Botë

Suedezja arrestohet për ngujimin e të birit për dekada me radhë

Foto: AP

Një plakë 70-vjeçare është arrestuar në kryeqytetin e Suedisë me dyshimin se e kishte mbajtur të birin të ngujuar në shtëpinë e tij për tri dekada me radhë, ka bërë të ditur prokuroria dhe policia suedeze.

Burri në të dyzetat është gjetur të dielën në banesën e tij prej një të afërmi. Ai ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Prokurorja Ema Olson ka thënë se burri mund të jetë mbajtur i mbyllur rreth tridhjetë vjet.

Mediat suedeze, duke cituar të afërmin që e ka gjetur, kanë raportuar se burri ishte i shtrirë mbi batanije në dysheme. Nuk kishte dhëmbë dhe nuk ishte në gjendje të fliste. Kishte plagë e lëndime, transmeton KOHA.

Gazetat suedeze kanë raportuar se burri e kishte lënë shkollën kur ishte 12 vjeç. Në mure janë gjetur dy kalendarë të viteve 1995 e 1996. Banesa ishte në gjendje të rrëmujshme. Nëna i ka hedhur poshtë akuzat për ngujimin e të birit dhe për plagët e tij.

Prokuroria nuk i ka bërë të ditur emrat e nënës dhe të djalit. Nuk ka pasur as ndonjë shpjegim se pse po mbahej djali brenda katër mureve. Policia ka rrethuar zonën përreth banesës, ku është sjellë personeli spitalor për ta trajtuar burrin.

Policia ka bërë të ditur se nuk ka të dhëna të faktuara, porse beson që burri ishte mbajtur i ngujuar për një kohë të gjatë.