Botë

Një i akuzuar deklarohet fajtor për vrasjen e gazetares së njohur malteze

Një nga tre të akuzuarit për vrasjen e gazetares investigative në Maltë, Daphne Caruana Galizia, në vitin 2017, është dënuar me 15 vjet burgim pasi është deklaruar fajtor ndaj akuzave, raporton BBC. 

Vincent Muscat ka pranuar se ishte përfshirë në sulmin me bombë në veturë, që vrau gazetaren malteze.

Shumë dyshojnë se vrasja ishte urdhëruar nga figurat më të larta në Maltë.

E quajtur si “gruaja e Wikileaksit”, Caruana Galizia, zbuloi rrjete të korrupsionit në Maltë dhe më gjërë.

Muscat vendosi të ndryshonte deklarimin dhe të deklarohej fajtor të martën, në një ndryshim dramatik në këtë rast, ndërsa u pajtua të ofronte edhe informata për vrasjen. Ai duhet të paguajë 42 mijë euro për shpenzime gjyqësore.

Dy të akuzuarit tjerë, vëllezërit George dhe Alfred Degiorgio, që janë në të 50-tat, po ashtu ishin në sallën e gjyqit sot, por nuk folën.

Caruana Galizia ishte 53-vjeçare kur vdiq, ndërsa kishte kaluar 30 vjet si gazetare.

Ish-kryeministri i Maltës, Joseph Muscat, ka dhënë dorëheqje në dhjetor të vitit 2019 pasi një hetim kishte implikuar këshilltarët e tij të ngushtë në këtë vrasje.