Botë

Disidentët nuk janë shenjtorë

Fushata e organizuar kundër Alexei Navalnyt ishte dëmtuese dhe e pavend

Fenomeni tani i përshkruar si “kultura e anulimit” nuk është diçka e re – qoftë për synime fisnike ashtu edhe për ato mizore – dhe ka historik të gjatë. Është në natyrën e njeriut që ta gjykojë tjetrin, në të drejtë apo në gabim. Por në epokën e komunikimeve online është fare lehtë të mendohet më e liga edhe për një person që nuk e keni takuar kurrë dhe që të vendoset se ata janë të këqij bazuar në një video apo koment – ani pse ata janë, sikurse krejt të tjerët, të papërkryer. Dhe kësisoj, del se është fare e lehtë që aktorët e lig t’i shndërrojnë në armë këto ndjenja.

“Kjo është ajo çfarë ka ndodhur me vendimin e fundit të ‘Amnesty International’ për ta zhveshur disidentin e burgosur rus, Alexei Navalny, nga statusi i tij i ‘të burgosurit të ndërgjegjes’, pas një fushate të errët emailash që i nxjerr në pah deklaratat e tija ksenofobile”, ka shkruar revista prestigjioze, politike amerikane “Foreign Policy”. “Vendimi e trimëron mbulimin propagandistik të Kremlinit mbi rastin Navalny dhe u ofron si trollëve ashtu edhe idiotëve funksionalë arsye si për t’i cilësuar si Navalnyn ashtu edhe këdo që e mbështet atë si nazistë të pastër. Qysh nga fillimi, Amnesty duket se e kishte kuptuar të ishte mashtruar dhe organizata tani është duke iu nënshtruar një rishikimi të asaj çfarë ka ndodhur”, ka shkruar revista në analizën e saj. “Por dëmi tanimë është shkaktuar”.

Nga nacionalizmi “neveritës” në opozitarizëm

Një fushatë e dezinformimit, sipas “Foreign Policy”, i kishte përfshirë sugjerimet e gazetarëve me reputacion se Navalny dikur e kishte filmuar një video në të cilën emigrantët myslimanë i krahason me “buburreca”. Në këtë kontekst, megjithatë, duket si më e mundur që ai t’u jetë referuar specifikisht terroristëve, pasi që i kishte bëtë këto deklarime derisa po e drejtonte gishtin drejt fotografisë së Shamil Basayevit dhe të tjerëve, të përfshirë asokohe në vrasjet e reja në Beslanin e Çeçenisë. Navalny i kishte përçmuar disa prej qëndrimeve të tjera në të shkuarën, derisa ka insistuar se Rusia ka nevojë për një qëndrim më të ashpër ndaj emigracionit.

Megjithëkëtë, videoja ishte e keqe, e neveritshme – dhe ishte bërë në kontekstin e vlerësimeve të tjera nacionaliste të Navalnyt, i cili e kishte nisur karrierën e tij politike, duke besuar se nacionalizmi ishte një antidot i mirë për lëvizjen politike të presidentit Vladimir Putin.

“Ky është një qëndrim, të cilin ai që atëherë e modernizoi, por që ka mbetur përherë njëra prej më të dyshimtave. Megjithatë, Navalny thjesht nuk e gjeneron atë nivel të urrejtjes që i ishte atribuuar”, ka shkruar revista amerikane.

Krejt këto kanë ndodhur teksa Navalny ndodhej në Matrosskaya Tishina, një prej burgjeve më famëkeqe të Rusisë, pas transferimit drejt kolonisë ndëshkuese, pasi që i mbijetoi tentimit të tmerrshëm për helmim, pas rikuperimit prej tij në Gjermani dhe kthimit në Rusi për trajtim pasues. Navalny e dinte fare mirë se do të arrestohej, por zgjodhi që prapëseprapë të kthehej në atdhe.

Image

Me t’u kthyer në Rusi, fushata anti-Navalny doli të ishte edhe më efektive – megjithëse me qindra e mijëra qytetarë vërshuan rrugët për të protestuar ndaj arrestimit të tij.

“Ishte rrëqethëse deri në kocka të shihje videot e rusëve të thjeshtë që i dëshironin vdekje dhe vuajtje Navalnyt. Asnjëri prej atyre që kam intervistuar nuk kanë mundur të numëronin me saktësi krimet që Navalny kishte kryer – përveç asaj se ka bashkëpunuar me Perëndimin”, ka shkruar autorja e analizës së “Foreign Policy”, gazetarja Natalia Antonova.

Propaganda shtetërore dhe një tjetër gjykim farsë e bënë të veten tek këta njerëz – njerëz që dukeshin tepër të lodhur, tepër të shqetësuar për mbijetesën e tyre ditore, sa për të menduar rreth shqyrtimit të burimeve alternative të lajmeve apo thjesht për t’u informuar si duhet mbi akuzat e ngritura ndaj Navalnyt.

“Kam miq në rajonin e Vladimirit, ku është realizuar videoja, dhe aty ku ndodhet kolonia ndëshkuese e Navalnyt. Aty përreth ka shumë kisha të mahnitshme, por infrastruktura është e tmerrshme, varësia nga narkotikët është një kopan lokal, ndërsa mjekët ankohen për ‘optimizimin’ burokratik të ilaçeve, në atë që në fakt është duke e shkatërruar sistemin shëndetësor. Krejt këto ndodhin, natyrisht, derisa Rusia është e pasur, derisa elitat që e mbështesin Putinin po u prijnë pabarazive ndër më të rëndave në krejt botën”, ka shkruar Antonova në “FP”.

