Një kanadez është dënuar me gjashtë vjet burgim pasi ishte futur i armatosur në pronën ku jeton kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, raporton BBC.
Corey Hurren, një rezervist ushtarak dhe prodhues i salsiçeve, është deklaruar fajtor muajin e kaluar ndaj shtatë akuzave për posedim të armëve dhe një për shkatërrim të pronës.
Në korrik të vitit 2020, Hurren 46-vjeçar, ishte futur brenda portës së Rideau Hall dhe me armë kishte tentuar të “arrestonte” Trudeaun.
Ai më pas u dorëzua.
Fillimisht ishte përballur me 21 akuza për posedim të armëve dhe një për kërcënim të kryeministrit të Kanadasë.
Prokurorët kërkuan gjashtë vjet burgim, duke thënë se Hurren është rrezik për shoqërinë. Avokatët mbrojtës kanë thënë se Hurren ishte prekur rëndë nga pandemia e koronavirusit dhe kanë përmendur shërbimin ushtarak që ka bërë ai për komunitetin.
Gjykatësi është pajtuar se dënimi gjashtë vjet burgim është i përshtatshëm, por se Hurren do të vuajë pesë vjet, pasi do t’i llogaritet një vit koha sa ka kaluar në paraburgim.