Botë

Kina i bën thirrje Australisë t’u kërkojë falje afganëve

Descriptive Text

Ministria e Jashtme e Kinës i ka bërë thirrje Australisë që t’i kërkojë falje popullit afgan, duke iu referuar raportit që shpalosi se njësitet elite të ushtrisë australiane kishin vrarë 39 të burgosur dhe civilë afganë.

Në raportin e muajit të kaluar janë ofruar dëshmi që tregojnë se si komandantët i urdhëronin ushtarët e tyre të vrisnin qytetarë të pafajshëm sa për t’u mësuar me vrasjet në Afganistan.

Reagimi i Pekinit zyrtar ka ardhur pasi kryeministri australian i bëri thirrje Kinës të kërkonte falje pasi një zyrtar kinez publikoi fotografi të rrejshme të një ushtari australian duke e prerë në fyt një fëmijë.

Imazhi grafik ishte publikuar nga një zëdhënës i diplomacisë kineze. Qeveria australiane e ka quajtur akt të turpshëm veprimin.

Mirëpo, në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Kinës thuhet se Qeveria australiane duhet të kërkojë falje dhe të turpërohet për vrasjen e rreth dyzet afganëve të pafajshëm. Kambera nuk e ka përjashtuar ndjekjen penale të përgjegjësve të vrasjeve.