Botë

Zaev në Bruksel, thotë anëtarësimi në BE është prioritet strategjik i Maqedonisë

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, pas takimit të djeshëm, që realizoi në Bruksel me komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian (BE), Johannes Hahn, deklaroi se Maqedonisë si asnjëherë më parë i nevojitet përkrahje në drejtim të përshpejtimit të procesit integrues.

Në njoftimin e Kryeministrisë së Maqedonisë thuhet se Zaev ka dërguar mesazhin se anëtarësimi në BE është një prioritet kyç strategjik i Republikës së Maqedonisë.

“Ne kemi për qëllim të nisim negociatat sa më shpejt të jetë e mundur. Maqedonia është një vend kandidat që prej vitit 2005 dhe ende nuk ka filluar negociatat. Besoj se edhe ju do të pajtoheni me mua se kjo është koha e fundit që ky proces të ecë përpara”, ka thënë Zaev.

Zaev tha se fakti që bashkë me të në Bruksel kanë udhëtuar zëvendëskryeministri për Eurointegrime, Bujar Osmani, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, flet se e gjithë qeveria duhet të bëjë përpjekje për një dialog të hapur me opozitën dhe shoqërinë civile, për çka tha se plani i tij është të sigurojë një proces të gjerë gjithëpërfshirës në shoqëri dhe mbështetje për reformat.

“Zhvillimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore është një tjetër pjesë e rëndësishme e programit tim. Kemi nevojë për raporte të mira, marrëdhënie të forta dhe bashkëpunim me fqinjët tanë, që do të bazohet në respektin e ndërsjellë. Prandaj, vizita ime e parë bilaterale këtë muaj do të jetë në Sofje, për të diskutuar me kryeministrin Borisov për mënyrën e forcimit të bashkëpunimit dhe të ndërtojmë ura të mbështetjes reciproke”, tha Zaev, i cili shtoi më tej se në këtë kontekst do të jetë edhe vizita e ministrit të Jashtëm në Athinë këtë muaj.

Zaev tha se me komisionerin Hahn është biseduar edhe rreth Bashkësisë Transportuese dhe për marrëveshjen e cila duhet të nënshkruhet në samitin në Trieste, duke shtuar se ka shprehur interesin që Maqedonia të jetë vendi i selisë së sekretariatit të Bashkësisë së Transportit.

Në fund Zaev ka folur edhe për migrimin, luftën kundër terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm që “janë sfida shumë të rëndësishme dhe si të tilla kërkojnë një qasje dhe përkushtim të përbashkët global për trajtimin e tyre.”