Me sondazhet që tregojnë ngritjen e mbështetjes publike për dënimin e Trumpit, procesi do të jetë gjithashtu një moment i rëndësishëm në ndarjen e fajit për presidencën e Trumpit dhe formësimin e politikës amerikane për vjetët pasues
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përballen në javën vendimtare me trashëgiminë e re dhe shkatërruese të Donald Trumpit.
Ish-presidenti do të ballafaqohet me procesin e dytë të “impiçmentit” brenda një mandati për shkak të kaosit që nxiti në Kongres dhe tentimit për të vjedhur zgjedhjet që kanë plagosur rëndë demokracinë amerikane.
Pasardhësi i tij, Joe Biden, ka ashpërsuar tentimet për të dalë nga krizat që Trumpi i la prapa vetes, teksa varianti i ri i koronavirusit po i plandos lajmet e mira në betejën kundër pandemisë bashkë me miliona amerikanët e përfshirë në uri dhe të ngelur pa punë. Madje edhe larg shkollave.
një analizë, agjencia CNN ka shkruar se nuk ka asgjë normale në një moment ekstrem të historisë moderne të Amerikës, në të cilën sistemit politik i është zënë fryma nga ekstremizmi, e vërteta është sulmuar dhe që mezi po i shpëton murtajës një në 100 vjet.
“Fiks një vit e katër ditë pasi asokohe presidentin Trump e shpëtoi Senati me shumicë republikane nga akuzat për krime, dhoma tani e drejtuar nga demokratët do të nisë gjykimin të martën në lidhje me nxitjen e përkrahësve që t’ia mësyjnë Kongresit. Gjykimi pritet të zgjasë disa javë”, shkruan CNN.
Procedura e asaj që konsiderohet si gjykim do ta ndriçojë ndikimin tërheqës, por edhe keqdashës të Trumpit mbi Washingtonin, tri javë pas largimit të tij nga posti. Kjo procedurë gjithashtu do të sfidojë përpjekjet e Bidenit për të krijuar presidencën e tij të re.
Kapitulli i fundit i një presidence përçarëse
Agjencia e lajmeve CNN shkruan po ashtu se Trumpi ka refuzuar që personalisht të kthehet në skenë, duke dëshmuar për mbrojtjen e vet. Por spektakli i paparë ndonjëherë i një ish-komandanti të ushtrisë amerikane që të mbahet përgjegjës për krimet kundër kushtetutës përmes procesit të impiçmentit – edhe nëse lirohet nga akuzat, siç edhe pritet të ndodhë – do të jetë kapitulli i fundit i një presidence që ende kërcënon ta bëjë copash shtetin.
“Procesi i gjykimit shënon majën e dështimit të Partisë Republikane që të marrë përgjegjësi për një lider, lidhjet e të cilit me përkrahësit i dhanë bazë për mosndëshkim dhe i ekspozuan të metat fatale në kontrollin dhe ekuilibrin e sistemit politik në SHBA”, ka shkruar CNN.
“Shumica e senatorëve republikanë kanë paralajmëruar se ende nuk kanë vendosur se si do të votojnë lidhur me shkeljet e Trumpit dhe se do të strehohen në argumentet e dyshimta kushtetuese se procesi ndaj presidentit teksa është në zyrë nuk mund të cilësohet si gjykim ndaj një qytetari privat”, shkruan në analizën e CNN-it.
Plani i demokratëve
Demokratët janë gati të sigurt se do të privohen nga shumica e dy të tretave të nevojshme për ta fajësuar dhe për t’ia pamundësuar angazhimin e sërishëm Trumpit në zyrë federale.
“Demokratët po planifikojnë të prezantojnë një plan aq mallkues për tmerrin që ndodhi brenda Capitolit më 6 janar. Me këtë plan po shpresojnë ta njollosin politikisht Trumpin dhe t’i dëmtojnë republikanët që po e mbrojnë atë”, thuhet mes tjerash në analizën e CNN-it.
Mirëpo mbështetja e Trumpit mes senatorëve u lëkund fort gjatë javës së kaluar, kur u mbeti në dorë demokratëve që ta shkarkojnë përhapësen e teorive konspirative - përfaqësuesen republikane Marjorie Taylor Greene - nga posti në një komitet. Largimi nga posti u bë pas një serie të deklaratave të rrezikshme.
