Gazetari Zulfiqar Mandrani ishte gjetur i vdekur në majin e këtij viti. Trupi e tij shpërfaqte ngado shenja të torturës. Miqtë dhe kolegët pandehnin se vdekja e tij ishte e lidhur me hulumtimin që po e ndërmerrte rreth një rasti me drogë, ku supozohej se ishin të përfshirë edhe policët.
është në mesin e të paktën 50 gazetarëve që kanë humbur jetën sivjet në gjithë botën, duke e ushtruar profesionin e tyre. Kështu ka treguar raporti vjetor i grupit për mbrojtjen e gazetarëve “Reporterët pa kufij”, duke paralajmëruar për një rritje të theksueshme të vrasjeve të shënjestruara.
“Nuk mendoj se situata ka qenë ndonjëherë më e frikshme se tani. Duket se të gjithë gazetarët janë të rrezikuar”, ka thënë Najib Sharifi, udhëheqës i Komitetit të Sigurisë së Gazetarëve Afganë, në një intervistë të shkurtër për Deutsche Wellen. Ai ka qenë shumë i zënë për javë të tëra dhe duket i dërrmuar.
“Brenda vetëm gjashtë javësh kemi humbur katër gazetarë”, shpjegon ai. Të gjithë ishin qëlluar dhe vrarë në afërsi apo kishin vdekur, pasi në veturat e tyre ishin ngjitur bomba që më pas kishin eksploduar.
Trendi i moçëm i Afganistanit
Afganistani ka pasur trendin e njëjtë sikurse vendet e tjera në botë, ka bërë të ditur organizata joqeveritare, në pjesën e dytë të raportit vjetor. Raporti precizon se ka ulje të numrit të gazetarëve të vdekur gjersa ata kanë qenë duke raportuar në një konflikt të armatosur apo në sulme terroriste, por thekson se numri i viktimave të shënjestruara është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Dyzet prej 50 gazetarëve të vrarë këtë vit kanë vdekur në këtë mënyrë.
Në rastin e prezantueses televizive Malala Maiwand, e cila vdiq në një sulm në Afganistan në fillim të dhjetorit, i ashtuquajturi “Shteti Islamik” e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Por Sharifi thekson se zakonisht është e pamundur që të identifikohen sulmuesit dhe motivet e tyre. Përderisa “Shteti Islamik” dhe talebanët më vonë kishin marrë përgjegjësinë për sulmet, gjërat janë bërë më të paqarta që kur talebanët dhe Qeveria e Afganistanit kanë zhvilluar bisedime të qeta, ka shpjeguar ai.
Maryam Marof, gazetar me bazë në Kabul, ka thënë për DW-në se gazetaret janë më të rrezikuarat. “Armiqtë e Afganistanit janë të frikësuar se brezi i ri i grave afgane do t’i ndryshojë tabutë, për të cilat ata pretendojnë se janë pjesë e kulturës afgane”, ka thënë ajo.
Meksika e India, ndër vendet më të rrezikshme
Edhe një herë, Meksika e ka kryesuar listën e vendeve më të rrezikshme për gazetarët. Të paktën tetë gazetarë kanë vdekur aty gjatë këtij vit, gjersa ishin duke hulumtuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Në Irak ndodhën tri vdekje të gazetarëve, të cilët ishin duke i mbuluar protestat kundër qeverisë në janar të vitit 2020. Të paktën njëri nga ta, sipas organizatës, kishte qenë në shënjestër nga një qitës që kërkonte t’i ndalonte mediat për ta raportuar ngjarjen.
India është listuar si një prej pesë vendeve më të rrezikshme në botë për gazetarët – që nga viti 2010, RSF-ja ka regjistruar deri në pesë raste të vdekjes së gazetarëve për çdo vit. Këtë vit janë raportuar katër raste të lidhura me grupet e organizuara kriminale lokale.
Gjetjet e RSF-së janë konfirmuar nga një organizatë tjetër e mediave, Komiteti i Gazetarëve të Mbrojtur, i cili pretendon se gazetarët indianë ballafaqohen me dhunë dhe kërcënime nga kriminelët dhe zyrtarët shtetërorë. Komiteti ka kërkuar hetim të plotë rreth vrasjes së gazetarit Rakesh Singh, i cili ishte vrarë në një sulm me armë zjarri në fund të nëntorit.
“Autoritetet duhet ta dënojnë këtë krim të neveritshëm dhe të japin një mesazh të qartë që dhuna ndaj gazetarëve që raportojnë për korrupsion nuk do të tolerohet”, ka thënë Aliya Iftikhar, hulumtuese e lartë e CPJ-së për Azi.
Në fillim të këtij muaji, Irani ka ekzekutuar Ruhollah Zamin me seli në Francë, në ekzekutimin e parë të një gazetari pas 30 vjetësh. Kjo, për gjoja hulumtimin e protestave kundër qeverisë më 2017 nëpërmjet një kanali të mesazheve të shkurtra në aplikacionin komunikues “Telegram”.
Ai ishte rrëmbyer gjatë një udhëtimi në Irak dhe ishte burgosur në Iran. RSF-ja gjithashtu ka theksuar se me qindra gazetarë kanë humbur jetën këtë vit edhe për shkak të COVID-19.
Organizata ka regjistruar tri raste të tilla në Rusi, Egjipt dhe në Arabinë Saudite, ku gazetarët ishin arrestuar për shkak të punës së tyre dhe më vonë kishin vdekur nga COVID-19, meqë u ishte privuar qasja në kujdesin shëndetësor.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.