Botë

Kina me operacion special për ta ndikuar ekipin e Bidenit

Në një njoftim tjetër, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka bërë të ditur se më shumë se një mijë agjentë të dyshuar kinezë janë larguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi disa prej tyre ishin intervistuar prej FBI-së

Agjentët kinezë kanë shtuar përpjekjet e tyre për të ndikuar në administratën e ardhshme të presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden, kanë treguar burime brenda Inteligjencës amerikane.

William Evanina, nga Zyra amerikane e Drejtorisë së Inteligjencës Kombëtare, ka thënë se kinezët ishin fokusuar në ekipin e ngushtë të Bidenit. Evanina ka thënë se ishte fushatë e ndikimit “mbi steroidet”.

Në një njoftim tjetër, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka bërë të ditur se më shumë se një mijë agjentë të dyshuar kinezë janë larguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në diskutimin virtual të së mërkurës, sipas kohës lokale amerikane, në Institutin Aspen, grup i pavarur mendimi, Evanina, shef i Drejtorisë së degës për kundërinteligjencë në Inteligjencën Kombëtare, ka thënë se Kina ka provuar të ndërhyjë në përpjekjet amerikane për të zhvilluar vaksinën e koronavirusut dhe për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Ai ka vazhduar: “Kemi parë një përpjekje të ngritur, gjë që e kemi parashikuar dhe planifikuar, se Kina do të provonte të ndërmerrte fushata ndikimi tek administrata e re (e Bidenit). Dhe kur unë e them këtë, ai ndikim i jashtëm malinj, ai ndikim shtesë diplomacie, kemi parë se kishte përpjekje për shtrirje në mbarë vendin, e jo vetëm te njerëzit e administratës së re, por më e theksuar ishte te njerëzit që janë pjesë e administratës së re”.

“Andaj, kjo është një fushë në të cilën do të jemi të fokusuar ose do të sigurohemi që administrata e re ta kuptojë këtë ndikim, çfarë duket, si ndihet, si është ta shohësh”, ka theksuar Evanina.

Edhe Biden, edhe presidenti Donald Trump kanë shkëmbyer akuza të ashpra gjatë fushatës së fundit për ta drejtuar Shtëpinë e Bardhë gjatë katër vjetëve të ardhshëm për ndikimin që kishte Kina te njëri, apo te tjetri.

Trumpi është fokusuar në marrëveshjet e bizneseve të të birit të Bidenit në Kinë, përderisa kandidati demokrat spikaste llogarinë bankare të Trumpit në Kinë.

Gjatë diskutimit të njëjtë, John Demers, shef i divizionit të sigurisë kombëtare në Departamentin e Drejtësisë, ka thënë se qindra hulumtues me lidhje me ushtrinë e vendit të tyre ishin identifikuar nga operativët e FBI-së gjatë muajve të verës. Demers ka thënë se hetimi kishte nisur kur autoritetet amerikane të sigurisë arrestuan pesë ose gjashtë hulumtues kinezë, të cilët kishin fshehur lidhjet e tyre me Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Kinës.

“Ato pesë ose gjashtë arrestime ishin maja e ajsbergut dhe sinqerisht përmasa e majës së ajsbergut është se unë dhe njerëzit e tjerë nuk e dinim se sa e madhe ishte”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se pasi FBI-ja kishte kryer shumë intervista me individë të tjerë, “më shumë se një mijë hulumtues kinezë të lidhur me Ushtrinë Çlirimtare Popullore u larguan nga vendi”.

Demers ka thënë se “vetëm kinezët kanë burime dhe aftësi, dhe vullnet” për të ndërmarrë spiunazh të përmasave të tilla ekonomike dhe politike, si dhe “aktivitet tjetër malin”.

Ai ka deklaruar se hulumtuesit ishin grup tjetër prej një mijë studentëve dhe hulumtuesve të tjerë, të cilëve u ishin revokuar vizat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shtator.

Departamenti amerikan i Shtetit kishte njoftuar atëherë se do të mirëpriste “vetëm studentët kinezë që nuk i çojnë përpara qëllimet e dominimit ushtarak të Partisë Komuniste Kineze”.

Në korrik, Departamenti amerikan i Shtetit ka mbyllur edhe konsullatën kineze në Houston në Teksas, duke e akuzuar Pekinin se po vidhte pronë intelektuale.

Pekini u hakmor duke akuzuar SHBA-në për diskriminim, por Demers i ka hedhur poshtë akuzat se autoritetet amerikane po i trajtonin mbi baza racore studentët kinezë. Marrëdhëniet sino-amerikane kanë prekur nivelin më të ulët pas përplasjeve të presidentit Trump me Pekinin lidhur me çështje të ndryshme, prej tregtisë deri te Hong-Kongu e pandemia.