Zyrtarët të cilët kanë folur për të përditshmen “New York Times” kanë bërë të ditur se përbrenda Shtëpisë së Bardhë është ndërtuar konsensusi se prishja e marrëdhënieve në aspektin e bashkëpunimit saudit në kundërterrorizëm dhe në konfrontimin e Iranit ishte thjesht shumë e kushtueshme
Washington, 27 shkurt – Presidenti amerikan, Joe Biden, ka vendosur se kostoja diplomatike e penalizimit të drejtpërdrejtë të princit saudit të kurorës, Mohammed bin Salman, është tepër e lartë, kanë bërë të ditur zyrtarë të lartë të administratës. Kjo përkundër një raporti të hollësishëm të Inteligjencës amerikane, që zbulon se de facto sunduesi i monarkisë ka autorizuar drejtpërsëdrejti vrasjen e Jamal Khashoggit, disidentit dhe kolumnistit të “Washington Post”, i cili ishte droguar dhe gjymtuar në tetorin e vitit 2018.
Vendimi i Bidenit, i cili gjatë fushatës së vitit 2020 e kishte quajtur Arabinë Saudite një shtet që “nuk i respekton vlerat shoqërore”, është marrë pas disa javësh debat, gjatë të cilëve ekipi i tij i porsazgjedhur i sigurisë kombëtare e kishte këshilluar se nuk ekziston as edhe një mënyrë për t’ia ndaluar princit të kurorës hyrjen në Shtetet e Bashkuara apo për t’i ngritur padi penale, pa i dëmtuar marrëdhëniet me njërin prej aleatëve më të rëndësishëm amerikanë në botën arabe.
Zyrtarët të cilët kanë folur për të përditshmen “New York Times” kanë bërë të ditur se përbrenda Shtëpisë së Bardhë është ndërtuar konsensusi se prishja e marrëdhënieve në aspektin e bashkëpunimit saudit në kundërterrorizëm dhe në konfrontimin e Iranit ishte thjesht shumë e kushtueshme.
Për Bidenin vendimi ishte një indikacion i qartë se sa i vëmendshëm duhet të jetë, teksa përgjegjësitë për menaxhimin e një aleati të vështirë e kanë shpjerë në rrugë të ndryshme prej atyre që kishte synuar fillimisht – për ta ndjekur princin Mohammed ashtu që Arabia Saudite ta paguante çmimin.
Derisa grupet e të drejtave të njeriut dhe anëtarët e partisë së tij e duartrokitën presidentin për publikimin e raportit zyrtar të Inteligjencës, përmbajtja e të cilit kishte rrjedhur në publik rreth më shumë se dy vjetësh, jo të paktë kanë qenë ata që kanë thënë se ky ishte vetëm hapi i parë dhe se duhet bërë më shumë ashtu që princi i kurorës, i njohur me inicialet MBS, të mbahet përgjegjës për rolin e tij.
Shumë organizata kanë ushtruar presion mbi Bidenin ashtu që, të paktën, t’i zbatonte sanksione të njëjta udhëtimi princit sikurse administrata e pararendësit të tij, Donald Trump, u kishte vendosur të tjerëve të përfshirë në komplot. Ndihmësit e Bidenit kanë thënë se si çështje praktike, princi Mohammed nuk duhet të ftohet më në SHBA, ndërsa kanë mohuar se Arabisë Saudite po i jepet leje kalimi, duke i përshkruar një varg veprimet e reja ndaj zyrtarëve të nivelit më të ulët, si synim për penalizimin e elementeve elitare të ushtrisë saudite.
Këto veprime, të miratuara nga sekretari amerikan i Shtetit, Anotony Blinken, përfshijnë ndalesën e udhëtimit ndaj ish-shefit të Inteligjencës saudite, i cili ishte thellësisht i përfshirë në operacionin Khashoggit, dhe ndaj Forcës së Intervenimit të Shpejtë, një njësit ky i Gardës Mbretërore Saudite që e mbron princin Mohammed.

Raporti i deklasifikuar i Inteligjencës ka konstatuar se forca e intervenimit ka drejtuar operacionin kundër Khashoggit në konsullatën saudite në Stamboll. Khashoggi kishte hyrë në konsullatë më 2 tetor 2018, për t’i siguruar dokumentacionet e nevojshme për martesë, ndërsa e fejuara e tij turke po e priste para portës. Aty ai ishte ndeshur me një ekip vrasësish.
Përpjekja e qeverisë saudite për ta mbuluar rastin, duke pretenduar se Khashoggi ishte larguar i palënduar nga konsullata, u rrënuar vetëm pak ditë më pas. Administrata Trump kishte vepruar kundër 17 pjesëtarëve të atij ekipi, duke u vendosur ndalesa udhëtimi dhe penallti të tjera.
Bideni, ka thënë një zyrtar, ia ka përshkruar sanksionet e reja të SHBA-së mbretit Salman, babait të princit të kurorës, nëpërmjet një bisede telefonike të së enjtes, përmbajtja e së cilës është zbardhur vetëm sipërfaqësisht nga Shtëpia e Bardhë.
Në përpjekje për të sinjalizuar veprim më të gjerë kundër vendeve dhe zyrtarëve, Blinkeni ka shpalosur një kategori shtesë të sanksioneve, të emërtuara si “Ndalesa Khashoggi”, për kufizimin e së drejtave për viza të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në përpjekjet e sponsorizuara prej shtetit për keqtrajtimin, burgosjen apo dëmtimin e gazetarëve dhe disidentëve përreth botës. Nëpërmjet një deklarate, Blinken ka bërë të ditur se 76 sauditë do të jenë të parët që penalizohen në këtë mënyrë. Derisa ndalesat fillestare do të zbatohen ndaj sauditëve, zyrtarët kanë thënë se ato shumë shpejt do të përdoren kudo përreth botës.
Pak orë pas publikimit të raportit dhe masave të reja, Qeveria saudite ka adresuar një përgjigje të sertë.
“Mbretëria e Arabisë Saudite e kundërshton tërësisht vlerësimin negativ, të rremë dhe të papranueshëm në raportimin që penetron tek udhëheqja e Mbretërisë dhe cek se raporti përmban informata dhe konstatime të pasakta”, thuhet në një reagim të monarkisë. “Është përnjëmend e pafat që ky raport, me konstatimet e pajustifikuara dhe të pasakta, lëshohet derisa Mbretëria kishte denoncuar qartë këtë krim të urryer dhe udhëheqja e Mbretërisë ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar që një tragjedi e tillë të mos ndodhë më kurrë”.
Bideni dhe ndihmësit e tij vazhdimisht kishin pretenduar se synojnë që të marrin qëndrim më të ashpër karshi sauditëve sesa që kishte presidenti Trump, i cili kishte përdorur veton për ligjin e miratuar në të dyja dhomat e Kongresit për bllokimin e shitjes së armëve Arabisë Saudite.
Si rrjedhojë e masave tejet fleksibile dhe publikimit të raportit mbi vrasjen e Khashoggit, grupet e të drejtave të njeriut kanë bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara duhet të deklarojnë se ngrirja e ofensivës së armëve me Arabinë Saudite nuk do të hiqet për aq kohë sa sauditët vetë nuk i nxjerrin para drejtësisë të gjithë të implikuarit për vrasjen, “përfshirë princin e kurorës”.