Pandemia ka thelluar diskutimin që kishte nisur për kufijtë – por edhe për identitetin e përbashkët. Dhe tani në vitin 2020, po ndodh diçka e jashtëzakonshme: Epoka e vaktësisë duket se ka arritur fundin. Kufijtë po kthehen ndërmjet evropianëve dhe pjesës tjetër të botës – kufijtë mendorë dhe fizikë. Ka shumë arsye pse po ndodh kjo.
Në vitin 1996, një grup prej shkencëtarëve, akademikëve dhe nëpunësve evropianë të shërbimit civil u takuan në qytetin portugez, Coimbra, për të diskutuar për identitetin evropian: A ekziston dhe nëse po çfarë nënkupton? Të gjithë pjesëmarrësit dhanë kontributet e tyre personale dhe thellësisht intelektuale. Por, shumica prej tyre thanë se derisa nuk dihet se cilat janë qëllimet e Bashkimit Evropian dhe kush u përket atyre, edhe objektivat politikë evropianë mbesin të vakëta. Si mund të identifikohen qytetarët me objektiva politikë të vakët?
Formula e identitetit
Maryon McDonald, antropologe, deklaroi: “Identiteti ndërtohet në mënyrë racionale. Identiteti më i qartë është kundërshtimin konceptual. Juy më së miri e merrni vesh se kush jeni nëpërmjet asaj çfarë nuk jeni. Është relativisht e lehtë të ndihesh ‘evropian’, kur e vizitoni ta zëmë Japoninë”, shkruan "Foreign Policy Magazine".
Tani kini parasysh çfarë po bën Evropa gjatë pandemisë së koronavirusit: Ka nisur të kthejë kontrollet kufitare. Një shenjë e qartë dalluese ndërmjet “ne” dhe “të tjerëve” po shfaqet në mënyrë të qartë, duke shpënë kah një ndjenjë më e fuqishme e përkatësisë në mesin e evropianëve. Kjo deri tani ka pasur edhe pasoja politike.
Shembulli në Combria ishte një thirrje për demarkacion të kufijve gjeografikë, vlerave të përbashkëta dhe qëllimeve politike. Gjatë Luftës së Ftohtë, ata kufij ishin në terren, të krijuar nga rrethanat e jashtme. Atëherë, ishte e qartë se kush ishin evropianët dhe çfarë mbronin, sepse ishte e qartë gjithashtu se kush nuk ishin dhe çfarë mbronin kundërshtarët e tyre. Pas vitit 1989, ajo ndarje u davarit. U hoqën kufijtë, armiqtë u bënë miq. Dje duke mirëpritur vendet që dikur ishin prapa Perdes së Hekurt, BE-ja u hapi atyre një perspektivë tjetër. Kështu, thuhej atëherë, do të ndihmohej parandalimi i boshllëkut të rrezikshëm përgjatë kufijve të jashtëm të Evropës.
Mal dilemash
Por, ku ishin saktësisht ata kufij? Më askush nuk e di këtë. Gjithçka ndryshoi. A do t’i bashkohej Ukraina Bashkimit Evropian? A do të anëtarësohej edhe Turqia, vend mysliman? Si do të ndryshonte kjo klubin e të krishterëve? Shumë evropianë shtronin pyetje të ngjashme. Politikanët nuk iu përgjigjën kurrë. Ata nuk i dinin as vetë përgjigjet. Dhe kjo ia dha zjarr euroskepticizmit. Plogështia e zgjerimit dhe ngritja e kërkesës për ndalje të migrimit dhe për më shumë siguri nisën të ndihmonin gjithashtu këtë ngritje dyshimi në procesin.
Dhe tani në vitin 2020, po ndodh diçka e jashtëzakonshme: Epoka e vaktësisë duket se ka arritur fundin. Kufijtë po kthehen ndërmjet evropianëve dhe pjesës tjetër të botës – kufijtë mendorë dhe fizikë. Ka shumë arsye pse po ndodh kjo. Brexiti, ta zëmë, ka shtrënguar Evropën të vendosë kufi me Mbretërinë e Bashkuar. Kufijtë janë edhe reagim ndaj sulmeve terroriste të viteve të fundit. Por, pandemia e koronavirusit është një katalizator edhe më i fuqishëm.