“Partia është e tija. Nuk i përket askujt tjetër”, u kishte thënë kongresistja gazetarëve.
“Ditët e ardhshme do ta nisin testin nëse vazhdimi i kultit të demagogut Trump është një bast i rrezikshëm afatgjatë në mesin e një elektorati të gjerë dhe të moderuar”, shkruan CNN.
Me sondazhet që tregojnë ngritjen e mbështetjes publike për dënimin e Trumpit, gjykimi gjithashtu do të jetë një moment i rëndësishëm në ndarjen e fajit për presidencën e Trumpit dhe formësimin e politikës amerikane për vitet që vijnë.
“Demokratët mund ta fitojnë gjyqin e opinionit publik. Për këtë shkak mendoj se gjykimi do të jetë pjesë e rëndësishme e peizazhit tonë politik”, ka thënë David Gergen, këshilltar i katër presidentëve dhe komentues politik për CNN-in. “Do të jetë një mundësi për demokratët që një herë e përgjithmonë të dihet se nuk kishte manipulime dhe se Joe Bideni është zgjedhur ligjshëm dhe ata që tentuan të vidhnin këto zgjedhje janë të njëjtit që sulmuan Capitolin”, ka shtuar Gergen për CNN-in.
Kritikat e Bidenit
Ndjesia se Amerika është në një pikë historike dhe çorientuese është thelluar edhe më shumë nga shpresat e gjallëruara nga rënia e rasteve të reja të koronavirusit, por ekziston frika se variantet e reja do të zbehin potencialin e vaksinave që janë çelës për fundin e katastrofës pandemike.
Bideni po kërkon përshpejtimin e shpërndarjes së vaksinës dhe është e qartë se po bëhet gati që ta miratojë pakon lehtësuese prej 1.9 trilionë dollarëve pa votat e republikanëve, me arsyetimin se miliona amerikanë po vuajnë.
Në intervistën e finales së futbollit amerikan të njohur si “Super Bowl”, presidenti u ngujua në praktikat e tij të bisedave të sinqerta për gjendjen e pandemisë derisa ofroi optimizëm për ditët e mira që mund të vijnë nëse Amerika është e bashkuar, mban maskë dhe Kongresi luan lojën e vet.
“Kur erdhëm në zyrë, një prej zhgënjimeve që patëm ishin rrethanat në lidhje me mënyrën e menaxhimit të pandemisë nga administrata e mëparshme. Forma ishte edhe më e tmerrshme sesa menduam”, ka thënë Bideni, i cili e kritikoi edhe një herë trashëgiminë e Trumpit që mohoi dhe politizoi virusin, prej të cilit të vdekur kanë mbetur më shumë se 463 mijë amerikanë.
Mirëpo presidenti ofroi shpresë të largët. Tha se stadiumi do të mund të jetë i mbushur me njerëz gjatë finales së vitit të ardhshëm.
“Shpresa dhe pritshmëria ime, nëse ia dalim së bashku dhe tejkalojmë krejt kohën e humbur ndaj COVID-it është se do të jemi në gjendje ta shikojmë ‘Super Bowl’ me një stadium plot”, ka thënë ai.
Teksa administrata po e shton presionin ndaj Kongresit, sekretarja e Thesarit, Jannet Yellen, ka thënë se, duke marrë parasysh shkallën e krizës ekonomike, rreziku i mosveprimit është më i rëndë se rreziku për të vepruar.
“Shtetet e Bashkuara mund t’i kthehen planit të plotë të punësimit gjatë vitit të ardhshëm nëse miratohet pakoja e ndihmave”, ka thënë Yellen për CNN-in. Disa senatorë republikanë ofruan pakon e vogël prej 600 miliardë dollarësh sa për të testuar zotimin e Bidenit për rivendosjen e unitetit politik. Mirëpo lëvizja e tyre shpërfaqi shkëputjen e thellë të perceptimit mes republikanëve dhe demokratëve për madhësinë e krizës ekonomike.
“Ekonomia po këndellet, ratat e kursyera janë në nivele rekorde.. ekonomia nuk është duke u kolapsuar”, tha senatori republikan nga Pennsylvania, Pat Toomey. “Sot kemi probleme serioze me punëtorët në restorante, gastronomi, udhëtime dhe ato të argëtimit. Këtu ka shumë biznese”, ka shtuar ai.
