëm. Ekipi do të merrte udhë në drejtim të pjesës veriore në krahinën Badakhshan, duke dëgjuar e dokumentuar rrëfimet e rrahjeve, privimit të bukës, dëshpërimit dhe traumës së vazhdueshme. Por kishte një intervistë që nuk do të harrojë kurrë Nossiter.

“Një burrë me dinjitet, rreth gjashtëdhjetë vjeç, plak, sipas standardeve afgane, më tha se kishte parë me sytë e vet derisa talebanët ia rrahën ngadalë deri në vdekje të birin 32 vjeç, Nasrullah, oficer ushtrie, në njërin prej burgjeve të tyre”, shkruan gazetari amerikan.

Babait Malik Mohammadi i ishte lejuar vetëm tri herë për nëntë ditë ta shihte të birin. Ia kishin lënë pa bukë e ilaçe, edhe pse vuante nga epilepsia. Ia kishin rrahur në mënyrë sistematike. Krejt tmerri ishte ushtruar në një shtëpi të braktisur.

“E lidhën me zinxhir për një shtylle. Ia kishin shtrënguar fort zinxhirin për duar e këmbë. Po vdiste ngadalë”, do t’i rrëfente Mohammadi.

Nasrullahi kishte dhënë shpirt në ditën e dhjetë të mbajtjes në burgun sekret.

Tmerri i “luginës së vdekjes”

“Kjo dëshmi e dhimbshme, që do ta shkruaja në shkurt, u prit me gjakftohtësi. Mohammadi nuk u mundua të fitonte simpatinë time. Ai thjesht donte që të dëshmohej çfarë i kishte ndodhur të birit”, thekson Nossiter për gazetën ku punon.

Pavarësisht se çfarë mund t’u ketë dëshmuar Nasrullahu, do të torturohej deri në vdekje, ngulmon babai i tij.

Nossiter thotë se nuk kishte kryer kurrfarë pune të jashtëzakonshme, pos që kishte kryer detyrën e gazetarit raportues. Ka dyzet vjet që shkruan histori të ndryshme tmerri nga pjesë të ndryshme të botës.

Megjithëse gazetarët mundohen të ruajnë distancën profesionale me historitë e shkruara, Nossiter tregon se si kësaj here ishte ndier shumë keq dhe po bashkëndiente me Malikun. Nossiter edhe më parë kishte intervistuar ish-të burgosur të talebanëve që kishin dëshmuar për torturat e përjetuara nën duart e militantëve. Me të ishte edhe fotoreporterja Kiana Hayeri, bashkë me anëtarët e tjerë të ekipit të gazetës njujorkeze.

Ekipit i ishte thënë se duhej ta zhvillonte shpejt e shpejt intervistën nga frika se mund të hetoheshin nga talebanët. Gazetarët përshkuan rrugë malore me qëllim që të mos dekonspiroheshin.

Talebanët megjithatë ia dolën t’i shihnin gazetarët derisa me makinë po ia kthenin shpinën asaj që banorët vendas i referohen si “lugina e vdekjes”, për shkak të rrëmbimeve të shpeshta të militantëve.

Rrëfimi i gazetarit të “New York Times”