Botë

Franca ia mësyn me ligj ekstremizmit islamik

 

Qeveria franceze ka bërë të ditur se draft-legjislacioni që synon luftimin e ideologjisë ekstremiste, që ka marrë shumë jetë në tokën franceze viteve të fundit, është “ligj i ri” i domosdoshëm për bashkëjetesë paqësore. Kritikët, përfshirë emisarin amerikan për liri fetare ndërkombëtare, druajnë se kështu mund të përkeqësohet edhe më shumë gjendja

Qeveria franceze është shprehur e vendosur në luftimin e ideologjisë që e sheh si “armik të Republikës”, duke e lansuar draft-legjislacionin për luftimin e islamizmit radikal. Drafti i ligjit është quajtur “ligj i lirisë”, thelbësor për bashkëjetesën paqësore në shoqërinë franceze.

Në një analizë të kolumnistit të gazetës “New York Times”, Roger Cohen, thuhet se ligji i cili është kritikuar nga Turqia dhe vendet e tjera myslimane dhe “si dorë e rëndë” nga emisari amerikan për liri fetare ndërkombëtare, reflekton vendosmërinë e presidentit Emmanuel Macron për t’i adresuar një seri sulmesh terroriste që kanë marrë jetën e më shumë se 260 qytetarëve francezë që nga viti 2015. Tri sulme të ngjashme kanë ndodhur muajve të fundit, përfshirë prerjen e kokës mësuesit të edukatës qytetare, Samuel Paty, i cili ua kishte treguar karikaturat e profetit Muhamed nxënësve të tij, kanë ashpërsuar edhe më shumë qëndrimet lidhur me legjislacionin.