Ngutja e SHBA-së
SHBA-ja ndodhet ndërkohë në luftë me kohën për të krijuar imunitet të mjaftueshëm nga vaksinat, para se variantet e reja të virusit të ngrenë numrin e rasteve. Një studimi i ri ka treguar se varianti i zbuluar në Britani të Madhe, që ka shkallë më të lartë të infektimit dhe ndoshta edhe vdekjes, po përhapet me shpejtësi nëpër SHBA.
“Për t’i zbehur edhe më shumë shpresat se krizës do t’i vijë fundi, zyrtarët e Afrikës së Jugut kanë thënë se vaksina ‘Oxford’/’AstraZenecas’ ka ofruar mbrojtje minimale ndaj variantit të ri që është zbuluar në Afrikë”, ka shkruar agjencia.
“Është një lajm shumë i keq. Ani pse numri i rasteve të reja ka zbritur për gjysmë, ky është syri i një uragani dhe mur i madh që do të na godasë përsëri. Kjo goditje po vjen nga variantet e Britanisë dhe Afrikës së Jugut. Ndoshta edhe të dy do të jenë dominues”, ka thënë Peter Hotez, dekan i “National College of Tropical Medicine” në “Baylor College”.
Teksa virusi po vazhdon të jetë kërcënim, “impiçmenti” gjatë kësaj jave do të thithë krejt oksigjenin në Washington.
“Toomey, që nuk do të garojë në vitin 2022, është votë e mundshme për dënimin e Trumpit, duke marrë parasysh kritikat ndaj vendimeve të presidentit më 6 janar dhe tentim vjedhjes së zgjedhjeve të cilat qartë i fitoi Bideni. Mirëpo edhe vetë ai e ka pranuar se nuk ka gjasa të dënimit të Trumpit”, shkruan CNN.
“Do të dëgjoj të gjitha argumentet nga të dyja anët dhe do të marr një vendim, që mendoj se do të jetë i drejtë”, tha republikani nga Pennsylvania, duke shtuar se “në Partinë Republikane nuk do të ketë vend për njerëzit që besojnë në teoritë konspirative si ato QAnon”, aludim direkt për Greene dhe disa ndjekës të Trumpit.
Mirëpo senatori republikan Bill Cassidy kritikoi demokratët për procedurën e shpejtë të impiçmentit ndaj Trumpit që po përballet me akuzën e vetme të nxitjes së kaosit. “Nuk kishte proces. Nëse kjo do të ndodhte në Bashkimin Sovjetik do të quhej gjyq spektakël”, tha senatori nga Louisiana në televizionin NBC.
Në Dhomën e Përfaqësuesve, dhjetë republikanë iu bashkuan demokratëve për të përkrahur impiçmentin e dytë ndaj Trumpit. Përfaqësuesi Adam Schiff, që i priu procesit për impiçmentin e parë, mbrojti kolegët e tij ndaj “argumenteve të procesit” se impiçmenti i dytë ndaj Trumpit u bë me nguti.
“Çdo ditë me të si president, është edhe më rrezik për shtetin. Ne nuk mund të prisnim me javë apo muaj teksa ky njeri rrezikon shtetin. Kështu që vepruam me shpejtësi”, tha Schiff në emisionin “Meet dhe Press”.
Përfaqësuesja republikane, që i bëri ballë shkarkimit nga lidershipi republikan gjatë javës së kaluar, gjithashtu u censurua nga partia në shtetin e saj të Wyominugt, duke dyfishuar bastin se e fuqia e ardhshme në parti do të varet nga ata që përplasen me Trumpin.
“Dikush që nxiti sulmin ndaj Capitolit të Shteteve të Bashkuara për të parandaluar numërimin e votave elektorale, gjë që rezultoi me vdekjen e pesë personave, ai është person që nuk ka rol lideri të partisë sonë që po shkon përpara”, tha Cheney.
“Deklarata e saj vuri në pah faktin se gjykimi i Trumpit dhe trazirat e vazhdueshme në Partinë Republikane në lidhje me trashëgiminë e tij helmuese tregojnë se beteja për të ruajtur traditat e demokracisë amerikane nuk ka mbaruar, ani pse ai u largua nga posti i presidentit”, shkruan CNN-i.