Të dhënat e hapura me urdhrin e së hënës nga Gjykata Supreme, në të cilat përfshihen dosjet mbi tatimet tetëvjeçare të ish-presidentit amerikan, mund t’i fuqizojnë hetimet e prokurorëve mbi organizatën “Trump”
Washington, 25 shkurt – Pas një beteje të gjatë gjyqësore, prokurori i Qarkut në Manhattan është vënë në posedim të të dhënave mbi taksat dhe llogaritë e tjera financiare të Donald Trumpit, si pjesë e një hetimi kriminal ndaj ish-presidentit dhe organizatës së tij afariste, ka bërë të ditur të enjten një zëdhënës i zyrës së prokurorisë në New York.
Kjo zyrë kishte siguruar të dhëna voluminoze gjatë së hënës, të njëjtën ditë kur Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e hodhi poshtë përpjekjen e fundit të Trumpit për t’i mbajtur mbyllur të dhënat e tija në kompaninë e tij të kontabilitetit “Mazars USA”.
Danny Frost, një zëdhënës i prokurorit të Manhattanit, Cyrus Vance, ka konfirmuar se zyra ka pranuar dokumentet, të cilat janë publikuar rreth 18 muaj pas thirrjes për hapje.
Të dhënat, të cilat përfshijnë dosjet mbi tatimet tetëvjeçare, mund t’i fuqizojnë hetimet e prokurorëve mbi organizatën “Trump”.
Për dallim prej të gjithë presidentëve të tjerë amerikanë, Trump kishte refuzuar publikimin e kthimeve tatimore. Të dhënat mund të ofrojnë hollësi mbi pasurinë dhe aktivitetet e tija në kuadër të kompanisë familjare të patundshmërive.
Një zëdhënës i “Mazars USA” nuk u është përgjigjur kërkesave për ta komentuar rastin. Të hënën, pas vendimit të Gjykatës Supreme, Trump ka publikuar një deklaratë, në të cilën hetimet e Vances i ka quajtur pjesë “të Gjahut më të madh politik të Shtrigave në historinë e SHBA-së”.
Vance ka kërkuar më 2019 që “Mazars” të hapë të dhënat tatimore personale dhe atyre të korporatës së Trumpit nga viti 2011 deri më 2018. Avokatët e Trumpit kishin ngritur padi, duke argumentuar se një president në detyrë gëzon imunitet nga hetimet për krime shtetërore.
Gjykata Supreme i hodhi poshtë këto argumente në korrik, por ka bërë të ditur se Trumpi mund të paraqesë kundërshtim tjetër. Pas kësaj, avokatët e tij pretenduan para gjykatave më të ulëta se thirrja ishte e tepruar dhe përbën ngacmim politik, mirëpo edhe ky argumentim është hedhur poshtë vitin e shkuar.
Hetimet e Vances përqendrohen fillimisht në pagesat e paligjshme që ish-avokati i Trumpit, Micahel Cohen, i ka bërë para zgjedhjeve të 2016-s aktores së filmave për të rritur, Stormy Daniels dhe ish-modeles së “Playboyit”, Karen McDougal. Të dy gratë kanë pretenduar të kenë pasur marrëdhënie seksuale me Trumpin, të cilat ai i hedh poshtë.
Vance më vonë ka sugjeruar se hetimet janë zgjeruar dhe se mund të përqendrohen në mashtrime potenciale bankare, tatimore dhe me sigurime, si dhe me falsifikimet e të dhënave afariste.