Botë

Austria pezullon përdorimin e një grupi të vaksinave të AstraZenecas pas vdekjes së një pacienteje

Autoritetet austriake kanë pezulluar vaksinimin me një grup të vaksinave të AstraZenecas si masë parandaluese, ndërsa po heton vdekjen e një personi dhe sëmurjen e një tjetri pas vaksinimit, raporton Ministria e Shëndetësisë së Austrisë.

“Zyra Federale për Siguri në Kujdesin Shëndetësor (BASG) ka marrë dy raporte për një lidhje me vaksinimet nga grupi i njëjtë i vaksinave të AstraZenecas në klinikën në Zwettl”, është thënë nga Ministria.

Një 49-vjeçare ka vdekur si pasojë e çrregullimeve të rënda me koagulim të gjakut, ndërsa një 35-vjeçare ka marrë emboli pulmonare, por është duke u rikuperuar.

“Aktualisht nuk ka dëshmi për lidhjen me vaksini”, ka thënë BASG.

Mediumet austriake raportojnë se të dyja gratë ishin infermiere që punonin në klinikën në Zwettl.

BASG ka thënë se mpiksja e gjakut nuk është në mesin e efekteve të njohura anësore të vaksinës. Është duke bërë hetime për çdo lidhje të mundshme.

“Si masë parandaluese, stoku i mbetur i vaksinave në fjalë nuk do të përdoren më për vaksinim”, ka thënë BASG.

Nga AstraZeneca është thënë se është në kontakt me autoritetet austriake dhe po përkrah plotësisht hetimin. AstraZeneca për agjencinë APA ka thënë se vaksina është aprovuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë bazuar në programin klinik global ku morën pjesë mbi 23 mijë pjesëmarrës.

“Gjitha këto kanë konkluduar se vaksina anti-COVID e AstraZenecas është e sigurt dhe efikase”, thuhet nga AstraZeneca.