Tregu i kaosit dhe ndërvarësia ekonomike
Fillimisht, pandemia shkaktoi kaos në Evropë. Çdo shtet anëtar i BE-së mori masat e veta kombëtare kundër pandemisë. Kjo mbase ishte e shmangshme: Shëndeti publik nuk është kompetencë evropiane. Por me disa vende që u mbyllën në mënyrë hermetike dhe të tjerat që konfiskuan dërgesa anijesh të vendeve të tyre për të siguruar maska, bënë që tregu i përbashkët evropian të pësonte kaos serioz. Kjo tronditi qeveritë evropiane, duke i detyruar të vepronin shpejt e shpejt. Pavarësisht ndryshimeve, krejt e dinë se paqja dhe prosperiteti evropian i pasluftës varen prej tregut të brendshëm. Tregu është themeli politik dhe ekonomik i Evropës. Dhe asnjë qeveri evropiane nuk dëshironte të hiqte dorë prej tij.
Menjëherë u organizuan. U morën masa për kalim të shpejtë të kamionëve me “linja të gjelbra” për materiale mbrojtëse në shëndetësi dhe u morën masa për asistencë financiare për rajonet më të prekura. Gjatë krizës së euros, ishin dashur tri-katër vjet derisa u hartua dhe u miratua fondi i shpëtimit. Sivjet, 750 miliardë euro janë ndarë për fondin e ndihmës, me një proces që ka përfunduar brenda tre-katër muajsh për aprovim. Madje është krijuar edhe një mekanizëm revolucionar i sigurimit të borxhit nëpërmjet buxhetit të Bashkimit Evropian.
“Solidariteti” i zorit
Kjo i dha “solidaritetit” kuptim të ri. Papritmas , gjermanët kënduan “Bella Ciao” për italianët në mbyllje ekonomike. Pacientët francezë dhe holandezë u trajtuan falas në Gjermani. Avokatët hoqën dorë nga puna e tyre që të punonin në ndihmë spitaleve. Njerëziut ndihmonin njëri-tjetrin me mallra të domosdoshme.
Një frymë e re u ngjall në shoqërinë evropiane, shkroi sociologu gjerman, Heinz Bude. “Ideja e individëve që janë në gjendje të rezistojnë për rrjetet e veta është e rreme. Ditët kur liria ishte e mira më e madhe ka marrë fund. Tani, mbrojtja dhe strehimi janë bërë më të rëndësishme”.
Në mars, italianët po digjnin flamujt evropianë në kohën kur vendi ishte i pari në Evropë që po vuante të zezat e pandemisë së madhe. Ata ndiheshin të lënë pas dore: Pse po ndihmonte Evropa? Aeroplanët kinezë dhe rusë, duke shpalosur flamujt e tyre, kishin sjellë maska fytyre në Lombardi. Papritmas, të huajt cinikë po shiheshin si njerëz të sjellshëm.
“Imazhi i ri”
Por ky imazh do të ndryshonte menjëherë. Shumë maska kineze ishin të papërdorshme. Dhe kah fundi i marsit, Evropa ishte përcjellë në aksion – në aspektin mjekësor, financiar dhe logjistik. Kjo i dha “Bashkimit Evropian imazh të ri”, do të deklaronte shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell për gazetën spanjolle, “El Pais”.
Presidenti i Bundestagut gjerman, Wolfgang Schauble, politikan i linjës së ashpër gjatë krizës së euros, së fundmi ka bërë thirrje nëpërmjet një opinioni për më shumë sovranitetit evropian. Ish-kryeministri finlandez, Alexander Stubb, që drejton Institutin e Universitetit Evropian në Fiorentinë në Itali ka thënë se Evropa “e ka mposhtur veten nëpërmjet kësaj krize”. Ka pasur edhe politikanë e studiues të njohur për shpirtin dhe frymën e re dhe më të fuqishme evropiane që do të dalë prej kësaj pandemie.
Në esenë e vitit 1919, “Prometheu”, studiuesi holandez, Carry van Bruggen, shkruante se njerëzit gjithnjë duan t’i përkasin diçkaje. Por nëse përfshihen në një grup, ata do ta humbin individualitetin: “Të qenët ndryshe nga tjerët është kusht për vetëruajtje”. Mbase, Evropa e sotme e ka zbuluar pikërisht këtë.