Të burgosurit duhet të qëndrojnë vetëm në qelitë e tyre në një burg në Belgjikë, pasi më tepër se gjysma e personave atje kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, raporton BBC.
Autoritetet kanë vendosur të aplikojnë masat e karantinës në burgun e Namurit, pas përhapjes së shpejt të koronavirusit në mesin e 132 të burgosurve.
Të burgosurit nuk do të lejohen të ecin apo të bëjnë dush, por do të kenë ushqime të nxehta dhe do t’u dorëzohen produkte higjienike në baza ditore.
Një i burgosur është dashur të shtrihet në spital pas përkeqësimit të gjendjes shkaku i infektimit me koronavirusit, kanë thënë zyrtarët.
Pos gjysmës së të burgosurve, rreth 60 nga 115 anëtarët e stafit po ashtu kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.
Kathleen De Vijve, zëdhënëse e administratës së burgut, e ka përshkruar situatën si shumë serioze.
Janë pezulluar gjitha vizitat, ndërsa të shtunën disa familjarë të burgosurve janë mbledhur jashtë burgut për të protestuar ndaj vendimit, ka raportuar transmetuesi Rtbf.
Belgjika ka qenë nën masa strikte kufizuese për katër muaj, ku është aplikuar edhe ora policore.
Përkundër kësaj, numri i të infektuarve ka vazhduar të rritet.