Kompania nga India që ka prodhuar një vaksinë anti-COVID, Bharat Biotech, sot ka paralajmëruar njerëzit me imunitet të dobët dhe probleme tjera shëndetësore si alergji apo me gjakderdhje, që të konsultohen me mjek para se të vaksinohen dhe nëse është e mundur të evitojnë vaksinën, shkruan agjencia AP.
Kompania ka thënë es ata që duan të marrin vaksinën duhet të tregojnë për gjendjen shëndetësore, përfshirë ilaçet që i marrin dhe nëse kanë histori me alergji. Ka thënë se mund të ketë reaksione të rënda alergjike në mesin e pranuesve të vaksinës përfshirë vështirësi me frymëmarrje, ënjtje të fytyrës dhe fytit, shpejtimi i të rrahurave të zemrës, shenja nëpër trup, marramendje dhe po ashtu plogështi.
Vaksina e zhvilluar nga Bharat Biotech është aprovuar nga autoritetet e Indisë pa pasur të dhëna konkrete për efektshmërinë e parandalimit të COVID-19. Raportohet se dhjetëra mijëra persona kanë marrë këtë vaksinë në tri ditët që kur ka nisur vaksinimi në Indi. India po vaksinon me vaksinën e AstraZenecas dhe të Bharat Biotech.
India ka vaksinuar në total 381.305 persona, siç kanë njoftuar autoritetet.