4 perditesime
19:30

Më shumë se 20 protestues vriten nga policia në Birmani

Policia ka shtënë në drejtim të protestuesve në Birmani, duke lënë të vdekur më shumë se 20 prej tyre, në një prej protestave më vdekjeprurëse deri më tani.

Të vdekur janë raportuar në Yangon, Dawei dhe Mandalay, teksa policia ka përdorur plumba të vërtetë dhe gaz lotsjellës.

Forcat e sigurisë kanë nisur brutalitetin të shtunën, pas disa javësh protestash paqësore kundër grusht-shtetit ushtarak të 1 shkurtit.

Gjatë këtij grusht-shteti është arrestuar kryeministrja dhe udhëheqës të tjerë të shtetit.

Policia ka qenë brutale edhe të dielën kur udhëheqësit e grusht-shtetit po synojnë të shkelin këto protesta që nuk kanë shfaqur shenja se do të ndalen.

Aktivistët dhe mjekët kanë raportuar për më shumë se 20 të vdekur, mirëpo në raporte të pakonfirmuara nëpër rrjete sociale, është raportuar për 30 të vdekur.

Së paku katër protestues kanë vdekur në qytetin më të madh, Yangonin, kur policia përdori plumba dhe gaz lotsjellës. Katër të tjerë janë vrarë në Dawei. Dhjetëra demonstrues janë arrestuar nga policia.

Udhëheqësit ushtarakë kanë arsyetuar organizimin e grusht-shtetit duke përmendur manipulimin e zgjedhjeve, por këtë akuzë e ka refuzuar komiteti zgjedhor i Birmanisë.

Grusht-shteti është kundërshtuar edhe nga shtete të ndryshme, duke nxitur sanksione ndaj ushtrisë organizatore.

15:28

Dita më e përgjakshme e protestave në Birmani, 18 të vdekur deri më tani

Protesta të dhunshme janë duke u zhvilluar edhe sot në Birmani si pasojë e të cilave deri më tani kanë mbetur të vdekur 18 persona, ka bërë të ditur zyra për të drejtat e njerëzve e Kombeve të Bashkuara.

Kjo llogaritet të jetë dita më vdekjeprurëse e protestave të cilat kanë nisur në fillim të këtij muaji, për të kundërshtuar marrjen e shtetit në dorë nga ushtria dhe arrestimin e lideres së zgjedhur nga zgjedhjet e vitit të kaluar, Aung San Suu Kyi, raporton BBC.

Vdekjet e sotme janë regjistruar në disa qytete të ndryshme duke përfshirë këtu Yangon, Dawei dhe Mandalay, pasi policia po gjuan me armë zjarri dhe po hedh gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Forcat policore kanë ndërmarrë masa të ashpra kundër protestuesve që nga dita e djeshme, pas disa javësh protesta të qeta, të cilat filluan në fillim të shkurtit.

12:55

Shkon në 7 numri i të vdekurve nga protesta kundër grusht-shtetit në Birmani

Shtatë persona kanë mbetur të vdekur e dhjetëra të plagosur nga protestat kundër grusht-shtetit që po vazhdojnë të zhvillohen edhe sot në Birmani.

Protestat kundër marrjes së shtetit në dorë nga ushtria dhe arrestimit të lideres së zgjedhur Aung San Suu Kyi kanë hyrë në javën e katërt, me disa të vdekur deri më tani, raportojnë mediat e huaja.

Në protestën e zhvilluar sot në qytetin më të madh Yangon, një protestues është qëlluar për vdekje nga policia e cila ka hapur zjarr për t’i shpërndarë protestuesit. Po ashtu, në këtë qytet, një gruar ndërroi jetë si pasojë e një sulmi në zemër pasi policia kishte thyer protestën e mësimdhënësve me granta trullosëse.

Ndërkaq, në qytetin e Dawei, tre persona kanë mbetur të vdekur po ashtu si pasojë e gjuajtjes së policisë me armë zjarri në drejtim të protestuesve.

11:48

Shkon në katër numri i të vdekurve në protestat në Birmani

Të paktën katër njerëz janë vrarë në protestat kundër grusht-shtetit në Birmani, përfshirë tre burra në qytetin jugor të Dawei, ku të paktën 20 të tjerë janë plagosur sipas Agence France-Presse. Një burrë u vra në qytetin e Yangon, ndërsa disa të tjerë u plagosën.

Mjekët të cilët kishin hyrë në grevë në protestë kundër puçit ushtarak u kthyen për të punuar në departamentin e urgjencës në spitalin e përgjithshëm Yangon për të trajtuar të plagosurit.

Në videot që qarkullojnë në rrjetet sociale shihen shumë njerëz të gjakosur nga intervenimi i ushtrisë për të shpërndarë protestuesit.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme ambasadori i Birmanisë në OKB, bëri thirrje për ndërhyrje në vendin e tij për shkak të puçit ushtarak. Menjëherë pas kësaj deklarate, ushtria e pushoi nga puna Kyaw Moe Tun.

09:07

Edhe dy të vdekur nga protestat kundër grusht-shtetit në Birmani

Policia e Birmanisë ka hapur sërish zjarr të dielën në protestat kundër grusht-shtetit, duke lënë të paktën dy të vdekur dhe shumë të plagosur.

Birmania ka qenë në kaos që nga fillimi i këtij muaji për shkak të marrjes së pushtetit nga ushtria dhe arrestimit të lideres së zgjedhur në krye të Qeverisë, Aung San Suu Kyi, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Deri më tani, kanë vdekur disa persona ndërkohë që shumë kanë mbetur të plagosur e shumë të tjerë janë arrestuar në protestat që po zhvillohen me javë të tëra.

Ushtria ka bërë grusht-shteti në Birmani më 1 shkurt të këtij viti për shkak se konsideronte se zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar në të cilat Aung San Suu Kyi kishte dalë fituese, ishin të manipuluara.

Mirëpo, partia e kësaj të fundit kishte deklaruar se rezultati i zgjedhjeve duhej të respektohej.