Botë

Irani ia ndalon IAEA-së inspektimet në uzinat bërthamore

Irani ka filluar zbatimin e një ligji të miratuar në Parlament që ia ndalon OKB-së inspektimin e programit të tij bërthamor, ka konfirmuar të martën ministri i Jashtëm, Mohammad Javad Zarif.

Veprimi konsiderohet si presion ndaj Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e sanksioneve ekonomike dhe ringjalljen e marrëveshjes së vitit 2015, që e parashihte frenimin e ambicieve bërthamore të Iranit.

Ministri Zarif ka thënë se Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike do t’i bllokohet qasja në rrjetin e kamerave të sigurisë në uzinat e vendit. Organizata e Energjisë Atomike në Iran, agjenci kjo civile bërthamore, ka premtuar që t’i mbajë xhirimet për tre muaj dhe më pas t’ia dorëzojë ato agjencisë së OKB-së, por vetëm në rast se sanksionet hiqen.

Aktualisht, 18 uzina bërthamore dhe nëntë lokacione të tjera në Iran janë vënë nën garancitë e IAEA-së.

Zmbrapsja e Iranit nga zotimet bërthamore ka ndodhur qëkur ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka tërhequr njëanshëm SHBA-në nga marrëveshja bërthamore me Iranin, e arritur në bashkëpunim edhe me Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, Rusinë dhe Kinën.