Botë

Minatorët kinezë të ngujuar qe një javë arrijnë t’u dërgojnë letër ekipeve të shpëtimit

12 minatorë të ngujuar në një minierë ari për më shumë se një javë në Kinë, kanë arritur t’u dërgojnë një letër ekipeve të shpëtimit, kanë njoftuar mediumet shtetërore të hënën.

Agjencia “Xinhua” raporton se letra ka konfirmuar se 12 minatorët janë gjallë ende pas shpërthimit që kishte ndodhur më 10 janar në qytetin Qixia të provincës Shandong. Katër nga ta thuhet të jenë lënduar, ndërsa fati i 10 të tjerëve s’dihet.

Punëtorët kanë shkruar se ende kanë shpresë se do të dalin gjallë, por kanë shtuar se kanë nevojë për ilaçe.

“Jemi tejet të lodhur dhe kemi nevojë urgjente për ilaçe për stomak, për ndaljen e dhimbjeve, ilaçe anti-inflamatore dhe tre nga ne kanë tension të lartë”, thuhet në letër.

Ekipet e shpëtimit janë duke punuar që kur shpërthimi ndodhi 240 metra larg hyrjes së minierës, duke zënë nën gërmadha 22 punëtorë, ka njoftuar agjencia.

Shpërthimet dhe vdekjet në minierat e Kinës s’janë të pazakonta. Në shtator, të paktën 16 punëtorë humbën jetën pasi u ngujuan në një minierë.