Presidenti i zgjedhur amerikan, demokrati Joe Biden, i cili e mposhti presidentin republikan në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe që pritet të marrë detyrën më 20 janar, ka thënë se aktiviteti i protestuesve “kufizohet me kryengritje”. Ish-nënpresidenti amerikan, duke i numëruar pamjet e demonstruesve që bastisnin Kongresin, thyenin dritare, okuponin zyra, zaptonin korridore dhe kërcënonin sigurinë e zyrtarëve të zgjedhur demokratikisht, ka thënë: “Kjo nuk është protestë, është kryengritje”
Washington, janar (Reuters) – Me të shtëna armësh dhe gaz lotsjellës policia është përpjekur që ta lirojë ndërtesën e Kongresit në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi që me qindra protestues e bastisën godinën dhe u zotuan që ta shtrëngojnë Dhomën për ta përmbysur humbjen zgjedhore të presidentit Donald Trump, në kohën kur ligjvënësit ishin mbledhur për ta certifikuar fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.
Garda Kombëtare është vendosur nëpër rrugë dhe ka liruar pas disa orësh godinën e zaptuar nga mbështetësit e Trumpit, të cilët u ngjitën sipër mureve të hollit të Kongresit duke i detyruar Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin që t’i pezullojnë seancat. Ndërkaq, anëtarët e të dy Dhomave janë evakuuar në zona të sigurta.
Një protestues ka bastisur sallën e Senatit dhe ka bërtitur: “Trumpi i fitoi zgjedhjet”.
Disa policë është raportuar të kenë marrë lëndime trupore gjatë protestave të dhunshme dhe janë transferuar menjëherë në spital. Mediat amerikane kanë raportuar se një grua, e cila ishte në gjendje kritike si pasojë e plagës së marrë në gjoks gjatë përleshjeve midis protestuesve dhe policisë, ka vdekur.
Teksa autoritetet e zbatuan orën policore nga ora 18:00 deri në 06:00, sipas kohës lokale. Pas kësaj, një grup qytetarësh në New York City kanë nisur një protestë kundër presidentit republikan.
Ndërkaq, lidhur me dhunën e së mërkurës, një kongresiste demokrate ka thënë se do të iniciojë nenin për shkarkim kundër Trumpit.
“Nuk mund ta lejojmë që të mbetet në detyrë, është kjo një çështje e ruajtjes së Republikës sonë dhe duhet ta përmbushim betimin e dhënë”, ka shkruar në Twitter përfaqësuesja nga Minnesota, Ilhan Omar.
Biden: Kjo është kryengritje
Bideni, demokrati që e mposhti presidentin republikan në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe që pritet të marrë detyrën më 20 janar, ka thënë se aktiviteti i protestuesve “kufizohet me kryengritje”.
Ish-nënpresidenti amerikan, duke i numëruar pamjet e demonstruesve që bastisnin Kongresin, thyenin dritare, okuponin zyra, zaptonin korridore dhe kërcënonin sigurinë e zyrtarëve të zgjedhur demokratikisht, ka thënë: “Kjo nuk është protestë, është kryengritje”.
duke i numëruar pamjet e demonstruesve që bastisin Kongresin, thyejnë dritare, okupojnë zyra, zaptojnë korridore dhe e kërcënojnë sigurinë e zyrtarëve të zgjedhur demokratikisht, ka thënë: “Kjo nuk është protestë, është kryengritje”.
“Më vjen keq që më mori kaq kohë të dal të flas. Demokracia jonë është nën sulm të pashembullt. Jam i shokuar dhe i mërzitur që puna jonë ka mbërritur në një moment kaq të errët. Diçka që nuk kemi parë më parë. Është sulm mbi ndërtesën e demokracisë – Capitol, mbi të zgjedhurit tanë e mbi ligjin, siç e kemi parë vetëm disa herë më parë. Më lejoni të jem i qartë. Skenat e kaosit në Capitol nuk përfaqësojnë amerikanët e vërtetë. Bëj thirrje që të vazhdojnë procedurat për transformimin paqësor të pushtetit. Më keni dëgjuar më parë të them se fjalët e një presidenti kanë rëndësi, sado i mirë apo i keq të jetë ai. I bëj thirrje Trumpit: Dil në televizion dhe bëju thirrje që të ndalohet ky kaos.

Nëpërmjet një videoje të postuar në Twitter, Trumpi ka përsëritur pretendimin e tij të rremë rreth mashtrimeve zgjedhore, por ka nxitur protestuesit që të tërhiqen.
“Duhet të shkoni në shtëpi tani, duhet të kemi paqe”, ka thënë ai. “E di që jeni të lënduar. Kemi zgjedhjet të cilat na janë vjedhur, ishte një fitore e thellë e jona, të gjithë e dinë këtë, sidomos ana tjetër. Por, duhet të shkoni në shtëpi, duhet të kemi paqe, duhet të kemi rend dhe ligj. Duhet të respektojmë burrat e gratë e veçantë që mbajnë rendin dhe ligjin. Nuk duam të kemi ndonjë të lënduar. Është periudhë e vështirë, periudhë që nuk kemi pasur ndonjëherë, kur ka ndodhur një gjë e tillë. Por, duhet të kemi paqe. Shkoni në shtëpi. Ju duam, jeni të veçantë. E di si ndiheni, shkoni në shtëpi në paqe”, ka thënë Trump në videomesazh.
