Qeveria franceze ka marrë vendim që njerëzit më të vjetër se 65-vjeç të marrin vaksinën anti-COVID nga “AstraZeneca”, duke kthyer vendimin e mëparshëm me të cilin ndalonte vaksinimin e të moshuarve me këtë vaksinë.
Muajin e shkuar Franca aprovoi vaksinën vetëm për njerëzit më të rinj se 65-vjeç, me arsyetimin se mungonin të dhënat për njerëzit më të moshuar.
Që nga ajo kohë, studimet kanë treguar se vaksina ka efekt të mirë te më të moshuarit.
Vaksina e Oksfordit është duke u përdorur në Britani të Madhe, por disa shtete evropiane kanë limituar përdorimin e saj, përfshirë Gjermaninë.
Rregullatori evropian i ilaçeve ka aprovuar vaksinën për të gjitha moshat, por i takon secilit shtet të vendosë për vete.
Vaksina e “AstraZenecas” pritet të jetë e para që do të vijë në Kosovë përmes programit “COVAX”. Se kur do të ndodhë kjo, ende nuk dihet.