Gati 10 milionë vende pune janë humbur dhe rreth 11 milionë familje përballen me dëbim nga shtëpitë. Përderisa udhëheqësit demokratë zakonisht përkrahin profesionistët shëndetësorë që mbështesin kufizimet e distancës sociale dhe përkrahin hapjen e shkollave dhe vendeve të punës, republikanët e Kongresit kanë qenë më të etur për të kryer punë sa më shpejt që të jetë e mundur
Washington, 7 mars (AP) - Republikanët kanë një qëllim për pakon e ndihmave për COVID-19 të presidentit Joe Biden me 1.9 trilionë dollarë: ta shkatërrojnë mbështetjen publike për planin e shpëtimit, duke e portretizuar si shpenzim të kotë publik, shumë i lartë dhe shumë i fryrë për një pandemi që pothuajse ka mbaruar.
Republikanët e Senatit u përgatitën të shtunën për të votuar bllokadën kundër projektligjit të lehtësimit, duke marrë rrezikun e llogaritur politik se amerikanët do të ftohen nga shpenzimet e mëdha për shpërndarjen e vaksinimit, përfitimet e papunësisë, paratë për shtetet dhe shpenzimet e tjera si të panevojshme, pasi t’i mësojnë të gjitha detajet.
Duke ringjallur një betejë të kahershme të vitit 2009 e rikuperimit të kushtueshëm i presidentit Barack Obama nga kriza financiare, ata presin që kundërshtimi i tyre do t’u sjellë shpërblime politike, ashtu si përpjekja e mëparshme që kontribuoi në ngritjen në pushtet të republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve.
Kjo është strategji e dëshmuar, por vjen në një kohë të pasigurt dhe të paqëndrueshme për vendin. Amerikanët po përjetojnë dridhje optimizmi në njëvjetorin e shpërthimit vdekjeprurës të pandemisë, përderisa po vaksinohen më shumë njerëz. Por versionet e reja të virusit dhe një ekonomi ende e lëkundur mund ta sjellin një cikël tjetër shkatërrues të infeksioneve, bllokimeve dhe vdekjeve. Më shumë se 500 mijë amerikanë kanë vdekur deri më tani nga pandemia e koronavirusit.
Mbështetja ndaj Bidenit
Mbështetja e publikut për qasjen e Bidenit ndaj pandemisë është e lartë. Në përgjithësi, 70 për qind e amerikanëve e mbështesin mënyrën e reagimit të presidentit demokrat ndaj virusit, duke përfshirë 44 për qind të republikanëve, sipas një sondazhi të ri nga Qendra për Kërkime të Çështjeve Publike.
Bideni dhe demokratët paralajmërojnë se tani nuk është koha për të hequr dorë nga ndihmat dhe se është më mirë të rrezikohet për të bërë shumë sesa shumë pak. Ata thonë se kostot e zbutjes së rrezikut mund të ndikojnë që të ngecë rimëkëmbja ekonomike, siç shumë njerëz besojnë se ndodhi në vitin 2009.
“Kur shtëpia është kapluar nga flaka, nuk diskutoni se sa zjarr duhet të shuhet”, ka thënë senatorja Patty Murray, gjatë seancës të së premtes.
“Ju bëni gjithçka që duhet derisa të mbarojë kriza”, ka thënë ajo. “Dhe veproni sa më shpejt që mundeni”.
Debati në Kongres pasqyron një ndarje thelbësore në SHBA rreth mënyrës se si të trajtohet dhe të shtypet pandemia dhe të kthehet vendi në normalitet.
Gati 10 milionë vende pune janë humbur dhe rreth 11 milionë familje përballen me dëbim nga shtëpitë. Përderisa udhëheqësit demokratë zakonisht përkrahin profesionistët shëndetësorë që mbështesin kufizimet e distancës sociale dhe përkrahin hapjen e shkollave dhe vendeve të punës, republikanët e Kongresit kanë qenë më të etur për të kryer punë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Dilema me pasoja shqetësuese
Shtetet e Bashkuara nuk janë të vetmet në përballjen me dilemën shqetësuese që bart pasoja serioze në lidhje me madhësinë dhe fushën e ndihmave që nevojiten për ta parandaluar katastrofën e mëtejshme ekonomike.
Udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell, i cili udhëhoqi partinë e tij të pakicës drejt votës “jo”, tha se projektligji i Bidenit me 628 faqe është një “listë dëshirash” që po prezantohet në kohën e gabuar, sepse pandemia po hiqet dhe ekonomia është e gatshme për një “rimëkëmbje të zhurmshme”.
