Botë

Paralajmërohet “periudha më e vështirë” e shëndetit publik në SHBA

Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) paralajmëruan për një dimër të zymtë, ndërsa vendi vazhdon të përballet me një valë rastesh të reja me COVID-19.

"E vërteta është se dhjetori, janari dhe shkurti, do të jenë kohërat më të vështira”, tha Robert Redfield, drejtor i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

“Në të vërtetë besoj se do të jetë koha më e vështirë në historinë e shëndetit publik të këtij kombi", shtoi ai.

Redfield tha se vala aktuale e rasteve me COVID-19, është më e keqe se ato të mëparshmet, duke pasur parasysh shtrirjen gjeografike dhe lakoren në rritje të infektimeve dhe vdekjeve, pasi që SHBA-ja po regjistron afërsisht 2 mijë vdekje si pasojë e COVID-19 çdo ditë.

Ai paralajmëroi gjithashtu për mbingarkesën e personelit dhe spitaleve në gjithë vendin, të cilëve po u shterojnë shtretërit.

Ndonëse shumë amerikanë ndjehen “të lodhur” nga udhëzimet për distancë fizike dhe mbajtje maskash, Redfieldi u bëri thirrje qytetarëve që t'u përmbahen këtyre praktikave në muajt e ardhshëm.

Miliona amerikanë udhëtuan për festën e Falënderimeve javën e kaluar, pavarësisht këshillave të ekspertëve shëndetësorë kundër fluturimeve dhe tubimeve në grupe më të mëdha në një vend.

Të mërkurën CDC-ja tha se amerikanët duhet të shkurtojnë periudhën e karantinimit në dhjetë ditë ndryshe nga e kaluara kur ajo ishte 14- ditëshe.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, SHBA-ja ka regjistruar më shumë se 273 mijë vdekje dhe më shumë se 13.9 milionë raste të konfirmuara të të prekurve me COVID-19. \ VOA