Izraeli ka rihapur pjesën më të madhe të ekonomisë si pjesë e fazës së fundit të heqjes së kufizimeve si pasojë e koronavirusit, disa prej tyre të vendosura që nga shtatori.
Baret dhe restorantet, sallat e ngjarjeve, ngjarjet sportive, hotelet dhe i gjithë arsimi fillor dhe i mesëm mund të rihapen për publikun nga dita e sotshme, me disa kufizime në hyrje dhe zvogëlim kapaciteti. Kjo lëvizje vjen pas muajsh mbyllje të imponuar nga qeveria izraelite, raporton Independent.
Qeveria izraelite miratoi lehtësimin e kufizimeve të shtunën në mbrëmje, duke përfshirë rihapjen e aeroportit kryesor ndërkombëtar për një numër të kufizuar të pasagjerëve që vijnë çdo ditë.
“Restorantet po kthehen në jetë. Ende duhet të kemi kujdes, të mbajmë maska, të mbajmë distancën, por jemi duke dal nga kufizimi, nuk ka edhe shumë”, ka thënë kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Shumica e aktiviteteve të mëdha publike, përfshirë darkën në restorante, janë në dispozicion të njerëzve që tashmë janë vaksinuar kundër koronavirusit. Izraeli ka ecur përpara me fushatën e imunizimit. Mbi 52% e popullsisë ka marrë një dozë dhe pothuajse 40% kanë marrë dy doza të vaksinës Pfizer, një nga nivelet më të larta në botë.
Izraeli ka konfirmuar të paktën 799 mijë raste që nga fillimi i pandemisë, duke përfshirë 5.856 vdekje, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.