Botë

Austriaku ia dhuron një fshati dy milionë euro, pasi e shpëtuan atë dhe familjen nga nazistët

Një austriak i ka lënë një amanet një fshati francez, si gjest mirënjohje dekada pasi banorët e fshatit strehuan familjen e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Le Chambon-sur-Lignon, në juglindje të Francës, ka mbrojtur mijëra hebrenj dhe ka reputacion të gjatë për mbrojtjen e njerëzve nga persekutimi.

Eric Schwam, që vdiq muajin e kaluar në moshën 90-vjeçare, shkoi me familjen e tij në fshatin francez në vitin 1943.

Kryetari i fshatit francez tha se ai i ka lënë fshatit një “shumë të madhe” në testamentin e tij, pa e konfirmuar shifrën e saktë.

Mirëpo, ish-kryetari i fshatit i ka thënë mediumeve franceze se Schwam ka kontaktuar zyrtarët disa vite më parë dhe totali thuhet se është rreth 2 milionë euro, raporton BBC.

Denise Vallat, asistente për kulturë dhe komunikim në Le Chambon-sur-Lignon, ka thënë se fshati është kontaktuar nga një noter tri javë më parë për të diskutuar për donacionin.

“Ai ishte zotëri shumë i matur dhe nuk donte shumë publicitet për gjestin e tij”, ka thënë Vallat për “France 3”. “Dihet pak për donatorin, por kemi bërë disa hulumtime”.

Sipas hulumtimit, familja e Schwamit ishte nga Vjena, ku babai i tij ishte mjek.

Ai arriti në këtë fshat në Francë në vitin 1943 me prindërit dhe gjyshen. Nuk është e ditur se si familja arriti atje, por më herët ishin mbajtur në kampin Rivesaltes, një kompleks ushtarak në jug të Francës, që ishte mbyllur në vitin 1942.

Sipas të dhënave, thuhet se prindërit e Schwamit u kthyen në Austri pas luftës, por ai u shpërngul në Lyon në vitin 1950 për të studiuar në drejtimin e farmacisë.

Atje ai u martua. Sipas raporteve lokale, çifti nuk kishte fëmijë dhe atij i kishte vdekur bashkëshortja, para se të vdiste vet më 25 dhjetor.

Kryetari i fshatit Jean-Michel Eyraud ka thënë për “AFP” se pasuria e dhuruar nga Schwami do të përdoret për të financuar në edukim dhe në iniciativa për rini.

Le Chambon-sur-Lignon ka një popullatë prej rreth 2500 banorëve, por ka reputacion për strehim të njerëzve qysh nga koha kur protestantët francezë “huguenotët” kishin ikur nga persekutimi fetar gjatë shekullit të 17-të.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një pastor lokal dhe bashkëshortja e tij kishin bërë thirrje të mbrohen hebrenjt nga nazistës okupatorë dhe kolaboracionistët francezë. U përhap fjala nëpërmjet grupeve të drejtave të njeriut dhe fshati u bë një vend i lëvizjes së rezistencën, ku banorët e zakonshëm morën dhe strehuan hebrenjtë.

Më vonë u njoh nga Izraeli kontributi i jashtëzakonshëm i Le Chambon-sur-Lignon.