Botë

Iraku kthen sytë kah dialogu, pas vizitës së Papës

“Në atmosferën e dashurisë dhe të tolerancës, të promovuar gjatë vizitës së Shenjtërisë së Tij, Papës, në tokën e Irakut, ne sot e paraqesim thirrjen për dialog kombëtar”, ka thënë kryeministri irakian, Mustafa al-Kadhimi, gjatë një adresimi televiziv

Kryeministri i Irakut ka bërë thirrje të hënën që grupet rivale politike të vendit të përdorin opsionin e dialogut për zgjidhjen e dallimeve, në një veprim që do ta reflektonte mesazhin “e dashurisë dhe tolerancës” të demonstruar nga Papa Françesku gjatë vizitës së tij historike në vend.

Iraku ballafaqohet me keqmenaxhim dhe korrupsion kronik, si dhe me nivel të lartë të dhunës, shpeshherë të ndërlidhur me rivalitetin e theksueshëm midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon, 18 vjet pas okupimit amerikan të Irakut.

“Në atmosferën e dashurisë dhe tolerancës, të promovuar gjatë vizitës së Shenjtërisë së Tij, Papës, në tokën e Irakut, ne sot e paraqesim thirrjen për dialog kombëtar”, ka thënë kryeministri irakian, Mustafa al-Kadhimi, gjatë një adresimi televiziv.

Shumëkush në Irak shpreson se vizita e Papës do të gjenerojë mbështetje më të madhe ndërkombëtare për Qeverinë e Kadhimit në menaxhimin e krizave të ndjeshme, përfshirë frenimin e grupeve militante të përkrahura nga Irani, pushtetin dhe ndikimin e të cilave Kadhimi është zotuar që t’i cungojë që nga ardhja në detyrë gjatë majit të vitit 2020.

Kryeministri ka thënë se dialogu do të ndihmonte në uljen e tensioneve në vend dhe do të hapte rrugën për mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve të parakohshme.

Kontrollimi i grupeve të armatosura, të cilat operojnë jashtë kontrollit të shtetit, përbën ende një sfidë të rëndësishme për shefin e Qeverisë.

Papa Françesku ka përfunduar të hënën vizitën e tij, të parën papale në Irak, pas qëndrimit në qytetet e rrënuara nga konflikti, takimeve me liderët myslimanë dhe të krishterë, si dhe lutjeve për paqe dhe bashkëjetesë. Vizitën në Irak Ati i Shenjtë e kishte filluar të premten.

Papa ka mbajtur gjithashtu një takim të rrallë me ajetollahun e madh të Irakut, Ali al-Sistami, imamin kryesor shiit mysliman që konsiderohet një prej figurave më të rëndësishme të islamit shiit, si në Irak ashtu edhe gjetkë.

Vizita e tij ishte përpjekje për t’i sjellë shpresë pakicës së margjinalizuar të krishterë, me anë të mesazhit për bashkëjetesë, falje dhe paqe. Ati i Shenjtë dhe delegacioni i tij janë larguar nga vendi me një ceremoni lamtumire në Aeroportin e Bagdadit, prej ku ai u nis drejt Romës pas vizitës papale në pesë krahina të Irakut. Në fund të qëndrimit, Papa Françesku ka nxitur irakianët që ta përqafojnë diversitetin. Këtë gjë ai e kërkoi duke folur nga Najafi, qytet ky ku ai është takuar me viktimat e krishtera të sulmit të Shtetit Islamik dhe i dëgjoi dëshmitë e të mbijetuarve. \ AP