1 perditesime
14:10

Papa Françesku dënon ekstremizmin gjatë vizitës historike në Irak

Papa Françesku ka dënuar ekstremizmin në emër të fesë, gjatë vizitës së tij historike në Irak ku ai diskutoi ndër të tjera për gjendjen e keqe të minoritetit të krishterë në këtë shtet.

“Armiqësia, ekstremizmi dhe dhuna nuk rrjedhin nga zemra e fesë”, ka thënë Papa Françesku. “Ato janë tradhtare të fesë”, ka vazhduar ai.

Iraku ka qenë i goditur nga dhuna fetare, kundër minoriteteve por edhe ndërmjet sekteve myslimane Shia dhe Sunni, shkruan BBC.

Në ditën e tij të dytë të vizitës në Irak, Papa Françesku është takuar edhe me një prej figurave më të fuqishme të islamistëve shia, Grand Ayatollah Ali al-Sistani.

Kjo është vizita e parë e Papa Françeskut në Irak dhe e para e një Pape në këtë shtet. Vizita është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie dhe nën frikën e pandemisë me koronavirus.

08:34

Papa Françesku takohet me liderin shpirtëror të myslimanëve shiit në Irak, Ayatollah Ali al-Sistan

Papa Françesku ka nisur takimin simbolik me një prej figurave më të fuqishme në Islamin Shia, në ditën e dytë të vizitës së tij në Irak.

Takimi i Papës me Grand Ayatollah Ali al-Sistani, liderin shpirtëror të miliona myslimanëve shiit, është duke u zhvilluar në qytetin e Najafit, shkruan BBC.

Ky është udhëtimi i parë i Papa Françeskut që kur ka nisur pandemia me COVID-19 dhe vizita e parë e një Pape në Irak.

Covid-19 dhe frika e sigurisë e kanë bërë këtë, udhëtimin më të rrezikshëm të Papës deri më tani. Lideri 84 vjeçar i Kishës Katolike u kishte thënë më herët gazetarëve se ndiente “detyrë të obligueshme” të zhvillonte një udhëtim simbolik për disa ditë në Irak.

Ndërkohë, gjatë takimit me al-Sistani, Papa Françesku thuhet të ketë diskutuar tema të rëndësishme me fokus në çështjet ndër-fetare, siç janë minoriteti i krishterë në Irak i cili është goditur nga disa valë të dhunës që nga viti 2003.