Botë

FBI-ja skanon Gardën para inaugurimit të Bidenit

Sipërmarrja e madhe amerikane reflekton shqetësimet e jashtëzakonshme të sigurisë që kanë mbërthyer Washingtonin pas kryengritjes vdekjeprurëse të 6 janarit në Capitol nga mbështetësit pro presidentit Donald Trump. Dhe kjo spikat frikën se disa prej njerëzve të angazhuar për ta mbrojtur qytetin në ditët e ardhshme mund të përbëjë kërcënim për presidentin e ardhshëm dhe për pjesëmarrësit e tjerë në detyra të larta

Washington, 18 janar (AP) – Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes janë shprehur të shqetësuar për një sulm të brendshëm ose kërcënim tjetër nga anëtarët e shërbimit të përfshirë në sigurinë e ceremonisë së inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, duke nxitur FBI-në që ta vlerësojë besnikërinë e 25 mijë trupave të Gardës Kombëtare.

Sipërmarrja e madhe amerikane reflekton shqetësimet e jashtëzakonshme të sigurisë që kanë mbërthyer Washingtonin pas kryengritjes vdekjeprurëse të 6 janarit në Capitol nga mbështetësit pro presidentit Donald Trump. Dhe kjo spikat frikën se disa prej njerëzve të angazhuar për të mbrojtur qytetin në ditët e ardhshme mund të përbëjë kërcënim për presidentin e ardhshëm dhe për pjesëmarrësit e tjerë në detyra të larta.

Zbarkimi i ushtrisë në kryeqytet

Image

Sekretari amerikan i Ushtrisë, Ryan McCarthy, i ka deklaruar agjencisë amerikane të lajmeve, AP, se zyrtarët janë të vetëdijshëm për kërcënimin e mundshëm, dhe ka paralajmëruar komandantët që të jenë në krye të detyrës për të detektuar ndonjë problem të mundshëm në qasjen ndaj ceremonisë së inaugurimit. Deri tani, megjithatë, ai dhe liderët e tjerë kanë thënë se nuk kanë parë dëshmi të ndonjë kërcënimi të mundshëm, ndërsa zyrtarët kanë thënë se vetingu nuk ka treguar se ka ndonjë çështje që do të ngrinte shqetësime të ngjashme.

“Ne vazhdimisht po kalojmë në këtë proces, dhe po analizojmë për herë të dytë e të tretë individët e angazhuar në këtë operacion”, ka thënë McCarthy në një intervistë, pasi liderët e tjerë ushtarakë kanë kaluar tri orë në një takim të lodhshëm në të cilin është folur për përgatitjet e ceremonisë së inaugurimit. Ai ka thënë se pjesëtarët e Gardës po kryejnë gjithashtu trajnime për identifikimin e kërcënimeve të brendshme.

Rreth 25 mijë pjesëtarë të Gardës Kombëtare kanë zbarkuar në Washington nga pjesë të ndryshme të vendit – së paku dy herë e gjysmë më shumë se në inaugurimet e mëhershme. Dhe derisa ushtria vazhdimisht vlerëson besnikërinë e pjesëtarëve në shërbim për lidhje të mundshme ekstremiste, skanimi i FBI-së është masë shtesë kontrolli pavarësisht monitorimeve paraprake.

Shumë zyrtarë kanë thënë se procesi nisi në kohën kur trupat e Gardës të dërgoheshin në kryeqytet para më shumë se një jave. Dhe ata kanë thënë se pritet që kontingjenti të kompletohet në ditën e betimit. Shumë zyrtarë kanë diskutuar planifikimin ushtarak në kushte anonimiteti.

Garda ngulmon në besnikërinë e pjesëtarëve

“Çështja është, a janë të gjithë? A ka të tjerë?”, ka pyetur McCarthy. “Duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe duhet të vendosim të gjitha mekanizmat në vend nëpërmjet procesit të vetingut këta burra dhe gra, që do të përkrahnin çfarëdo aksioni si ky”.

Në një situatë si kjo, procesi i vetingut i FBI-së do të përfshinte futjen e emrave të njerëzve nëpër databaza dhe lista të monitorimit që i ka zyra federale e hetimeve, për të parë nëse duhet të ketë ngritje të alarmit. Kjo do të përfshinte para së gjithash shqetësimet dhe hetimet e lidhura me terrorizmin, ka thënë David Gomez, mbikëqyrës i sigurisë kombëtare i FBI-së në Seattle.

Kërcënimet e brendshme kanë qenë prioritet i përhershëm parësor për agjencinë e rendit dhe ligjit në vitet pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Por, në shumicën e rasteve, kërcënimet kanë ardhur prej kryengritësve vendorë të radikalizuar nga “Al-Qaeda”, “Shteti Islamik” ose grupe të ngjashme. Krejt ndryshe, kërcënimet ndaj inaugurimit të Bidenit janë përflakur nga mbështetësit e presidentit Donald Trump, militantëve të së djathtës ekstreme, supremacistëve të bardhë dhe grupeve të tjera radikale. Shumëkush beson se akuzat e pabaza të Trumpit se zgjedhjet iu vodhën, pretendim që i është rrëzuar nga shumë gjykata, kanë ndikuar në ashpërsimin e situatës.

Kryengritja e 6 janarit në Capitol nisi pas deklaratave të zjarrta të Trumpit. Sipas McCarthyt, pjesëtarët e shërbimit nga mbarë ushtria ishin në tubim, por nuk dihet sa prej tyre ishin ose kush kishte marrë pjesë në mësymjen e kundërligjshme në Capitol. Deri tani, vetëm disa pjesëtarë në detyrë ose anëtarë të Gardës Kombëtare janë arrestuar lidhur me sulmin në Capitol, ku mbetën pesë të vdekur.

Në mesin e të vdekurve ishte edhe një zyrtar policor i Capitolit dhe një grua e qëlluar nga policia derisa po ngjitej nëpërmjet dritares afër një dere të Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjenerali Daniel R. Hokanson, shef i Byrosë së Gardës Kombëtare, është takuar me trupat e Gardës në kryeqytet. Ai ka thënë se beson se ka procese të mira për të identifikuar çfarë kërcënimi të mundshëm.