Botë

Italia pati virusin në nëntorin e vitit 2019

Descriptive Text

Një studim i Universitetit të Milanos ka gjetur mbetje të koronavirusit te një djalë në fundin e muajit nëntor të vitit 2019, shumë muaj para se rasti i parë të konfirmohej në Itali dhe para përhapjes në qytetin kinez të Wuhanit.

Testimet mund të vërejnë gjenomin e virusit të acidit ribonukleik. Kjo do të thotë se rezultatet janë shumë më të sakta se çfarëdo testi tjetër.

Në kërkimet e nisura në muajin shtator të vitit 2020 janë analizuar 39 teste të mbledhura nga shtatori i vitit të kaluar e deri në muajin shkurt të këtij viti. Nga këto teste një kishte rezultuar pozitiv.

Testi pozitiv ishte i një katërvjeçari që jetonte në Milano. Ai nuk kishte histori të udhëtimeve jashtë Italisë.

4-vjeçari kishte simptoma të kollitjes që prej 21 nëntorit të vitit 2019 dhe ishte dërguar në emergjencë më 30 nëntor pas problemeve me frymëmarrje.

Doktorët kanë mohuar se djalit i kishte rënë fruthi, sëmundje e zakonshme te fëmijët me simptoma të tilla.

Mario Raviglione, njëri prej autorëve të studimit dhe profesor në Universitetin e Milanos, ka thënë se simptomat e 4-vjeçarit janë të njëjtat me ato të koronavirusit. Kjo do të thotë se djali ishte pozitiv një muaj para se Kina të konfirmonte përhapjen e virusit.

“Në realitet kur shohim prezencën e gjenomit të virusit, mund të themi se janë simptoma të COVID-19. Për këtë, vijmë në përfundim se është rast me koronavirus. Djali është infektuar në mesin e muajit nëntor nga dikush që ne nuk e kemi gjetur ende”, ka thënë Raviglione.

Profesori dhe ekipi i tij besojnë se rastet me virus kanë ekzistuar në Itali nga muaji nëntor i vitit 2019, tre muaj para se autoritetet në Itali të njoftonin për rastet e para.

Ani pse nuk ka dashur t’i thurë lëvdata Kinës për menaxhimin e pandemisë, profesori i Universitetit të Milanos ka thënë se shteti kinez mësoi botën se si duhet mbrojtur nga koronavirusi.

“Kur shohim pikun e pandemisë në Kinë, e dimë se ishte shumë mirë e kontrolluar për shkak të izolimit që ndërmori. Nuk jam i interesuar të lavdëroj Kinën apo Italinë, por shteti kinez bëri një punë të mirë në përmbajtjen e kësaj pandemie”, shtoi ai

Ministria e Shëndetësisë në Itali, më 11 dhjetor, ka konfirmuar 1 milion e 805 mijë raste me koronavirus. Numri i të vdekurve ka arritur në 63 mijë e 387.