Nacionalizmi

“Të shikuarit e njerëzve tek e shqelmojnë Navalnyn teksa ai veçse ishte përtokë ka ngritur pyetjen: A mund përnjëmend ‘ta anuloni’ dikë që veçse ishte ‘anuluar’, pothuajse ishte vrarë nga vet qeveria e tij dhe ishte përçmuar nga shumica e bashkatdhetarëve të tij? Nuk ma merr mendja. Navalny, deri më tani, ka kapërcyer shumë prej kategorive njerëzish që kishin tentuar t’i përafroheshin në vitet e fundit. Mund ta marrë lehtësisht me mend tek i qeshet qyqarllëkut të ‘Amnestyt’”, ka shkruar gazeta, në analizën e saj.

Por Antonova ka specifikuar gjithashtu nevojën për ta shndërruar tani Navalnyn në një lloj shenjtori. Ç’është e vërteta, asnjë disident nuk është shenjtor dhe atyre as që duhet t’u kërkohet që të jenë.

Gazeta amerikane sugjeron që të kihet në konsideratë Nelson Mandela, të cilit i ishte hequr statusi i të burgosurit të ndërgjegjes në vitin 1964, pasi që e mbrojti dhunën e organizuar politike gjatë gjykimit të tij.

“Kjo është një gjë e çuditshme të lexohet sot, duke e pasur parasysh faktin se Mandela ishte kurorëzuar përfundimisht si shenjtor dhe thuhet se ishte irrituar madje nga ky fakt”, ka specifikuar gazeta. “Shenjtërimi publik është një mohim i njerëzores dhe nëse e kaloni tërë jetën duke luftuar për njerëzinë dhe e dini se sa e shëmtuar mund të bëhet kjo luftë dhe se si mund t’ju ngelet gjaku në duar – do të irritoheshit edhe ju nga të trajtuarit si shenjtorë”, ka shtuar “FP”.

Kijeni parasysh gjithashtu fatin e Aleksandr Solzhenitsynit, disidentit dhe shkrimtarit të guxueshëm sovjetik, fituesit të çmimit “Nobel” për letërsi dhe ish-të burgosurit politik që ra në dashuri me Qeverinë e Putinit në moshë të shtyrë, shkaku se dëshironte ta ringjallte Rusinë dhe shumë shpejt ishte kontaktuar nga Moska.

Solzhenitsyn e mohoi totalitarizmin, por besonte se Rusia post-sovjetike mund t’ia dilte mbanë me kriza të ndryshme nëpërmjet një figure autoritare. Ai gjithashtu ishte një nacionalist që besonte, për shembull, se Ukraina kurrë nuk do të duhej ta siguronte pavarësinë nga Rusia.

“I burgosuri i ndërgjegjes”

Mendim ky katastrofikisht i çalë? Pa dyshim. I mjaftueshëm për ta çrrënjosur trashëgiminë e Solzhenitsyn? Jo.

E vërteta e të qenit një disident politik është se askush nuk niset drejt atij shtegu, duke pritur që të jetë një martir i lavdishëm dhe i përkryer. “E po, disa po, por ata priren që të ndryshojnë korsi shumë shpejt. Realiteti i ashpër i jetës së disidentëve nuk është ai i romantizmit të tepruar”, shkruan gazeta. “Për të qenë një disident i përnjëmendtë është që të vihesh në lëkurë të Qeverisë dhe pastaj t’i shikosh tek ju shtypin dhe ribëjnë. E kam vëzhguar këtë t’i ndodhte Navalnyt për vite me radhë. I shihja policët tek ia shtypnin brutalisht krahët prapa shpinës dhe e vëreja shprehjen e dhembjes në fytyrën e tij. Kam parë ankthin dhe pikëllimin në sytë e tij teksa gjykata ia burgosi vëllain, Oleg Navalny, duke e bërë atë faktikisht një peng të Qeverisë”, ka përshkruar Antonova. “E kam parë Navalnyn tek ngrihet prej një personi që dukej i shkathët dhe oportunist, në rastin më të mirë, drejt një burri të gatshëm që ishte i gatshëm, me plot kuptimin e fjalës, të jepte gjithçka – karrierën, familjen, jetën – për shkak se ishte lodhur me turpërimet e shtetit rus dhe vetë popullit të tij”.

Fatkeqësia i ndryshon të gjithë, në mënyra si të mira ashtu edhe të këqija. Disa njerëz shkërmoqen dhe disa bëhen çelik të fortë. Disa bëhen më të ashpër e disa më të butë. Kryesisht, i ngërthejnë që të dyja – hidhësinë dhe butësinë – thjesht, ngase kjo është mënyrë se sa njerëzit priren që të jenë.

Është ende tepër herët që të thuhet se cili do të jetë kapitulli i fundit i ekzistencës fascinuese, por edhe tmerruese të Navalnyt dhe si ajo mund të ndikojë tek ai dhe të dominojë.

“E gjitha që mundem ta them me plot besim është se ishte qartazi vetëdija e tij ajo që e shtrëngoi ta refuzonte ngecjen. Vetëdija e shtyri atë që të kthehej sërish në Rusi. Dhe nëse ai nuk është një i burgosur i ndërgjegjes, atëherë askush nuk është”, ka konstatuar autorja e analizës së “Foreign Policy”.

Analizë e “Foreign Policy”