Botë

Trumpi drejt shkarkimit, përsëri

Foto: Reuters

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA kanë paralajmëruar paraqitjen e neneve të shkarkimit të presidentit Donald Trump, të hënën, përkitazi me trazirat që shpërthyen të mërkurën në Capitol Hill, të nxitura nga mbështetësit e tij. Nëse përpjekja rezulton e suksesshme, atëherë do të shënojë një rast të parë në histori: Asnjë president përpara Trumpit nuk iu nënshtrua shkarkimit dy herë

Washington, 9 janar (Reuters) – Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës planifikojnë që t’i prezantojnë nenet e reja të shkarkimit kundër presidentit republikan, Donald Trump, gjatë së hënës, duke bërë thirrje për largimin e tij nga zyra, kanë bërë të ditur të premten dy burime të afërta me zhvillimet.

Burimet kanë thënë se nenet, të cilat përbëjnë akuzat zyrtare për keqbërje, janë përpiluar nga përfaqësuesit demokratë David Cicilline, Ted Lieu dhe Jamie Raskin, pas sulmit të së mërkurës në ndërtesën e Kongresit në Washington, të ndërmarrë nga mbështetësit e presidentit në detyrë.

Një kopje e masës që është vënë në qarkullim mes pjesëtarëve të Kongresit e akuzon Trumpin për “nxitje të dhunës kundër Qeverisë së Shteteve të Bashkuara” në përpjekje për të sprapsur humbjen e tij karshi presidentit të zgjedhur, Joe Biden, në garën presidenciale të vitit 2020.

Nenet përmendin gjithashtu telefonatën e tij njëorëshe me sekretarin e Shtetit të Georgias, Brad Raffensperger, në të cilën Trump i kërkon zyrtarit të këtij shteti që “t’i gjejë” numër të mjaftueshëm votash për ta përmbysur rezultatin zgjedhor në shtetin e fituar nga Bideni.

“Presidenti Trump ka rrezikuar rëndë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të institucioneve të Qeverisë. Ai ka kërcënuar integritetin e sistemit demokratik, ka ndërhyrë në bartjen paqësore të pushtetit dhe ka rrezikuar degën koordinuese të Qeverisë”, thuhet në legjislacion.

Mbështetësit e Trumpit, të nxitur nga pretendimet e tij të rreme për mashtrime zgjedhore, kanë hyrë në ndërtesën e Capitolit në Washington, ku gjatë së martës kanë thyer dritare, kanë shtrënguar ligjvënësit të strehohen në vend të sigurt dhe kanë lënë të vdekur prapa vetes pesë persona.

Nëse përpjekja më e fundit e demokratëve do të rezultojë e suksesshme, atëherë kjo do të shënojë një rast të parë historik: Asnjë president para Trumpit nuk do të shkarkohej dy herë.

Por nuk dihet nëse ligjvënësit do të jenë në gjendje që ta largojnë atë nga zyra, pasi që për çdo proces të shkarkimit nevojitet gjykim i gjatë në Senat, ku republikanët e tij e mbajnë shumicën.

Kur i kanë mbetur vetëm edhe 12 ditë deri në përfundim të mandatit, Trump më në fund ka pranuar humbjen në zgjedhje, i përballur me presionin e nisjes së procedurave për shkarkimin.

Në një adresim para kombit, Trumpi ka bërë të ditur se do të largohet në paqe, pasi Kongresi e konfirmoi humbjen e tij në zgjedhje. Mirëpo, në këtë adresim nuk e ka përmendur presidentin e zgjedhur Joe Biden. Ndërkaq vetëm pak kohë më vonë, ai ka thënë se nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e tij më 20 janar, në një veprim që përbën thyerjen e traditës politike amerikane.

“Për të gjithë ata që kanë pyetur, nuk do të shkoj në inaugurim më 20 janar”, ka shkruar Trump në Twitter.

Lidhur me këtë, presidenti i zgjedhur Biden, gjatë një adresimi nga Willingtoni i Dellawares, ka thënë se mospjesëmarrja e Trumpit në inaugurim është gjë e mirë.

Në anën tjetër, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e quajti Trumpin “të pafrenueshëm” të premten dhe tha se Kongresi duhet të bëjë çmos për të mbrojtur amerikanët, ani pse mandati i presidentit republikan do të përfundojë më 20 janar. Ajo dhe lideri i demokratëve në Senat, Chuck Shumer, u kanë bërë thirrje zëvendëspresidentit Mike Pence dhe kabinetit të Trumpit që ta shfrytëzojnë amendamentin e 25-të të Kushtetutës, që mundëson heqjen e fuqive të presidentit nëse ai nuk tregohet i aftë për ta ushtruar detyrën. Sipas një këshilltari, Pence e ka kundërshtuar këtë ide. Me këto veprime dhe me eksodin e zyrtarëve të afërt, Trumpi është vënë nën presion nga të gjitha anët.