Botë

Ekuador: Garë e ngushtë për vendin e dytë në zgjedhjet presidenciale, rinumërohen votat

Këshilli Kombëtar i Zgjedhjeve në Ekuador njoftoi se do të bëjë rinumërim të pjesshëm të votave të zgjedhjeve presidenciale të së dielës me kërkesën e dy kandidatëve që po luftojnë për vendin e dytë e që kanë shumë pak dallim në vota.

Mbrojtësi i mjedisit, Yaku Perez, dhe ish-bankieri i së djathtës, Guillermo Lasso, paraqitën kërkesa për rinumërim për shkak të garës shumë të ngushtë mes vete.

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Zgjedhjeve, Diana Atamaint, tha se do të bëhet rinumërimi i të gjitha votave në provincën Guayas dhe rinumërimi i 50 për qind të votave në 16 provinca të tjera, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Beteja për vendin e dytë e ka mbajtur vendin në pezull për ditë me radhë dhe ka ngritur pikëpyetje në lidhje me drejtësinë e procesit zgjedhor.

Kandidati që mori më së shumti vota nuk e ka kaluar pragun prej 50 për qind që të shpallet president në rundin e parë. Vendi do të shkojë në balotazh në prill.

Pas numërimit të 99.99 për qind të votave, kandidati me më së shumti vota është Andres Arauz me 32.6 për qind. Në vendin e dytë është Guillermo Lasso me 19.7 për qind, ndërsa i treti Yaku Perez me 19.5 për qind.