Republikanët argumentojnë se Kongresi tashmë ka miratuar shuma historike për t'iu kundërvënë pandemisë dhe brengosen se shpenzimet e mëdha do ta zhvillojnë shumë ekonominë, duke rritur frikën e inflacionit, megjithëse ekonomistët kanë mendime të ndryshme. Ata janë të hapur me votuesit që sondazhet tregojnë se janë skeptikë ndaj trajtimit të ekonomisë nga Bideni.
McConnell shprehu optimizëm të ngjashëm pranverën e kaluar kur shtypi butonin “ndal” për shpenzimet e reja pas miratimit të raundit fillestar të ndihmave. Atëbotë, presidenti i atëhershëm, Donald Trump, u zotua se amerikanët do t’i riktheheshin normalitetit deri në Pashkë.
Por përderisa Teksasi njoftoi javën e kaluar se do të kërkonte t'u jepte fund kërkesave për bartjen e maskave, një nga strategjitë kryesore që zyrtarët e shëndetit publik thonë se ndihmon në ndalimin e përhapjes së virusit, linjat e njohura të gabimeve politike dhe shqetësimet po rishfaqen. Texasi ishte ndër shtetet e para që u rihap në maj, duke lehtësuar kufizimet në fillim të valës së dytë të pandemisë që u përhap gjatë verës.
Jason Furman, ish-kryetari i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë të Obamës, i cili tani jep mësim në Harvard, pajtohet që disa pjesë të paketës së Bidenit janë shumë të mëdha, duke sugjeruar që 350 miliardë dollarë për shtete dhe qytete mund të zvogëlohen ose të mos shkojnë dëm. Por, ai tha se rreziku më i madh ekonomik është të mos bëhet sa duhet.
Vaksinat nuk mjaftojnë
Vetëm vaksinat nuk mjaftojnë për të siguruar një ekonomi të shëndetshme, tha ai. Familjet po luftojnë dhe bizneset po përballen me ndryshimin e zakoneve dhe shpenzimeve të konsumatorëve. Paketa Biden ofron 1 mijë e 400 dollarë pagesa të drejtpërdrejta për individët, të cilat hiqen gradualisht për ata që fitojnë 80 mijë dollarë në vit.
“Nëse ia shtoni edhe nevojat financiare të familjeve dhe mungesat me të cilat përballen shtetet, Plani Amerikan i Shpëtimit i tejmbush këto”, tha ai nëpërmjet emailit. “Por asnjë legjislacion nuk është i përsosur dhe, siç thashë, nëse dobësia është që familjet marrin pak më shumë para në një vit të veçantë që është shumë më pak e keqe sesa nëse Kongresi dështon të veprojë”.
Gjersa Bideni filloi një strategji partiake vetëm, duke u mbështetur në votat e demokratëve për kalim, republikanët janë në gjendje luftimi.
Republikanët e Senatit detyruan që të bëhej leximi i plotë i ligjit të enjten, duke shtyrë fillimin e debatit.
Të premten, senatorët filluan një sesion brenda natës rreth amendamenteve, shumica nga republikanët, të krijuara pjesërisht për ta ndryshuar projektligjin, por gjithashtu për të theksuar shpenzimet e kushtueshme dhe dispozitat më pak të njohura. Në fillim të së shtunës, shumica ishin duke dështuar.
Amendamenti i vetë demokratëve, për të ulur përfitimet shtesë të papunësisë nga 400 dollarë në javë në 300 dollarë, po i ndante pozitat e tyre dhe po shkaktonte vonesa të mëtejshme, para se të pranohej përfundimisht.
Senatori Ron Johnson, R-Wis., i cili detyroi leximin e projektligjit, përdori tabelat dhe rekuizitat për t’i ndihmuar amerikanët që ta kuptojnë madhësinë e paketës prej 1.9 trilionë dollarësh.
“Mendja njerëzore nuk mund të kuptojë me të vërtetë se çfarë është një trilion”, tha ai, para se t’i paraqiste shembujt. Sipas tij një pirg me kartëmonedha një dollarëshe e shtron gjysmën e rrugës deri në hënë.
Senatori i Partisë Republikane, Mike Braun, nga Indiana, tha se deri në fund do t’i shkojnë kundërshtimit të pakos lehtësuese, duke shpresuar se do t’ua ndryshojnë mendjen njerëzve.
“Ne do ta zbulojmë çdo detaj të shëmtuar të tij”, tha ai.
Shtëpia e Bardhë është e vetëdijshme për sfidat që ka përpara. Shumë nga anëtarët e stafit të Bidenit janë të rryer në betejat e vitit 2009.
Sekretarja për media, Jen Psaki, tha të premten se në atë kohë ata nuk ia kishin shpjeguar mjaftueshëm popullit amerikan përfitimet në atë mënyrë “që njerëzit të flisnin rreth kësaj çështjeje në tryezat e darkë”.
