Njerëzit që janë vaksinuar për COVID-19, duhet të lejohen të shkojnë në restorante dhe kinema para tjerëve, ka thënë një ministër gjerman, në kontradiktë me anëtarët tjerë të kabinetit që kanë kundërshtuar deri më tash liritë e veçanta për të vaksinuarit, raporton agjencia Reuters.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka thënë se shteti ka kufizuar të drejtat themelore të njerëzve për të frenuar infeksionin dhe të evitojë mbingarkesën e spitaleve.
“Nuk është ende e qartësuar se në çarë përmase njerëzit e vaksinuar mund të infektojnë tjerët. Por, është e qartë tashmë, se personi i vaksinuar më nuk zë një ventilator. Kjo largon së paku një prej arsyeve kyçe për kufizim të të drejtave themelore”, ka thënë Maas për “Bild am Sonntag”.
Rreth një milion qytetarë janë vaksinuar në Gjermani deri të premten, sipas shifrave të Institutit Robert Koch për sëmundje infektive.
Komentet e Maasit janë në kontrast me ministrat gjermanë, që kishin kundërshtuar të drejtat e veçanta për ata që vaksinohen, duke iu frikësuar pabarazive në shoqëri në një kohë kur jo të gjithë e kanë mundësinë të vaksinohen.
Maas ka thënë se qeveria po ashtu po ia kufizon të drejtat njerëzve që drejtojnë restorante, kinema, teatro apo muze.
“Ata kanë të drejtë të hapin biznesin e tyre në një moment, nëse është e mundur të bëhet kjo”, ka thënë ai, duke shtuar se nëse ka vetëm persona të vaksinuar në këto vende atëherë nuk ka rrezik.
Derisa Maas e pranon se mund të çojë te parabariztë për një “periudhë tranzicioni”, ai thotë se një lëvizje e tillë do të arsyetohej me Kushtetutë, përderisa ka një arsye objektive dhe nuk prek shërbimet bazike të publikut.
Gjermania ka vazhuar masat e mbylljes deri në fund të janarit, dhe kancelarja Angela Merkel do të takohet me ministrat rajonal të martën për të diskutuar për ashpërsim të mëtutjeshëm të masave.