Është kjo një problematikë e kahershme me implikime reale mbi jetët e miliona qytetarëve, që përcakton gjithçka, duke nisur prej ngritjes së pagave minimale e deri te votimet. Ajo do ta formësojë gjithashtu aftësinë e Bidenit për t’i mbajtur të bashkuara dy degët e Partisë Demokratike: të moderuarit dhe progresistët me qëndrime jo rrallë përplasëse. E Bideni – i cili ka kaluar katër dekada si senator dhe flet për Senatin me nderim – është shumë larg gjetjes së një rruge të ndërmjetme
Washington, 27 shkurt (AP) – Ambiciet e hershme të presidencës së Joe Bidenit po përplasen një pas një dhe ngutshëm në murin arkaik të rregullave të Senatit, duke e vënë në sprovë gatishmërinë e tij për ta rindërtuar institucionin në synimin e përmbushjes së shumë prej premtimeve që u ka dhënë amerikanëve.
Është kjo një problematikë e kahershme me implikime reale mbi jetët e miliona qytetarëve, që përcakton gjithçka, duke nisur prej ngritjes së pagave minimale e deri te votimet. Ajo do ta formësojë gjithashtu aftësinë e Bidenit për t’i mbajtur të bashkuara dy degët e Partisë Demokratike: të moderuarit dhe progresistët me qëndrime jo rrallë përplasëse.
Bideni – i cili ka kaluar katër dekada si senator dhe flet për Senatin me nderim – është shumë larg gjetjes së një rruge të ndërmjetme.
Demokratët liberalë i duartrokitën gatishmërisë së tij që të shkojë kokë më vete në jetësimin e planit 1.9 trilionë dollarësh të rimëkëmbjes nga pandemia, duke e përqafuar një opsion të njohur si bashkërendimi buxhetor që e lejon kalimin e disa ligjeve me shumicë të thjeshtë – me fjalë të tjera, pa ndonjërën prej votave republikane. Por ky shteg vjen i shoqëruar edhe me kufizime, përfshirë rregullat e ashpra në atë se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të përfshihet në një pako.
Pranimi i realitetit

Gjatë së enjtes, ligjvënësit në Senat dekretuan se dispozita e pagës minimale prej 15 dollarësh ishte jashtë çdo kufiri, duke i nxitur disa demokratë që t’i bëjnë thirrje Bidenit për t’i sforcuar kufijtë përsëri. Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, duke aluduar në respektin që presidenti ka për “procesin e Senatit”.
Përfundimisht, pakoja e ndihmave për COVID-19 u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve me 219 vota për dhe 212 kundër në orët e para të së shtunës dhe tani është pothuajse e sigurt se do të miratohet edhe në Kongres, edhe në rast se disa demokratë shprehin kundërshtime.
Mirëpo shtegu i ecjes përpara për Bidenin vetëm se po bëhet më i mundimshëm, duke pasur parasysh shumicën e ngushtë të demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, si dhe në Senat, sikurse sinjalet e pakta të interesimit të republikanëve për rishikimin e ligjit për ndryshime klimatike, riformësimin e asaj për imigracionin, si dhe reformat zgjedhore.
Këto masa kryesisht ngelin jashtë rregullave të pajtimit, gjë kjo që do të thotë se Bideni ose duhet që ta gjejë një mënyrë për t’i pajtuar senatorët centristë republikanë apo që t’i aktiviziojë politikat, të cilat do të hapnin rrugën që të gjitha ligjet të kalohen me 51 vota.
Për disa demokratë, ndërmarrja e këtij hapi përkon me pranimin e realitetit se çfarë janë dhe çfarë nuk janë republikanët të gatshëm që t’i japin Bidenit.
“Demokratët kanë bërë shumë premtime për fitoren e Dhomës, Senatit dhe Shtëpisë së Bardhë”, ka thënë përfaqësuesja Pramila Jayapal, demokrate nga Washingtoni. “Andaj do të na duhet që të marrim vendim. A do t’u përmbahemi këtyre rregullave ose në fakt do t’i përdorim mjetet e Qeverisë për të bashkëpunuar me njerëzit? Për mua, kjo nuk është radikale – është qeverisje”.
Ndërlikimi i matematikave
Bideni, i cili ka prezantuar veten para votuesve si një kandidat që mund t’i kapërcejë ndasitë partiake në Washington, deri më tani ka sugjeruar se është i prirë që të luajë sipas rregullave dhe t’i bindë republikanët, të cilët janë të vullnetshëm për të bashkëpunuar me të.