Sulm ndaj demokracisë amerikane
Skenat përplot kaos kanë ndodhur pasi që Trumpi, i cili para zgjedhjeve refuzoi që ta pranojë transferimin paqësor të pushtetit po qe se humb, iu adresua mijëra protestuesve, duke i përsëritur pretendimet e pabaza se gara i është vjedhur si pasojë e mashtrimeve dhe parregullsive të gjithmbarshme zgjedhore. Në kohën e shpërthimit të përleshjeve, ligjvënësit ishin duke diskutuar rreth përpjekjes së minutës së fundit të përfaqësuesve republikanë pro-Trump për sfidimin e rezultateve, një përpjekje kjo që nuk pritej të rezultonte e suksesshme.
Kritikët i kanë quajtur këto përpjekje si sulm ndaj demokracisë amerikane dhe sundimit të ligjit, si dhe një tentim puç legjislativ.
Dy demokratët më të lartë në Kongres, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, dhe senatori Chuck Schumer i bënë thirrje Trumpit që t’u kërkojë protestuesve të largohen menjëherë nga brendia dhe zonat përreth Capitolit.
Policia në Capitol u ka thënë ligjvënësve në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve që të vendosin gasmaska dhe të strehohen poshtë tryezave të tyre, në përgatitje për largim. Zyrtarët policorë të rreshtuar para derës së Dhomës nxorën armët teksa disa protestues provuan të hynin brenda.
Me gjithë pretendimet e Trumpit, zyrtarët zgjedhor nga radhët e të dyja partive dhe vëzhguesit e pavarur kanë thënë se nuk janë evidentuar mashtrime në garën e 3 nëntorit, të cilën Bideni e fitoi me më shumë se 7 milionë vota popullore.
Kanë kaluar tashmë disa javë prejse shtetet amerikane kanë certifikuar rezultatin që e nxjerr Bidenin fitues. Ai është zgjedhur edhe prej 306 elektorëve të Kolegjit të Elektorëve, kundrejt 232 syresh që kanë mbështetur Trumpin. Trumpit i janë hedhur poshtë të gjitha akuzat e paditë të ngritura nëpër gjykata në mbarë vendit për procesin zgjedhor.
Përplasja me Pencen
Ndërkohë, Trumpi ka ushtruar presion mbi zëvendësin e tij, Mike Pence, për t’i hedhur poshtë rezultatet zgjedhore në shtetet që presidenti i ka humbur me rezultat të ngushtë, ani pse Pence nuk ka autoritet për ta bërë një gjë të tillë.
Gjatë përplasjes mes dyshes që ndodhi në Zyrën Ovale, Pence raportohet t’i ketë thënë Trumpit se roli i tij është “kryesisht ceremonial” në drejtimin e seancës së Kongresit dhe se ky rol nuk ia lejon që ta përmbytë rezultatin e zgjedhjeve dhe fitoren e demokratit Biden.
Deklarata ka ardhur në kohën kur Trumpi po mundohet të përdorë presionin e madh publik ndaj zëvendësit, duke deklaruar para turmës në kryeqytet se do të “zhgënjehej shumë” nëse Pence nuk do të dëgjonte kërkesën e tij për të refuzuar rezultatin e zgjedhjeve. BBC-ja ka raportuar se presionit të Trumpit ndaj Pencet i janë bashkuar edhe disa zyrtarë tjerë të lartë të Partisë Republikane.
“Presidenca i takon popullit amerikan dhe vetëm atyre”, ka shkruar Pence në fjalimin e gjatë. Dhe ekspertët kushtetues kanë thënë se ai ka të drejtë. Zëvendëspresidenti amerikan nuk ka autoritet ligjor për ta shpallur të pavlefshme fitoren e Bidenit.
Kriza e Trumpit dhe e legjitimitetit
Për shumë amerikanë, krejt këtë kaos e pasiguri politike në Shtetet e Bashkuara po e shkakton Trumpi për hesape të ngushta. SHBA-ja po kalon nëpër një krizë qenësore.
Korrespondentja e lartë e BBC-së në Washington, Barbara Plett Usher, ka thënë se njohësit e politikës amerikane kanë deklaruar se megjithatë ka disa republikanë e mbështetës që mendojnë se në thelb po protestojnë për mbrojtjen e lirive amerikane.
“Ata besojnë se demokratët ua kanë ‘vjedhur’ votat dhe se institucionet e vendit janë bashkëfajtore”, shkruhet në analizën e gjatë të BBC-së rreth zhvillimeve të jashtëzakonshme në fuqinë e demokracinë më të madhe të botës.
“Kur iu them se nuk ka dëshmi të manipulimit të zgjedhjeve, ata thonë se ka, porse gjykatat nuk po dëgjojnë dhe mediat më të mëdha nuk po i raportojnë. Ata druajnë se demokratët do të sjellin socializmin në Shtetet e Bashkuara”, duke i akuzuar si njerëz që po bashkëpunojnë me Kinën.
Por në mesin e analistëve dhe qytetarëve të intervistuar nga mediumi britanik është ngritur shqetësimi se vendi mund të rrëshqasë në luftë civile, për shkak se disa grupe të së djathtës ekstreme kanë paralajmëruar se do t’i rezistojnë vendimit. Edhe anketimet kanë treguar se shumica e republikanëve nuk e pranojnë fitoren e Bidenit si legjitime.
“Kështu që tensionet do të vazhdojnë dhe mbase edhe dhuna e mundshme politike”, shkruan BBC-ja.
{gallery}