Botë

Të paktën 8 të lënduar nga sulmi i dyshuar terrorist në Suedi

Policia suedeze ka bërë të ditur se një person ka lënë të lënduar të paktën tetë persona në një qytet në jug të vendit dhe se rasti është duke u hetuar si “krim i dyshuar terrorist”. Sipas policisë, një burrë në të 20-tat ka sulmuar qytetarët në Vetlanda, në juglindje të qytetit të dytë më të madh suedez, Goteborg.

Sulmuesi është qëlluar nga policia, porse nuk ka të dhëna mbi gjendjen e sulmuesit dhe të sulmuarve. Mediat suedeze kanë raportuar se sulmi ka ndodhur me sëpatë. Kryeministri suedez, Stefan Lofven, ka dënuar sulmin, duke e quajtur “akt të tmerrshëm”, ndërsa ka bërë të ditur se agjencia e brendshme suedeze e sigurisë është duke e hetuar rastin.