Botë

Sulmi në Siri, mesazh i Bidenit për Iranin

Sulmet afër Abu Kamalit në Siri përbëjnë një sinjal të vogël që tregon se administrata Biden nuk “turpërohet” të përdorë armët dhe që demonstron se sulmet mbi personelin e SHBA-së prodhojnë pasoja. Por ato rezultuan minimalisht vrastare, sa mund të ishin

Washington, 26 shkurt – Në përpjekjen e tejzgjatur për të parë se kush do t’i përpëlisë i pari sytë – Teherani apo administrata e presidentit Joe Bideni – sulmet e së enjtes vonë mbi militantët e mbështetur nga Irani në Siri janë veçse një “insekt” i vogël që fluturon në horizontin e të dy palëve. Nuk do të ndryshojë shumëçka, por është një rikujtues se herët apo vonë ndonjëri duhet t’i mbyllë sytë.

Me këtë përshkrim, agjencia amerikane e lajmeve CNN ka nisur analizën e saj për sulmin e parë ajror të autorizuar nga administrata e re amerikane mbi militantët e përkrahur nga Irani në Siri.

“Si presidenti amerikan Joe Biden, ashtu edhe udhëheqja në Iran do ta parapëlqenin një botë me marrëveshjen e ringjallur të frenimit të armëve bërthamore të Iranit, sesa atë pa të. Shtegu i rrugëtimit është i qartë, mirëpo dritat e trafikut janë ndezur në të kuqen, dhe krateret e bombave tani janë hapur në rrugë”, ka shkruar CNN.

Sulmet afër Abu Kamalit në Siri përbëjnë një sinjal të vogël që tregon se administrata Biden nuk “turpërohet” të përdorë armët dhe që demonstron se sulmet mbi personelin e SHBA-së prodhojnë pasoja. Por ato rezultuan minimalisht vrastare, sa mund të ishin.

Ellie Geranmayeh, një anëtar i lartë politik në Këshillin e Evropës për Marrëdhënie me Jashtë, ka thënë për CNN se teksa është jorealiste se SHBA-ja dhe Irani do të ndalojnë së konkurruari për ndikim rajonal, “është e arsyeshme të pritet që t’i mbajnë ato të izoluara prej shtegut të ujdisë, që është në interesin e dyanshëm të tyre”.

Interesat e dyanshme, sipas analizës së CNN-së, janë të qarta. Marrëveshja bërthamore është mënyra më e lehtë për ta kuptuar synimin e përbetuar të SHBA-së për ta frenuar Iranin në synimin për të siguruar armë bërthamore. Dhe derisa Irani është i zëshëm në kundërshtimin e sanksioneve të vendosura ndaj saj, është kristal e qartë se ekonomia e saj dhe përgjigjja ndaj COVID-19 do të kalonte shumë më mirë pa peshën rënduese të tyre.

Që nga ardhja në detyrë, Bideni ka rrethuar veten me ekspertë të çështjeve të Iranit – sekretari i tij i Shtetit, Antony Blinken, dhe i nominuari për shef të CIA-s, Bill Burns, kishin ndikim të theksueshëm në përpilimin e marrëveshjes fillestare të 2015-s.

“I vetmi dhe më i vogli rrezik në gjithë këtë ekip me pedigre është se e nënvlerëson dëmin që katër vjetët nën Trumpin i kanë shkaktuar besimit në diplomacinë e kujdesshme amerikane”, thuhet në analizën e CNN-it.

Si rrjedhojë e tyre, inspektimet e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike janë penguar. Irani madje ka filluar punimet në pasurimin e uraniumit.

“Me këto, Irani qartazi synon që t’ia fuqizojë vetes frerët që i ka në duar. Dhe mendoj se madje e ka tejfuqizuar”, ka thënë David Albright, nga Instituti për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare.

Ndërkaq, Geranmayehi i sheh veprimet përshkallëzuese të Iranit si “tejet të qëllimshme dhe të kalkuluara”.

“Ka shumëçka tjetër që Irani mund të bëjë për të arritur në nivelet e aktivitetit bërthamor të vitit 2013, por po përmbahet nga mbërritja deri në atë pikë”, ka thënë ai për CNN.

Në kuadër të hapave të radhës, Bashkimi Evropian ka sugjeruar mbajtjen e takimeve joformale me SHBA-në, në synimin për t’i dhënë shtysë diplomacisë.

Ali Vaez, drejtor i Projektit Iran në Grupin e Krizës, ka thënë se propozimi i ka vënë iranianët “në një linjë”.

“Pjesëmarrja në bisedime pa zbutjen e sanksioneve që ata kërkojnë mund të interpretohej si dëshmi e dëshpërimit të tyre në Washingtonin, dhe në rast se nuk marrin pjesë, do të mund të perceptoheshin ndërkombëtarisht si pala në faj”, ka thënë ai.

Vaez megjithatë ka shprehur “optimizëm të matur” për sa u përket gjasave për mbajtjen e një takimi të tillë. Sipas tij, telashet mund të ndodhin më vonë, kur ekipi i Bidenit e shpreh qartazi se dëshiron për ta zgjeruar Marrëveshjen bërthamore.

Sulmet e së enjtes në kufirin Irak-Siri nuk e përfaqësojnë një kërcënim ekzistencial për diplomacinë me Iranin. Marrëveshja bërthamore ishte destinuar për ta trajtuar rrezikun e sigurimit të një arme bërthamore nga Irani dhe jo për cungimin e ndikimit të tij më të gjerë rajonal apo sigurimit të programeve të armëve të tjera konvencionale.

Megjithëkëtë, sipas CNN-it, ato e demonstrojnë shprehinë e paparashikueshmërisë së rajonit dhe sesi kjo gjë mund t’i rrezikojë shtigjet e demokracisë që dukeshin të garantuara dhe të qarta, por të cilat mund të devijohen nga tundimet që kanë tendencë të përshkallëzimit të marrëdhënieve.