Për aleatët dhe rivalët e Amerikës, kaosi që po shënjon ditët e fundit të Donald Trumpit si president është rezultat logjik i katër vjetëve të destabilitetit botëror të sjellë nga burri që premtoi të ndryshonte mënyrën se si bota i shihte Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nga jashtë, Shtetet e Bashkuara asnjëherë nuk janë dukur kaq të cenueshme – ose të paparashikueshme.
Aleancat që ishin ruajtur për breza me radhë u venitën në pikën e prishjes nën Trumpin – prej vendimit të tij për të hequr dorë nga marrëveshja e Parisit për klimën deri te marrëveshja për programin atomik të Iranit, apo edhe tërheqja nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në kulmin e pandemisë.
Dhe pastaj, duke kërkuar ta përmbyste humbjen e pësuar nga Joe Biden, Trumpi shkeli parimin e pashkruar të respektimit të zgjedhjeve demokratike, për të cilat është angazhuar vazhdimisht SHBA-ja – dhe shpesh ia ka dalë – duke e eksportuar demokracinë anembanë botës. Dhe ende nuk dihet se sa do të zgjasin këto pasdridhje politike.
Sfidat e mëdha
“Është një prej detyrave më të mëdha të së ardhmes për Amerikën dhe Evropën – të luftohet polarizimi i shoqërisë qysh në zanafillë”, është shprehur ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas. “Ne do të jemi të në gjendje të ruajmë besimin në unifikim, në demokraci si formën më njerëzore të shtetësisë, dhe besimin në shkencë dhe arsye nëse këtë do ta bëjmë bashkërisht”.
Por në shumë aspekte, Evropa tashmë kishte lëvizur, duke arritur marrëveshje me Iranin, negociuar marrëveshje tregtare me Kinën me lidershipin e Gjermanisë, dhe organizuar aksione botëror për të mbrojtur mjedisin.
Në ditën e shpërthimit të turmës pro-Trump në Capitol, në kuadër të përpjekjes për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të fituara nga Bideni, një numër rekord amerikanësh vdiqën nga koronavirusi. Një tjetër zhvillim i fundit shpalosi gjithashtu cenueshmërinë amerikane: operacioni i spiunazhit kibernetik që ende po godet një numër kompjuterësh qeveritarë, për të cilën fajësohen hakerët rusë.
Dyshimet e aleatëve
Liderët botërorë, të cilët panë dhunën vdekjeprurëse në Washington “do të shqyrtojnë nëse këto zhvillime janë ngjarje e pazakonshme – një përjashtim – ose nëse këto grupe ekstremiste supremaciste të bardha do të vazhdojnë të kenë ndikim të rëndësishëm në politikën e jashtme dhe të brendshme amerikane, nëse nuk mbarojnë me përfundimin e mandatit të administratës së Trumpit”, ka vlerësuar “Soufan Group”, kompani e sigurisë dhe inteligjencës botërore.
Njerëzit priren t’i mendojnë vendet e dobëta “me referenca lufte si problemi më i madh e jo me dhunë, dhe me frikën e dështimit të shtetit si problem më i madh se dezintegrimi i brendshëm”, ka deklaruar Rachel Kleinfeld, dijetar i demokracisë dhe dhunës në organizatën e Mbështetjes së Paqes Ndërkombëtare. Kleinfeld, si shumë të tjerë, ka thënë se mësymja në Capitolin amerikan mund të jetë nxitur brenda javëve të fundit, por ishte formësuar për vite me radhë.
Dhe kapaciteti amerikan për të luftuar për demokracinë kishte pësuar goditje edhe para mësymjes së nxitur nga kërkesa e Trumpit për të përmbytur zgjedhjet. Për shumëkënd, këto zhvillime të fundit ishin vetëm konfirmim.
Për qejf të Rusisë e Kinës

Armiqtë, përfshirë Rusinë, Kinën dhe Iranin, përdorën dhunën për të vënë në dyshim përgjithësisht demokracinë amerikane.
Në një njoftim të brendshëm të Departamentit të Shtetit për “kanalizimin e pakënaqësisë”, të siguruar nga AP-ja, diplomatët amerikanë kanë thënë se veprimet e Trumpit e kanë vështirësuar punën e tyre.
“Është kritike që ne t’ia komunikojmë botës se në sistemin tonë, askush – madje as presidenti – nuk është mbi ligjin ose nuk është imun ndaj kritikave publike”, thuhet në dokumentin e brendshëm. “Ky do të ishte hapi i parë drejt riparimit të dëmit shkaktuar kredibilitetit tonë ndërkombëtar”.
Trumpi nuk ka treguar shenja të tërheqjes, duke ngulmuar se deklaratat e së mërkurës ishin krejtësisht të duhura.
Në Irak, vend që ende po përballet me pasojat e trashëgiminë e ndërhyrjes kundërthënëse amerikane në emër të demokracisë, shumëkush i ka shikuar zhvillimet në kryeqytetin amerikan me përzierje të tronditjes dhe mahnitjes.
Ahma dal-Helfi, karikaturist 39-vjeçar, ka thënë se çfarë ndodhi në Washington, ishte goditje për demokracinë që Amerika ishte munduar t’ua sillte Irakut dhe vendeve të tjera.
Prishja e imazhit
Anahita Thoms, avokate dhe eksperte gjermane e tregtisë që ka jetuar dhe punuar disa vite në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se ngjarjet e javës së kaluar do ta dëmtojnë pashmangshëm imazhin amerikan në sytë e botës. Thoms është anëtare e “Urës Atlantike”, grup i pavarur mendimi që promovon bashkëpunim ndërmjet Evropës dhe SHBA-së – aso organizate e themeluar pas Luftës së Dytë Botërore, kur SHBA-ja ndihmoi rindërtimin e ekonomive të shumë shteteve në Evropën Perëndimorë që ishin shkatërruar nga lufta.
Gjermania ishte një prej vendeve që kishte përfituar më së shumti nga ato përpjekje amerikane – financiare dhe demokratike – për rindërtim. Ajo ka paralajmëruar se zyrtarët e diplomatët amerikanë do të kenë punë më të vështirë gjatë promovimit të demokracisë jashtë vendit.
“SHBA-ja vazhdon të mbetet vend që jetëson vlerat e veta demokratike. Por kjo aspiratë, që paraqitet fuqishëm edhe në botën e jashtme, nuk duhet të pësojë shumë çarje”, ka deklaruar Thoms. “Mendoj se do të duhet shumë shkathtësi për t’iu kundërvënë këtij spektri”. \ AP