Kërkesa i reflekton shqetësimet e vazhdueshme për sigurinë dhe potencialin për dhunë në Capitol, dy muaj pasi që protestuesit u futën në ndërtesë, në dhunën që rezultoi me pesë të vdekur. Për më tepër, kërkesa është adresuar teksa forcat e zbatimit të ligjit janë vënë në gjendje alarmi të enjten, duke e rrethuar Capitolin si rrjedhojë e të dhënave të reja të Inteligjencës që kanë zbardhur “komplotin e mundshëm” të një grupi militant që synon vërsuljen në ndërtesë
Washington, 4 shkurt (AP) – Policia në Capitol ka kërkuar që pjesëtarët e Gardës Kombëtare të vazhdojnë të jenë në shërbim të sigurisë së ndërtesës së Kongresit amerikan për edhe dy muaj të tjerë, ka mësuar të enjten agjencia “Associated Press”.
Zyrtarët e mbrojtjes kanë bërë të ditur se propozimi i ri është aktualisht duke u rishikuar nga Pentagoni.
Kërkesa i reflekton shqetësimet e vazhdueshme për sigurinë dhe potencialin për dhunë në Capitol, dy muaj pasi që protestuesit u futën në ndërtesë, në dhunën që rezultoi me pesë të vdekur. Për më tepër, kërkesa është adresuar teksa forcat e zbatimit të ligjit janë vënë në gjendje alarmi të enjten, duke e rrethuar Capitolin si rrjedhojë e të dhënave të reja të Inteligjencës që kanë zbardhur “komplotin e mundshëm” të një grupi militant që synon vërsuljen në ndërtesë.
Komploti potencial është i ndërlidhur me teorinë konspirative të së djathtës ekstreme, të promovuar nga mbështetësit e “QAnon”, se ish-presidenti Donald Trump do të vihet sërish në pushtet më 4 mars, ditën kur më herët zhvilloheshin inaugurimet presidenciale.
Përfaqësuesja demokrate, Elissa Slotkin, nga Michigani, ka thënë të ketë mësuar se kërkesa për zgjatjen 60-ditore të masës së sigurisë është bërë gjatë 36 orëve të fundit dhe se Garda aktualisht është duke kërkuar vullnetarë për ta zbatuar këtë nevojë.
Zyrtarët e mbrojtjes kanë konfirmuar se kërkesat është duke u rishikuar nga Pentagoni dhe se Garda ka nisur kontrollimet nëpër shtete për trupat në dispozicion, në kuadër të përgatitjes për aprovimin përfundimtar nga Departamenti i Mbrojtjes. Zyrtarët kanë folur për AP-në nën kushtin e anonimitetit.
Më shumë se 5.000 pjesëtarëve të Gardës në Washington aktualisht u është pezulluar shkuarja nëpër shtëpi deri më 12 mars.
“Duam të kuptojmë se cili konkretisht është plani”, ka thënë Slotkin. “Asnjëri prej nesh nuk i parapëlqen rrethojat, portat, praninë e personave të uniformuar përreth Capitolit. Nuk mund të varemi nga Garda Kombëtare për sigurinë tonë”. Ajo ka thënë gjithashtu se duhet përpiluar një plan, i cili u ofron sigurinë e duhur ndërtesave dhe personelit nga policia e Capitolit dhe organet lokale të zbatimit të ligjit.
Çështja e sigurisë është ngritur në ditën kur masat janë ngritur në nivelet më të larta përreth Capitolit, shkaku i kërcënimeve evidente për një tjetër vërsulje të mundshme në shtëpinë e demokracisë amerikane. Si pasojë, seancat dëgjimore rreth dhunës së 6 janarit janë pezulluar, pasi që Inteligjenca amerikane ka raportuar se posedon të dhëna se një grup militant planifikon që të ndërmarrë sulme ndaj Capitolit më 4 mars.
Raporti lidhur me kërcënimin është dhënë vetëm dy muaj pas sulmit vdekjeprurës në ndërtesën e Kongresit, të organizuar nga mbështetësit e Trumpit në ditën kur ligjvënësit ishin mbledhur për ta certifikuar fitoren e demokratit, Joe Biden, në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Shërbimet e Inteligjencës kanë raportuar se që prej fundit të muajit shkurt, një grup i ekstremistëve ka diskutuar planet për ta vënë nën kontroll Capitolin dhe për t’i rrëzuar nga pushteti ligjvënësit demokratë.
Ky grup, sipas shërbimeve të Inteligjencës, u kishte bërë thirrje mijëra qytetarëve që të udhëtonin drejt Washingtonit për të marrë pjesë në komplot. Pas këtij vlerësimi policia e Capitolit është vënë në gjendje gatishmërie, në përgatitje ndaj çfarëdo komploti të mundshëm në ndërtesë.
Përkrahësit e teorive ekstreme besojnë se e enjtja do të shënojë kthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë për mandatin e tij të dytë. Ata besojnë në 4 marsin, për shkak se para se të shtohej amendamenti i 20-të në Kushtetutën amerikane presidentët merrnin zyrtarisht detyrën pikërisht në këtë ditë.