Botë

Përplasja diplomatike, Britania refuzon statusin e diplomatit për ambasadorin e BE-së

Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian janë përfshirë në një përplasje diplomatike lidhur me statusin e ambasadorit evropian në Londër.

Britania ka refuzuar t’i japë statusin e plotë diplomatik Joao Vale de Almeidas, sikurse krejt ambasadorëve të tjerë.

Ministria e Punëve të Jashtme në Britani ka insistuar se ambasadori i bllokut evropian dhe zyrtarët e tij nuk duhet të kenë privilegje dhe imunitet diplomatik nën Konventën e Vjenës.

Me këtë Ministria britanike ka bërë të ditur se nuk dëshiron që të vendosë precedent.

Siç qëndrojnë gjërat, ambasadori nuk do ta ketë mundësinë që kredencialet t’ia prezantojë mbretëreshës britanike, si gjithë shefat e tjerë të misioneve diplomatike.

Vendimi i shtetit britanik bie ndesh me standardet e 142 shteteve të tjera të botës, në të cilat BE-ja ka delegacione dhe ambasadorë të saj dhe të cilët kanë të njëjtin status – atë të diplomatit që e përfaqëson një shtet sovran.

BE-ja ka shprehur shqetësimin rreth bllokadës britanike, me ç’rast Ministria e Jashtme e shtetit ishullor synon që ta trajtojë delegacionin e BE-së vetëm si përfaqësues të një organizate ndërkombëtare.