Botë

Paparashikueshmëria e Trumpit vë ushtrinë në alarm të kuq

Foto: Reuters

Zyrtarët më të lartë në hierarkinë ushtarake kanë nisur diskutimet lidhur me atë se çfarë do të duhej të bënin po qe se presidenti e vendos ligjin ushtarak. Dhe komandantët ushtarakë, përgjegjës për Washingtonin, sipas gazetës, janë përfshirë në përpilimin sekret të planeve në rast se forcat e armatosura thirren për ta ruajtur apo rikthyer rendin civil gjatë ngjarjes së inaugurimit të presidentit të ardhshëm më 20 janar dhe periudhës transitore

Washington, 25 dhjetor – Pentagoni dhe udhëheqësit ushtarakë në Washington janë vënë në alarm të kuq, në pritje të asaj se çfarë mund të bëjë presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë ditëve të tij të fundit në detyrë.

E përjavshmja amerikane, “Newsweek”, nëpërmjet një shkrimi ekskluziv, ka shkruar se zyrtarët më të lartë në hierarkinë ushtarake kanë nisur diskutimet lidhur me atë se çfarë do të duhej të bënin po qe se presidenti e vendos ligjin ushtarak. Dhe komandantët ushtarakë, përgjegjës për Washingtonin, sipas gazetës, janë përfshirë në përpilimin sekret të planeve në rast se forcat e armatosura thirren për ta ruajtur apo rikthyer rendin civil gjatë ngjarjes së inaugurimit të presidentit të ardhshëm më 20 janar dhe periudhës transitore.

Rreziku nga vënia e ushtrisë në pat pozitë

Sipas një zyrtari, i cili ka folur për “Newsweek”-un, nën kushtin e anonimitetit, planifikimi është duke u bërë larg syve të Shtëpisë së Bardhë dhe besnikëve të Trumpit në Pentagon, nga frika se krejt ndërmarrja do të shkonte huq.

“Kam qenë pjesë e ushtrisë për më tepër se 40 vjet dhe kurrë nuk kam parë diskutime si këto që po ndërmerren tani, kurrë as nuk ka pasur nevojë për të tilla diskutime”, ka thënë për “Newsweek” një oficer i nivelit të lartë, aktualisht kontraktues i mbrojtjes. Gazeta ia ka siguruar atij anonimitetin, pasi druante se mund të përballej me masa ndëshkimore.

Me dhjetëra zyrtarë e oficerë të tjerë të pozitave të ngjashme, që folën për të përjavshmen, janë dakorduar se ndonëse është zero mundësia që udhëheqja e uniformuar të angazhohet në ndonjë skemë për krijimin e përmbysjes së rrethanave të ndërlidhura me zgjedhje, ekziston droja se ushtria mund të ndodhet e ngujuar përbrenda një krize të krijuar prej Trumpit. Veçanërisht nëse presidenti përpiqet që t’i përbashkojë grupet private dhe paramilitarët pro-Trump në përpjekjen për ta penguar transicionin dhe për të ndjellë dhunë në kryeqytet.

“Aktualisht, shkaku i koronavirusit”, ka thënë njëri prej gjeneralëve të pensionuar, “presidenti ka kompetenca të pashembullta të emergjencave, të tilla që mund ta bindin atë – sidomos nëse i dëgjon disa prej mbështetësve të tij – se ka fuqi të pakufizuara dhe është mbi ligjin.

“Por ligji ushtarak”, ka thënë ai për “Newsweek”, “është një paradigmë e gabuar për t’i menduar rreziqet përpara sysh”.

Mjegullia

Ndonëse një proklamim i tillë presidencial mund të burojë prej urdhrit të tij si kryekomandant, një përbërës esencial i munguar është ana ushtarake: përfshira dhe bashkërenditja e disa grupeve oficerësh, të cilët duhet ta mbështesin veprimin e paligjshëm të presidentit.

Një grup i tillë nuk ekziston, pajtohet ish-gjenerali dhe disa ekspertë të tjerë. Ama mund të ketë ende hapësirë për ligësi, konfuzion dhe madje për përdorim të forcës ushtarake, ka shkruar “Newsweek”, në shkrimin ekskluziv.

Gjithë kjo mund prapëseprapë të mos jetë në mënyrën se si Trumpi mund të ketë synuar të ishte, veçmas nëse ai e vazhdon yryshin e tij për ta destabilizuar procesin demokratik.

“Ushtria amerikane nuk ka kurrfarë roli në përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve amerikane”, kanë thënë sekretari i ushtrisë, Ryan McCarthy dhe shefi i stafit ushtarak, gjenerali James McConville, nëpërmjet një deklarate të përbashkët të së premtes së shkuar.

