Botë

Izraeli aktivizon qendrën sekrete të bombave atomike

Me plutonium nga Dimona, Izraeli besohet se ka hyrë në mesin e nëntë shteteve të armatosura bërthamore në botë. Duke e ditur sekretin përreth programit, mbetet e paqartë se sa armë zotëron. Analistët vlerësojnë se Izraeli ka material për të paktën 80 bomba

Dubai, 25 shkurt (AP) – Një strukturë bërthamore krejtësisht sekrete e Izraelit, që ka për bazë programin e armëve të asgjësimit në masë, është duke iu nënshtruar një rokade të ndërtimit në dekadat e fundit, kanë treguar pamjet satelitore të analizuara nga “The Associated Press”.

Një hapësirë e gërmuar sa madhësia e një fushe futbolli dhe shumë e thellë gjendet vetëm pak metra nga reaktori i moçëm i Qendrës së Kërkimit Bërthamor “Shimon Peres Negev” në afërsi të qytetit të Dimonas. Objekti është seli e laboratorëve nëntokësorë me dekada i vjetër. Laboratorët ripërpunojnë shufrat e shpenzuara të reaktorit për të marrë plutonium në nivel të lartë për programin e bombave bërthamore të Izraelit.

Mirëpo se çfarë po ndërtohet në afërsi të qendrës, mbetet ende e paqartë. Qeveria izraelite nuk u është përgjigjur pyetjeve të AP-së lidhur me aktivitetet që po zhvillohen aty. Nën politikën e mjegullt bërthamore, Izraeli nuk pohon dhe as mohon të ketë armë atomike. Është në mesin e vetëm katër vendeve që nuk i janë bashkuar kurrë Traktatit për armët bërthamore. Kjo është një marrëveshje ndërkombëtare e rëndësishme për të ndaluar përhapjen e armëve bërthamore.

Ndërtimi në qendrën sekrete ka nisur në periudhën, kur Izraeli nën kryeministrin Benjamin Netanyahu ka vazhduar kritikat e ashpra ndaj programit bërthamor të Iranit, i cili po mbikëqyret rreptë nga inspektorët e Kombeve të Bashkuara, ndryshe prej qendrës izraelite që deri më tani ishte sekrete. Gërmimet kanë nxitur thirrjet e ekspertëve që Izraeli publikisht të pranojë se ka program të vetin bërthamor.

Image

Në hije

“Ajo që Qeveria izraelite po bën në këtë fabrikë sekrete të armëve bërthamore është diçka për të cilën Qeveria izraelite duhet të dalë hapur”, ka thënë Daryl G. Kimball, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Kontrollit të Armëve me seli në Washington.

Me ndihmën e francezëve Izraeli kishte filluar të ndërtonte fshehurazi qendrën bërthamore në fund të viteve 1950, në një shkretëtirë në afërsi të Dimonas, një qytet ky rreth 90 kilometra në jug të Jerusalemit. Izraeli për vite me radhë e fshehu qëllimin ushtarak të qendrës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleate kryesore e Izraelit. Madje, kësaj qendre i referohet si një fabrikë tekstili.

Me plutonium nga Dimona, Izraeli besohet se ka hyrë në mesin e nëntë shteteve të armatosura bërthamore në botë. Duke e ditur sekretin përreth programit, mbetet e paqartë se sa armë zotëron. Analistët vlerësojnë se Izraeli ka material për të paktën 80 bomba. Këto armë mund të barten me raketa balistike me bazë tokësore, avionë luftarakë ose nëndetëse.

Për dekada me radhë, shtrirja e objektit në Dimona ka mbetur e njëjtë. Ama, gjatë javës së kaluar, Paneli Ndërkombëtar i Materialeve të Zbërthyeshme në Universitetin e Princetonit, nëpërmjet pamjeve satelitore, ka vërejtur një hapësirë të re ndërtimore. Me këto pamje mund të ofrohen disa hollësi mbi qendrën bërthamore.

Imazhet satelitore të kapura të hënën nga “Planet Labs Inc”, pas një kërkese nga AP -ja për të siguruar pamje të qarta të aktivitetit. Vetëm në jugperëndim të reaktorit, punëtorët kanë hapur një gropë rreth 150 metra të gjatë dhe 60 metra të gjerë. Tuba e madhe e dheut nxjerrë nga gërmimi mund të shihet shumë pranë vendit. Një hendek rreth 330 metra është shumë afër vendit të gërmimit.

Rreth dy kilometra në perëndim të reaktorit, kutitë janë grumbulluar në dy vrima drejtkëndëshe që kanë baza betoni. Grumbulli i dheut edhe këtu shihet afër vendit të gërmimit. Baza të ngjashme betoni përdoren shpesh për të varrosur mbetjet bërthamore.