Por matematikat ndërlikohen bukur shpejt. Me Senatin që aktualisht është i ndarë në 50-50, Bidenit i nevojitet mbështetja e 10 republikanëve për ta kaluar ligjin madhor. Megjithëkëtë, akëcili veprim që mund ta ndërmarrë për ta siguruar një fitore kundruall republikanëve mund ta vërë në rrezik mbështetjen e senatorëve liberalë.
Matt Bennett, drejtori ekzekutiv i “Third Way”, një organizatë kjo centriste e matjes së opinionit publik, ka bërë të ditur se sheh një dozë vlere në matjen e gatishmërisë së republikanëve për të punuar bashkë me të gjatë javëve të hershme të administratës së tij. Por pa një të çarë domethënëse në murin mbrojtës të republikanëve, Bennett ka thënë se ruajtja e baraspeshës do ta linte Bidenin pothuajse pa shanse që ta miratojë agjendën e tij legjislative para zgjedhjeve të mesmandatit më 2022.
“Nëse pengesat mbesin, atëherë ai do të duhet që ta bëjë atë që (ish-presidenti Barack) Obama e kishte bërë për gjashtë vjet, e që është përdorimi i kompetencave ekzekutive për ta zgjeruar aftësinë e tij dhe për të shpresuar se mund të nxjerrë rezultat më të mirë në zgjedhjet e mesmandatit, me diç më tepër vota”, ka thënë Bennett.
Ç’është e vërteta, është ky mësimi nga vitet e Obamas që ka ndryshuar qëndrimet e shumë demokratëve lidhur me baraspeshën, duke përfshirë edhe ish-presidentin.
Obama e kishte nisur mandatin e tij me një shumicë të lakmueshme prej 60 votash në Senat, gjë kjo që ia mundësoi kalimin e pakos së shpëtimit në kohë recesioni, si dhe rishikimin e përkujdesjes shëndetësore pa ndonjë votë republikane apo ndryshim rregullash. Por kjo shumicë është tkurrur pas dy vjetëve të tij në Senat, siç ishte tkurrur edhe aftësia e tij për ta miratuar ndonjë ligj.
Vitin e shkuar Obama e quajti këtë balancë si relikt dhe ka thënë se është përdorur për të bllokuar votimet e legjislacioneve, andaj dhe duhet të eliminohet.
Por nuk ka më konsensus përbrenda Partisë Demokratike për një rrugë të ecjes përpara.
Dy senatorë të fuqishëm, të moderuar – Joe Manchini nga Virginia Perëndimore dhe Kyrsten Sinema nga Arizona – janë prijësit e kundërshtimit të kësaj mase balancuese. Të tjerët ende pritet që ta artikulojnë qëndrimin e tyre.
Të dy partitë i janë shmangur shpërfaqjes së qëndrimeve rreth çështjes për vite me radhë.
Më 2013, lideri i atëhershëm i shumicës në Senat, Harry Reid, një demokrat, i dha fund masës nëpërmjet konfrontimit të votave për degën ekzekutive dhe disa të nominuarve juridikë. Më 2017, Partia Republikane, në kohën e republikanit Mitch McConnell në krye të Senatit, iu shmang kërkesën për 60 vota për të nominuarin në Gjykatën Supreme.
Shumë demokratë besojnë se Bideni do të duhet që shumë shpejt t’i kundërvihejt kësaj çështjeje. Demokratët shumë shpejt do të nisin që ta çojnë përpara një pako të gjerë mbi zgjedhjet dhe etikën, e cila nga shumëkush në parti shihet si baraspeshë për kufizimet në votim që po ndiqen nga republikanët në çdo nivel shtetëror.
Ligjvënës republikanë e kanë cilësuar masën si një ndërmarrje federale për zgjedhjet, ndërsa grupet konservatore janë zotuar që të shpenzojnë miliona për ta luftuar.
“Kjo gjë do të kërkojë udhëheqje presidenciale”, ka thënë Tre Easton, këshilltar i lartë në “Battle Born Collective”, një grup progresist që po insiston për baraspeshën. “Presidenti Biden ka për ta bërë goxha herët një zgjedhje, mbase shumë më herët sesa që ka dashur, lidhur me atë se sa larg synon që të shkojë”.