Botë

Abazoviqi pret vit të vështirë për Malin e Zi, shpreson në bashkëpunimin me Kinën

Descriptive Text

Viti i ardhshëm do të jetë shumë i vështirë ekonomikisht për Malin e Zi për shkak të pasigurive lidhur me sezonin turistik, dhe pasojat që pandemia ka lënë në vitin 2020, ka thënë zëvendëskryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në një intervistë për “CMG”.

Abazoviq ka thënë se pret që vaksinimi i popullatës në botë kundër koronavirusit të nisë së shpejti dhe që të mundësohen udhëtimet e që të hyrat nga turizmi të jenë më të larta vitin e ardhshëm. Sipas tij, bashkëpunimi me institucionet financiare ndërkombëtare do të ndihmojë Malin e Zi që të ruajë stabilitetin financiar.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi ka thënë se në bashkëpunim me iniciativën “17+1”, bashkëpunimi mes Kinës dhe shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore”, të gjithë mekanizmat që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik janë të pranueshëm.

“S’mund të them definitivisht në cilat projekte do të bashkëpunojmë, por me siguri në gjithçka që është në funksion të zhvillimit ekonomik, projekteve të mëdha infrastrukturore dhe projekte që janë të rëndësishme në kontekstin rajonal apo që kërkojnë vëmendjen e shtetit”, ka thënë ai.

Abazoviq ka thënë se Mali i Zi duhet të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë, dhe në veçanti me fuqitë e mëdha, sikur Kina.

“Qeveria e re e Malit të Zi duhet të zotohet për këtë bashkëpunim. Andaj, duhet të gjejmë modelet që kënaqin interesat e të dy vendeve. Shpresoj që Kina, si një fuqi ekstremisht e madhe, që po rrit ndikimin në gjithë botën, të jetë e interesuar për përmirësimin e bashkëpunimit me Malin e Zi”, ka thënë Abazoviq.