Objekte të reja

Pamjet e tjera nga Planet Labs bëjnë me dije se gërmimi pranë reaktorit nisi në muajt e parë të vitit 2019 dhe që prej asaj kohe ka përparuar dalëngadalë.

Analistët kanë ofruar disa mendime në lidhje me atë që po ndodh në qendrën e pretenduar bërthamore në Izrael.

Reaktori i rëndë me ujë ka funksionuar që nga vitet 1960, shumë më gjatë se shumica e reaktorëve të së njëjtës epokë. Kjo ngre pyetje për efektin dhe sigurinë e qendrës bërthamore. Në vitin 2004, ushtarët izraelitë filluan të shpërndanin pilula jodi në Dimona në rast të një rrjedhjeje radioaktive nga objekti. Jodi ndihmon në bllokimin e trupit nga thithja e rrezatimit.

Këto shqetësime të sigurisë mund të shtyjnë autoritetet që ta çaktivizojnë apo ta rikonstruktojnë reaktorin, kanë thënë analistët.

“Besoj se Qeveria izraelite është e shqetësuar për të ruajtur dhe mirëmbajtur aftësitë aktuale bërthamore të vendit”, ka thënë Avner Cohen, profesor i studimeve të përhapjes së armëve në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare Middlebury në Monterey. Profesori Cohen ka shkruar gjerë e gjatë për Dimonan.

“Nëse me të vërtetë reaktori Dimona po i afrohet më shumë çaktivizimit, pasi besoj se po, do të pritej që Izraeli të sigurohej që funksione të caktuara të reaktorit, të cilat janë ende të domosdoshme, do të zëvendësohen plotësisht”, ka thënë Cohen.

Kritika ndaj Iranit

Kimball nga Asociacioni i Shoqatës së Kontrollit të Armëve ka sugjeruar se Izraeli synon që të prodhojë më shumë tritium, nënprodukt radioaktiv me prishje relativisht më të shpejtë, i cili përdoret për të rritur rendimentin shpërthyes të kokave bërthamore. Sipas tij, Izraeli gjithashtu kërkon plutonium të freskët “për të zëvendësuar ose zgjatur jetën e kokave të arsenalit bërthamor”.

Izraeli krijoi armët e veta bërthamore, në kohën kur përballej me një sërë luftërash me fqinjët arabë që nga fillimi i konflikteve në vitin 1948, pas Holokaustit. Një program i armëve atomike, madje i padeklaruar, i siguroi avantazh për t’ua ndalur hovin armiqve.

Teksa Shimon Peresi, i cili udhëhoqi programin bërthamor dhe më vonë shërbeu si kryeministër dhe president i Izraelit, kishte thënë më 1998: “Kemi ndërtuar një opsion bërthamor, jo për të pasur një Hiroshima, por për të pasur një Oslo”, duke iu referuar të dy rasteve: lëshimit të bombës së parë bërthamore në Luftën e Dytë Botërore dhe përpjekjeve të Izraelit për të arritur një marrëveshje paqeje me palestinezët.

Por strategjia e errësirës që përdori Izraeli tërheq kritika edhe nga kundërshtarët.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, rroku në vëmendje punën në Dimona, kur shteti i tij po përgatitet që të kufizojë bombat bërthamore nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e Kombeve të Bashkuara në periudhën e tensioneve me Perëndimin mbi marrëveshjen e saj bërthamore të vitit 2015.

“Çdo bisedë rreth shqetësimit në lidhje me programin bërthamor të Iranit është marrëzi absolute”, ka thënë Zarif. “Le të jemi të qartë për këtë: është hipokrizi”.

Periudha e ndërtimeve në Dimona ka befasuar Valerie Lincyn, drejtoreshë ekzekutive e Projektit Wisconsin për Kontrollin e Armëve Bërthamore në Washington.

“Mendoj se gjëja më e çuditshme është ... ju keni një vend që është shumë i vetëdijshëm për fuqinë e imazheve satelitore dhe veçanërisht mënyrën se si monitorohen armët e tilla, duke përdorur ato pamje”, ka thënë Lincy. “Në Izrael, ju keni një objektiv të njohur bërthamor për monitorim, i cili është reaktori Dimona. Kështu që do të mendonit se gjithçka që ata donin të mbanin nën radar do të mbahej nën radar”.

Në vitet ‘60 Izraeli përdori pretendimet rreth Egjiptit për raketat dhe përpjekjet bërthamore për të larguar vëmendjen nga angazhimet në Dimona dhe tani mund të vendosë të bëjë të njëjtën gjë me Iranin.

“Nëse jeni Izraeli dhe do t’ju duhet të ndërmerrni një projekt të madh ndërtimi në Dimona që do të tërheqë vëmendjen, kjo është ndoshta koha që ju do të bërtisni më shumë për iranianët”, ka thënë Jeffrey Lewis, profesor dhe njohës i çështjeve me armët bërthamore.