Derisa Pentagoni iu përgjigj zyrtarisht pyetjeve të “Newsweek”-ut me citime të ndryshme nga liderët e mbrojtjes që kishin thënë se ushtria nuk ka rol në zgjedhje, ai megjithëkëtë refuzoi që t’i adresojë krizat e pas zgjedhjeve apo diskutimeve rreth ligjit ushtarak.

Për më tepër, i sugjeroi gazetës që pyetjet t’ia adresonte Shtëpisë së Bardhë. Ndërsa Shtëpia e Bardhë ka refuzuar që të jepte ndonjë koment.

Ngjashëm kështu, oficerët që ishin të gatshëm të flisnin për temën insistuan për anonimitet, nga frika se zbardhja e emrave të tyre do të mund ta provokonte zemërimin e presidentit. Ata druanin se mendimi i shprehur publikisht për skemën e presidentit rreth rrezikimit të zgjedhjeve – pavarësisht nëse është fjala për ligjin ushtarak, konfiskimin e makinave të votimit apo edhe pengimin e Kongresit në ratifikimin e rezultateve zgjedhore shtet më shtet më 6 janar – në fakt do të mund ta shtrëngonte Donald Trumpin për veprim.

“Në këtë moment, askush nuk mund të thotë se çfarë mund të bëjë presidenti muajin e ardhshëm”, ka thënë për “Newsweek” një ish-komandant i NORTHCOM-it. Ai ka konfirmuar të ketë qenë i përfshirë direkt në zhvillimet e planifikimit të brendshëm. “Ndonëse jam i bindur se udhëheqja e uniformuar e ushtrisë ka kthyer kokat në drejtimin e duhur, çmenduria e gjithë kësaj situate është e pashembullt dhe mundësitë janë të pafundme”, ka shkruar gazeta.

Oficeri i pensionuar ka kërkuar po ashtu që të mbetej anonim, ngase është i përfshirë aktivisht në këshillimin e zyrtarëve të lartë dhe nuk është i autorizuar që të flasë para mediave.

Veçimi i urdhrit të ligjshëm prej atij të paligjshëm

Image

Në njëfarë forme, ushtria veçse është tërhequr në këtë muhabet.

Gjenerali i pensionuar, Michael Flynn, këshilltari i parë i Trumpit për siguri kombëtare dhe burri të cilit ai ia fali dënimin, e kishte ngritur publikisht temën e vendosjes së ligjit ushtarak në kanalin konservator televiziv “Newsmax” javën e shkuar, duke thënë se presidenti mund ta përdorë ushtrinë për t’i konfiskuar kutitë e votimit dhe për t’i “përsëritur” zgjedhjet në shtete të caktuara.

“Ai mund të marrë kapacitete ushtarake dhe mundet.... faktikisht të përsërisë një palë zgjedhje”, kishte thënë Flynn gjatë atij adresimi. “Presidenti duhet të përpilojë plane për çdo eventualitet, për shkak se ne nuk guxojmë të lejojmë që këto zgjedhje dhe integriteti i zgjedhjeve tona në përgjithësi të shkojë ashtu siç është duke shkuar”.

“Newsweek” ka shkruar se sugjerimi i Flynnit është dënuar haptas nga një sërë oficerësh të pensionuar ushtarakë.

Lejtënant-koloneli Lawrence Wilkerson, ish-shefi i stafit të sekretarit amerikan të Shtetit Colin Powel, ka thënë për MSNBC-në se Flynn përbën një “turpërim për uniformën që bartë”.

Pas adresimit televiziv, Flynn ishte ftuar në Zyrën Ovale, sipas “New York Times” dhe “CNN”, ku e kishte përsëritur propozimin e tij. Që atëherë, ndihmësit më të lartë kanë shtypur mendimet.

Por për jetësimin e tyre, po qe se nuk frenohen, ekzistojnë edhe pengesa ligjore, të parapara me Kushtetutën.

Ekspertët ushtarakë kanë bërë të ditur se kërcënimet për sigurinë publike dhe rendin duhet të ekzistojnë dhe që për zgjidhjen e tyre duhet të shkohet përtej kapacitetit të qeverisë federale apo shtetit.

“Rreziku më i madh është se vet ekzistenca e këtyre shtresave të udhëzuesve sekretë mund ta krijojnë përshtypjen e kompetencave dhe autoriteteve që në realitet nuk ekzistojnë, jo në kohë të paqes”, ka thënë një ish-avokat i Departamentit të Drejtësisë.

Në përmbyllje të shkrimit të gjatë, gazetari i “Newsweek”-it, me përvojë të gjatë në çështjet e sigurisë, ka thënë se asnjëherë gjatë punës së tij nuk ka dëgjuar kaq shumë oficerë – të pensionuar dhe në detyrë – që janë të gatshëm të flasin për nevojën e një rishikimi të personelit ushtarak për sa u përket obligimeve për ta refuzuar ndjekjen e urdhrave të paligjshëm të një presidenti.